Prej dy ditësh studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, të mbështetur edhe nga pedagogët e tyre kanë dalë në protestë. Shkak për këtë është bërë prishja e fidanishtes pranë shkollës së tyre, e cila shërbente për të kryer orët laboratorike, pasi në këtë truall do të fillojë ndërtimi i një shkolle.
Nisur nga ky shqetësim, Bashkia Tiranë, sqaroi nëpërmjet një postimi në facebook se toka në të cilën do të ndërtohet shkolla është private, por është shpronësuar nga Bashkia. Bashkë me certifikatën e shpronësimit është vënë në dispozicion edhe projekti i shkollës që do të ndërtohet, që konsistojnë në dy godina, një shkollë 9-vjecare dhe një gjimnaz.
Studentët shprehen të pakënaqur me këtë vendim të Bashkisë Tiranë dhe paralajmërojnë se do të vazhdojnë të protestojnë kundër betonizmit të parkut të bimëve pyjore.
“Nëse kjo tokë ka pronar, pse zoti Kryebashkiak erdhi këtu dhe mbolli këto pemë. Pse jemi lejuar ne të bëjmë këtu praktikat mësimore, nëse ka pronar”,-u shprehen studentët për televizionin A2 CNN.
Më 15 prill 2018, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në një postim në facebook është shprehur se Universiteti Bujqësor i Tiranës po merr pamjen e një kampusi të mirëfilltë universitar, duke qenë jo vetëm një qendër arsimimi, por edhe një hapësirë rekreative. Bashkë me drejtuesit dhe pedagogët e këtij universiteti ai ka mbjellur pemë në hapësirën ku sot po përdoret për ndërtimin e një shkolle të re.
Dekani i fakultetit të Ekonomisë Agrare, Maks Mece, i cili ka qenë pjesë e aktivitetit të mbjelljes së pemëve me kryebashkiakun Veliaj është shprehur sot kundër ndërtimit në këtë tokë.
“Merreni njërën nga këto pemët dhe çojani dhuratë bashkisë. Shpresojmë që me qëndrimin tonë të shpëtojmë një institucion i cili ka vlera kombëtare dhe jo për interesa private. Unë e kuptoj që ky territor bosh dhe çdo cep toke që shikohet në këtë vend, gjykohet për një kullë”, – është shprehur pranë studentëve dekani Mece.
Studentët theksojnë mungesën e zhvilimit të një dëgjese publike, pasi sipas tyre janë gjendur në befasi kur kanë parë nisjen e punimeve, dhe kanë lënë mësimin për të mësuar se ç’po ndërtohej në mjedisin ku deri më parë zhvillonin praktikat e tyre mësimore.
“Si student i mjedisit, jam kundër kësaj padrejtësie. Nuk ka tabelë informuese për këtë ndërtim që po bëhet vjedhurazi. Ne dalim në terren kur kemi për të studiuar për bimët. Do jemi këtu deri ditën e fundit”, u shpeh një nga studentët.
*Citizens Channel /E.K/