Inspektorët e mjedisit në qarkun Korçë në bashkëpunim me policinë e shtetit dhe doganën në pikën kufitare të Kapshticës kanë sekuestruar ditën e sotme 300 individë faqekuq gardelina të cilat do të tregtoheshin në shtetin fqinj.
Ky lajm u njoftua nga Ministria e Mjedisit , e cila bëri të ditur gjithashtu se “shpendët, po transportoheshin në mënyrë të paligjshme me një autobus të linjës Tiranë -Athinë dhe u gjetën në një nga bagazhet e autobusit gjatë aksionit të zhvilluar rreth orës 14.00”.
Inspektorët e mjedisit kanë bërë ndalimin në flagrancë të dy drejtuesve të mjetit, me inicialet Dh.B dhe E.V bllokimin e autobusit dhe sekuestrimin e shpendëve. Çështja i është referuar prokurorisë për ndjekje penale ndaj dy shtetasve.
Vetëm pak ditë pasi Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi paralajmëroi nga laguna e Kune- Vainit, ku kryhej Censusin Kombëtar i Shpendëve, për ndëshkim të subjekteve që kapin, tregtojnë apo balsamosin shpendët e rralla, është konkretizuar me sukses aksioni i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve.
Gardalina është specie në mbrojtje dhe për pasojë gjuetia e saj është e ndaluar dhe në bazë të nenit 59, pika 3, ndëshkohet me gjobë në masën 80 000 lekë deri në 100 000 lekë.