Pas 20 vjetësh zvarritje dhe shtyrje të punimeve, Qeveria Shqiptare vendosi të anulojë kontratën me kompaninë italiane Kalivaçi Green Energy për hidrocentralin e papërfunduar të Kalivaçit në Vjosë. Menjëherë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ri-hapi procedurat për dhënien e një koncesioni të ri. Kompanitë e interesuara mund të aplikojnë për të ndërtuar këtë hidrocentral deri më 18 korrik 2017, sipas kritereve të përcaktuara në ligj.
Anulimi i kontratës ekzistuese e bën Vjosën ligjërisht të lirë nga HEC-et dhe ofron një mundësi të artë për të shpallur Vjosën si Parku u parë i një Lumi të Egër në Evropë. Megjithatë, qeveria ka vendosur të hapë procedurën e koncesionit, në kundërshtim me vullnetin e pushtetit vendor dhe komunitetit, aktorëve kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Ne do ta kundërshtojmë fuqimisht këtë projekt dhe do të vazhdojmë betejën për Vjosën e lirë, pa diga!”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania dhe koordinator i fushatës për mbrojtjen e Vjosës në Shqipëri.
Projekti i Kalivaçit është hidrocentrali i parë në Vjosë i dhënë në vitin 1997. Ndërtimi i digës ka filluar në 2007, por është ndërprere disa herë. Fillimisht, burimi kryesor i financimit ishte investitori italian Becchetti Grup dhe Deutsche Bank, por punimet kanë shkuar deri në nivelin 30 % duke e lënë lumin ende të paprekur.
Ky nuk është hidrocentrali i vetëm që qeveria shqiptare mundohet të ndërtojë, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme. Ajo ka apeluar në Gjykatën Administrative vendimin për anulimin e hidrocentralit të Poçemit i cili planifikohej të ndërtohej më poshtë Kalivaçit. “Vendimi i gjykatës kundër HEC-it të Poçemit, i cili bazohej në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM) jo të përshtatshëm dhe konsultim publik të rremë, tregon mungesën e funksionimit të shtetit brenda qeverisë. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë ligjin kombëtar dhe të ndjekin standardet ndërkombëtare në lidhje me procedurën e HEC-it të Kalivaçit”, tha Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”* nga Riverwatch.
Duke e lidhur dhe me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri që do të mbahen më 25 qershor 2017, Drejtori i Fondacionit EuroNatur shton: “Është e papranueshme që Qeveria Shqiptare ri-hap çështjen e Kalivaçit vetëm një muaj para zgjedhjeve. Vendimi për të shfrytëzuar Vjosën për hidro-energji në vend të ruajtjes së saj si lumi i fundit i egër në Evropë dhe nxitimi në periudhën zgjedhore do të sjellë pasoja të mëdha në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë ne BE.”
Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Ajo rrjedh e paprekur përmes grykave të thella, zallishteve dhe ishujve për rreth 270 km nga malet e Pindit në detin Adriatik.
One Response