Citizens.al

Çfarë po ndodh te Bregu i Lumit?

Prej dy ditësh familjet që jetojnë në zonën e njohur si Bregu i Lumit janë përballur me forcat policore, të cilët kërkojnë të shuajnë rezistencën e banorëve për prishjen e banesave të tyre. Shembja e këtyre banesave do të sjellë vijimin e punës për ndërtimin e Bulevardit të Ri.

Banorët kundërshtojnë këtë projekt, pasi sipas tyre ata nuk përfitojnë asnjë dëmshpërblim për banesat e tyre. Ato janë konsideruar si të paligjshme.

Rezistenca e banorëve ka nisur me konfrontim fizik me forcat policore. Pas tensionit të krijuar fadromat dhe forcat e rendit u tërhoqën, por ditën e djeshme, herët në mëngjes, ata janë rikthyer sërish pavarësisht motit të keq e me shi. Banorët kanë dalë sërish për të bërë rezistencë por situata ka degraduar deri në përdorimin e gazit lotsjellës.

“Dolëm në mëngjes dhe kur pamë që kishin ardh forca të shumtë policie. Ne ishim shumë pak para policëve. Ishin pafund. Dolëm që të rezistonim,” tha për BIRN, Manjola, e cila në çastin e intervistës sapo ishte lënë e lirë nga komisariati ku kishte qëndruar prej 5 orësh.

Përdorimi i gazit lotsjellës ka bërë që 7 persona nga rradhët e banorëve të dërgohen për të marrë ndihmën e parë mjekësore pranë Qendrës së Traumës, ndërkohë që banorë të tjerë janë shoqëruar në komisariatin e policisë.

Për këtë situatë ka reaguar edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nëpërmjet zëdhënësit të tij Tedi Blushi. Në reagimin e tij zëdhënësi i presidentit shprehet se Presidenti Meta e ka ndjekur me shqetësim sjelljen e autoriteteve publike për të ndërhyrë përtej çdo logjike njerëzore, si dhe për përdorimin e forcave të Policisë së Shtetit për të ndërhyrë në banesa në mënyrë brutale dhe aspak profesionale.

Në këtë reagim Presidenti u bën thirrje autoriteteve publike, Bashkisë Tiranë, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Brendshme, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, IKMT dhe IMT së Bashkisë Tiranë që:

  • “Të zbatojnë me përpikëri procedurat ligjore për shpronësimin për interes publik të të gjithë personave që preken nga ky projekt, si të atyre që gëzojnë një certifikate pronësie, por edhe të atyre që nuk kanë mundur të ligjërojnë dot banesat e ndërtuara, edhe pse janë aty prej më se 20 vitesh;
  • Presidenti i Republikës vlerëson se realizimi i këtij projekti urban të rëndësishëm për qytetin e Tiranës nuk duhet të pengohet dhe as të vonohet, por vënia në zbatim e tij nuk duhet të shkatërrojë të ardhmen dhe jetën e shtresave më të pamundura të shoqërisë;
  • Institucionet publike duhet të angazhohen për ta zgjidhur ligjërisht problemin dhe nëse një akt nënligjor që rregullon gjendjen nuk ekziston, ai mund të krijohet dhe të vihet në zbatim. Kjo është detyra primare e qeverisë, që brenda parashikimeve të ligjit dhe në respektim të parimeve, të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese, duhet të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe për interesin publik në tërësi;
  • Qeveria dhe Bashkia Tiranë duhet të tregojnë vullnet për zgjidhjen e këtij konflikti. Banorët kanë kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre dhe nga konflikti që ka lindur, rezulton se kërkesat e tyre nuk janë trajtuar në themel as nga Bashkia Tiranë, dhe as nga Qeveria.
  • Banorët kërkojnë dëmshpërblim për banesat e tyre, pasi janë aty prej mëse 20 vitesh dhe shteti, edhe pse e njeh gjendjen prej vitesh, nuk mundet t’i trajtojë ata si zaptues, pasi çdokush meriton të drejtën për të pasur një strehë dhe për të rritur fëmijët e tij si gjithë të tjerët.
  • Qeveria në raste të ngjashme dhe identike me këtë rast, kur ka pasur vullnet, ka mbajtur qëndrime pozitive përgjatë viteve 2011, 2012, 2015 në zbatimin e disa projekteve të infrastrukturës rrugore, të tilla si zgjatimi i Bulevardit “Zogu I” (pjesa parë), pjesa tjetër e Unazës së Madhe (segmenti Pallati me Shigjeta-Kopshti Zoologjik), si dhe Unaza hyrëse e qytetit të Vlorës. Në mungesë të kuadrit ligjor për rregullimin e çështjeve të shpronësimit të objekteve të pa legalizuara që prekeshin, Qeveria ka ndërhyrë duke nxjerrë akte nënligjore dhe duke i trajtuar me respekt e humanizëm banorët që janë dëmtuar nga realizimi i këtyre projekteve respektivisht: me VKM nr.563/2011, VKM nr.560/2012, VKM nr. 133/2015. Trajtimi i ndryshëm që iu bëhet banorëve sot tregon shenja të dukshme diskriminimi dhe njëanshmërie, që duket se kanë prodhuar këtë konflikt brutal të shtetit me qytetarët e tij.
  • Qeveria e Republikës së Shqipërisë është një, pavarësisht se cila është forca politike që drejton dhe ajo duhet t’i trajtojë qytetarët në mënyrë të barabartë. Qeveria duhet të garantojë qytetarët e prekur nga realizimi i projekteve publike, që të kenë mundësi të rifillojnë jetën e tyre me sa më pak dhimbje dhe kosto, që vijnë për shkak të humbjes së banesës së tyre.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Avokatit të Popullit, i cili ka nisur hetimin administrativ pas konfrontimeve në zonën e Bregut të Lumit. Me anë të një postimi në facebook, institucioni i Avokatit të Popullit ka deklaruar se një grup ekspertësh janë angazhuar ditën e sotme në ndjekjen e zhvillimeve të konfrontimeve të banorëve të Bregut të Lumit dhe forcave të policisë. Mbi bazën e ankesave të qytetarëve janë regjistruar 3 raste dhe ka filluar hetimi administrativ nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Odiseja e shpronësimit të banesave te Bulevardi i Ri

Projekti i Bulevardit të Ri nisi në vitin 2012. Gjatë kësaj periudhe, ish-kryebashkiaku Basha dhe qeveria Berisha deklaruan para nisjes së punimeve, se banesat që do të prekeshin nga ky projekt do të dëmshpërbleheshin të gjitha, edhe nëse ishin të paligjshme.

Exit.al shpjegon se në hapësirën që parashikohej të ndërtohej bulevardi, ku përfshinte disa banesa, qeveria e atëhershme miratoi një fond dëmshpërblimi prej 14 milionë euro, vetëm për fazën e parë.

Me ardhjen në pushtet të Kryeministrit Rama, në 2014, punimet për ndërtimin e Bulevardit të Ri ndaluan. Sipas Kryeministrit, masa e dëmshpërblimit të vendosur më herët ishte më e vogël se sa vlera e tregut në atë kohë.

Sapo erdhi në krye të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, punimet u zhbllokuan dhe u vendos të zbatohej vendimi i shpronësimit të vitit 2013 të qeverisë Berisha, me të njëjtin fond. Edhe pse ky fond ishte parashikuar nga qeveria Berisha vetëm për fazën e parë të punimeve, qeveria Rama vendosi ta përdorë atë për të gjitha ndërtimet, duke përjashtuar edhe një pjesë të banesave nga dëmshpërblimi.

Ndërkohë në vitin 2015 qeveria ndryshoi ligjin për legalizimin, për të përjashtuar nga procesi i legalizimit ndërtesat që cenojnë punët me interes publik. 44 banesa në proces legalizimi u përjashtuan nga legalizimi dhe sot priten të shemben duke mos marrë asnjë dëmshpërblim.

Shpjegimin e plotë e gjeni këtu.

*CItizens Channel  /E.K/

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW