Citizens.al

Durrës: Karta e Studentit, premtimi i pambajtur që mbetet peng i burokracive mes institucioneve

Autor: Mila Ballhysa | Citizens Channel

Pajisja e studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) me Kartën e Studentit duket jo shumë e afërt në kohë. Studentët e të dy niveleve, Bachelor dhe Master, që frekuentojnë vitin akademik 2018-2019 nuk mund ta “gëzojnë” dot. Premtimi i qeverisë Rama që studentët e këtij viti akademik do të pajisen me kartë duket më shumë një premtim në erë, sesa një realitet i prekshëm. Edona Berisha, anëtare e Këshillit Studentor në UAMD, studente e vitit të tretë, dega Navigacion, shprehet se megjithëse Karta e Studentit ishte një nga pikat e “Paktit për Universitetin”, që qeveria Rama miratoi pas protestave masive të studentëve në dhjetor 2018, ajo nuk po bëhet realitet për studentët e UAMD-së.

Ndërsa Albana Aliaj, studente e vitit të tretë, dega Marrëdhënie me Publikun, Fakulteti i Shkencave Politike, thotë për Citizens Channel se nëse procesi i pajisjes me kartën e studentit do të niste edhe

në Durrës, ashtu siç u premtua, ndoshta, atyre mund t’u lehtësoheshin disi shpenzimet mujore.

“Vetëm për transport shpenzoj çdo ditë minimumi 60 lekë biletë autobusi. Për të shkuar një herë në muaj në Has, ku kam prindërit, duhet të shpenzoj 1500 lekë vajtje-ardhje. Banoj në Durrës së bashku me motrën që sapo ka nisur punë, si dhe vëllain që është në vit të tretë tek shkolla profesionale “Beqir Çela”. Mbahemi vetëm me rrogën e motrës dhe timen, pasi prindërit janë të papunë. Ka pasur ditë kur nuk kemi ngrënë një vakt, sepse shpenzimet janë të shumta. 15 mijë lekë paguajmë çdo muaj qiranë. Fatmirësisht, unë kam punuar gjatë 3 viteve të shkollës, sepse në të kundërt rrezikoja të lija studimet e larta”,- rrëfen Albana.

Protestat e Dhjetorit dhe rikthimi i vëmendjes nga Karta e Studentit

Në muajin dhjetor 2018, studentët u derdhën në rrugë duke protestuar për ditë të tëra para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë. Ata dorëzuan tek ministrja e atëhershme Lindita Nikolla, një kërkesë me 8 pika, njëra prej të cilave ishte pajisja me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019. Masiviteti i protestave e detyroi kryeministrin Edi Rama që bashkë me ministren e re të Arsimit, Besa Shahini, të propozonte “Paktin për Universitetin”, ku në pikën nr.6 ishte materializuar kërkesa e studentëve për kartën. Qeveria nuk u ndal me kaq dhe në 17 prill 2019 miratoi me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), kategoritë e shërbimeve që do të ofronin entet shtetërore dhe private, me çmime të reduktuara për studentët.

Historiku i premtimeve për Kartën e Studentit:

  • Kryeministri Edi Rama – 19 Prill 2019

“Karta e Studentit fillon me 40 shërbime, por me mundësinë për t’u zgjeruar më tej. Në vijim do të ketë edhe më shumë shërbime të tjera nga palë të interesuara që do të ofrojnë mundësi dhe lehtësira për studentët. Kam parasysh këtu marrëveshje të caktuara me kompani të caktuara që bëjnë shërbime dhe janë shprehur të gatshëm për të konsideruar tarifa të lehtësuara dhe çmime më të ulëta për studentët që janë pajisur me këtë kartë”, deklaroi kryeministri Rama në datë 19 prill, ndërsa merrte pjesë në prezantimin e “Sondazhit Kombëtar të Studentëve 2019”, mbi cilësinë e mësimdhënies.

  • Kryeministri Edi Rama- 27 Maj 2019

Ndërsa në datë 27 maj, Kryeministri Rama do të deklaronte para studentëve të Ekonomikut: Është fakt që karta ka filluar të prodhohet dhe në shembullin e parë që u krijua falë edhe punës së bërë nga bashkia e Tiranës, do ta zhvillojmë kartën edhe në bashkitë e tjera. E kanë gati edhe eksperiencën, edhe sistemin, mjafton që ta vënë atë në punë. Ne do t’i shtyjmë, do t’i nxisim, e nëse nuk do na dëgjojnë, do ju lutemi dhe ju që të bëni një protestë tjetër tek dera e bashkisë “duam kartat tona, duam kartat tona” dhe kjo gjë do realizohet”.

Me këtë deklaratë, kryeministri Rama duket se ia delegon përgjegjësinë për kartën pushtetit vendor, por pa shqyrtuar më parë në detaje të gjithë mekanizimin që duhet të përdoret për funksionalitetin e kartës dhe dispozitat ligjore që do të ngarkonin me përgjegjësi të gjitha institucionet për bashkërendimin e punës për ofrimin e shërbimeve falas ose me kosto të reduktuar për studentët. Në rastin e Durrësit, procesi i pajisjes së rreth 19 mijë studentëve të UAMD-së është në fazën e projektit. Studentët vetëm ndjekin atë çfarë ndodh në Tiranë, sepse në Durrës zbatimi në praktikë i VKM-së duket i largët. Nuk ka ende një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë, apo bashkisë me UAMD-në.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini – 24 Maj 2019

Në datë 24 maj 2019, ministrja Besa Shahini vizitoi UAMD-në, por si në njoftimin për shtyp të ministres, ashtu edhe në atë të universitetit të Durrësit nuk përmendet Karta e Studentit (faksimilet nga vizita e Shahinit). Fokusi i takimit ka qenë biblioteka digjitale. Asnjë premtim para studentëve dhe trupës akademike për një nga pikat më të rëndësishme të “Paktit për Universitetin”. Duket sikur ministrja vepron me dy standarte. Në Tiranë, Shahini doli përkrah Veliajt, në datë 16 prill, para se të miratohej VKM-ja, dhe premtuan së bashku nisjen e procesit brenda muajit maj. Në Durrës, ministrja nuk e përmendi fare kartën para studentëve, përfituesve direkt prej saj, ndërsa nuk u bënë të ditura as detaje nga takimi që ajo zhvilloi në bashkinë e qytetit. Megjithëse në njoftimin për takimin në UAMD në faqen zyrtare të saj në Facebook, ministrja Shahini vendos në fund hashtagun #PaktiPërUniversitetin, karta e studentit “harroi” të përmendej nga drejtuesja e dikasterit të arsimit.

Karta e Studentit – Premtim elektoral i kandidateve për Bashkinë Durrës

Fakti që në Durrës nuk kandidon po i njëjti kryetar bashkie që ka drejtuar për 12 vite me rradhë qytetin e komplikon procesin e pajisjes së studentëve me kartë brenda vitit akademik 2018-2019. Karta e studentit nuk ka qenë premtim elektoral i kryebashkiakut Vangjush Dako, në asnjërën prej fushatave elektorale të zhvilluara prej tij. Citizens Channel kontaktoi me dy kandidatet që garojnë për bashkië e Durrësit, duke marrë premtime për realizimin e Kartës së Studentit.

Kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë Durrës, Valbona Sako deklaron për Citizens Channel:“kjo është një nga pikat që kam trajtuar në programin tim, ku studentët e UAMD do pajisen me Kartën e Studentit dhe në funksionin potencial të kryebashkiakes do marr masat që këta studentë të kenë sa më shumë përfitime nëpërmjet saj, në shërbimet që ofron Durrësi. Do angazhoj administratën sapo të marr drejtimin e bashkisë për të realizuar këtë projekt”.

Ndërsa kandidatja tjetër në garë për bashkinë e Durrësit, Valbona Sakollari e Bindjes Demokratike, e zgjeron edhe më shumë konceptin e kartës së studentit, duke folur për

kartën sociale. “Në programin tim është përfshirë koncepti i kartës sociale, që është një koncept më i zgjeruar se karta e studentit, sepse me të do të pajiset një grup më i madh i komunitetit dhe jo vetëm studentët. Me kartë sociale si fillim do të pajisen studentët, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, personat që përfitojnë ndihmë ekonomike. Shërbimet që do të përftohen me tarife të reduktuar ose falas (në varësi të shërbimit) nga pajisja me kartë sociale janë: tarifat e shërbimit urban (brenda qytetit por dhe drejt njësive të tjera administrative); hyrja në muze; hyrja në teatër; hyrja në stadium dhe pallat sporti; tarifa të rishikuara për shërbimet e marra në institucione të ndryshme”,- thotë Sakollari.

Në krahasim me kryeqytetin, Durrësi ofron një gamë më të vogël shërbimesh, pasi mungon kinemaja, ndërsa shfaqjet teatrale në teatrin e vetëm të qytetit, që mban të njëjtin emër si universiteti janë të pakta. Përveç Muzeut Arkeologjik dhe Amfiteatrit, sitet e tjera arkeologjike e historike vizitohen falas. Hyrja në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” është falas. Studentët shpresojnë të përfitojnë të paktën ulje në transportin publik dhe atij ndërqytetas, pasi shumë prej tyre vijnë nga qytete të tjera. Aboneja e studentit në vlerë 600 lekë, megjithëse ekziston në letër, nuk është ende e aksesueshme, pasi kompanitë që menaxhojnë 6 linjat urbane të qytetit prodhojnë një sasi shumë të vogël. Të gjesh një student që përdor abonenë e studentit në linjat urbane të Durrësit mund të konsiderohet luks! Në muajin mars, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi rritjen e çmimit nga 30 në 40 lekë të biletës së urbanit, rritje e cila nuk ka hyrë ende në fuqi, megjithëse jemi në muajin qershor dhe është miratuar edhe nga institucioni i prefektit. Rritja e çmimit të biletës do rëndonte edhe më shumë xhepat e studentëve. Në ndryshim nga kolegët e tyre në Tiranë, që mund të strehohen në qytet Studenti, studentët e rretheve që frekuentojnë UAMD-në dhe që përbëjnë rreth 80% të numrit të përgjithshëm janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi me qira, pasi në kampusin universitar mungojnë konviktet. Kjo rëndon edhe më shumë financat e tyre të varfra.

Bashkia e Durrësit është në pritje të nënshkrimit të marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit, për të nisur procesin e prodhimit të kartës së studentit. Drejtori i kabinetit, Lavdosh Beqiraj thotë se në bazë të marrëveshjes që pritet të nënshkruhet në të ardhmen, do t’u akordohet nga Ministria një fond prej rreth 30 mijë eurosh, që do të mbulojë koston e prodhimit. Ndërkohë, shërbimet që do t’u ofrohen falas apo me kosto të reduktuar studentëve do të jenë ato që janë në varësi të bashkisë apo institucioneve të tjera shtetërore me të cilat do të lidhen marrëveshjet e nevojshme. Nga ana tjetër, është duke u diskutuar edhe me shoqëritë private që menaxhojnë 6 linjat urbane të qytetit, në mënyrë që transporti i studentëve të bëhet me kosto të reduktuar. Në bazë të marrëveshjes që do të arrihet, diferenca do t’u paguhet privatëve nga fondet e bashkisë.

Karta e studentit – Premtim real, propagandë apo mundësi për përfitime?

Qeveria Rama e përfshiu Kartën e Studentit si një nga pikat e Paktit për Universitetin, por realizimi i saj në praktikë është shumë ndryshe nga propaganda e kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë Erion Veliaj. Pajisja e studentëve të Tiranës me kartë, vatra më e nxehtë e protestave të dhjetorit, po realizohet më shumë si një eksperiment propagandistik në vazhdën e deklaratave elektorale, sepse studentët realisht nuk po përfitojnë shërbimet më të domosdoshme për ta.

Citizens Channel ka kontaktuar me dy studentë, që kanë qenë zëra të fortë gjatë ditëve të protestave studentore në Tiranë dhe Durrës. Frenkli Prengaj, student në vitin e tretë në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, është një nga ata të rinj që tashmë e kanë në dorë kartën. Por për Frenklin, karta nuk përmbush pritshmëritë e studentëve, për reduktimin e kostove që rëndojnë më shumë xhepat e tyre.

Është e dhimbshme, por studentët nuk kanë fituar asgjë përveç gënjeshtrave. Te karta e studentit përfshihen disa shërbime luksi si psh. ulje në biletën e kinemasë, apo ulje në muze të cilat do t’i vizitojmë një herë të vetme. Këto lloj shërbimesh nuk janë kërkuar nga studentët, përkundrazi. Ne kemi kërkuar të ulen çmimet e librave, ndërkohë që është rritur taksa me 6% për shtypshkronjat, e cila rrit edhe më tej çmimin. Të mos flasim pastaj për ulje në mensa, kafe, librari e biblioteka, ambiente që frekuentohen rregullisht nga studentët”,- thotë Prengaj.

Ndërkohë, Isa Myzyraj, student në vit të tretë për Shkenca Politike, në UAMD, anëtar i Këshillit Studentor dhe i angazhuar prej disa vitesh në media si gazetar thotë: “Tiranë, ky projekt propagandistik po tregon se ka dështuar. Aktualisht karta nuk ofron asnjë shërbim të domosdoshëm, pasi studentët përfitojnë ulje me 100 lekë në kinema, por librat vazhdojnë t’i blejnë me çmime skandaloze. Studentët përfitojnë 100 lekë ulje në teatër, por në auditore mungojnë pajisjet bazë. Projekti për pajisjen e studentëve me kartë duhet të jetë i mirëstudiuar, i diskutuar me studentët dhe jo të shërbejë para çdo palë zgjedhjesh për propagandë. Aktualisht, shërbimet që ofron karta, aty ku ka filluar të zbatohet janë qesharake dhe nuk lehtësojnë aspak xhepin e studentit”. 

Mungesa e iniciativave publike i hap rrugë  tregtisë me Kartën e Studentit”

Studentët e fakulteteve të Ekonomisë dhe Edukimit në UAMD u pajisën në vitin akademik 2013-2014 me kartë studenti kundrejt një tarife 300 lekë, për të cilën u lëshua edhe një faturë e thjeshtë. Karta, të cilën po e publikon Citizens Channel, përmban të dhënat personale të studentit në njërën anë, ndërsa në anën tjetër mban logon e UAMD-së dhe firmën e rektorit të asaj kohe, Mit’hat Mema.

Iniciativa e aso kohe për të pajisur studentët me kartë ishte private dhe jo shtetërore. Student Club Card, logoja që ndodhet në anën e djathtë të kartës, identifikon një iniciativë private që me një kërkim të thjeshtë në Google dhe Facebook të shfaqen dhjetëra faqe që ofrojnë shërbime me kosto të reduktuar për studentët apo mundësi punësimi part-time. Realisht, studentët e UAMD-së që u pajisën në atë kohë me kartë, nuk përfituan asnjë shërbim. Disa prej tyre, megjithëse i kanë mbaruar me kohë studimet, vazhdojnë ta ruajnë atë karton që nuk u shërbeu për asgjë.

“Nëse edhe këta do të bëjnë një kartë të ngjashme, që do zërë vend në portofol pa u përdorur asnjëherë, mos ta marrin mundimin fare ta printojnë atë. Nëse lodhen vetëm për të marrë të dhënat personale të studentëve për t’i përdorur kushedi për çfarë dhe t’u “dhurojnë” një kartë jofunksionale do të dëshmojnë edhe njëherë se “Pakti për universitetin” ishte thjesht propagandë qeveritare, ndërsa në realitet studentët duhet të gërryejnë xhepat për të shtyrë muajin. Jashtë shtetit, studentët pajisen me kartë që ditën e parë kur nisin studimet, këtu tek ne problemi tirret prej vitesh dhe të gjitha palët e përdorin thjesht për efekte elektorale”, deklaron ish-studenti i UAMD-së që na vuri në dispozicion Student Club Card të vitit 2013.

Ndërkohë, karta e studentit që po shpërndahet në fakultetet e Universitetit të Tiranës po  përdoret më së shumti nga studentët në vend të erashkës për të bërë fresk gjatë këtyre ditëve të nxehta. Vonesat e nisjes së këtij procesi edhe në Durrës dhe qytetet e tjera të vendit që kanë universitete tregon seriozitetin e qeverisë me “Paktin për universitetin”.

“Pakti për universitetin është një arnim i ligjit të arsimit të lartë, dhe si i tillë duhet anuluar. Nuk e di nëse është termi i duhur “anuluar” për diçka që nuk funksionoi kurrë”, thotë studenti Frenkli Prengaj.

Çfarë është Karta e Studentit

Pajisja e studentëve me “Kartë Studenti” është detyrim i sanksionuar ligjor, nëpërmjet të cilit, studentët kanë të drejtë të përfitojnë ulje çmimesh e shërbime falas në disa sektorë shërbimesh publike e private. Në ligjin për Arsimin e Lartë, nr. 9832, datë 12.11.2007, neni 56 fliste për 4 përcaktimet për dhënien e “Kartës së Studentit”. Megjithë premtimet e shumta në vite dhe tentativat për prodhimin e saj, studentët nuk përfituan asnjë shërbim nga kartat që filluan të shpërndaheshin në fund të mandatit të Lulzim Bashës si kryebashkiak i Tiranës (2011-2015).

Në ligjin e ri për Arsimin e Lartë, të vitit 2015, neni 100 flet pikërisht për Kartën e Studentit.

Neni 100

Karta e studentit

  1. Studentët e institucioneve publike e private të arsimit të lartë pajisen me kartën e studentit, e cila është dokument unik. Me anë të saj studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.
  2. Ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kartës së studentit.
  3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse që mbulon institucionin e arsimit të lartë ose njësive të qeverisjes vendore që mbulojnë shërbimet e ofruara ndaj studentëve.
  4. Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë e me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme.

*Redaktor – Lorin Kadiu | Citizens Channel
**Ky artikull u realizua në vazdhimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuara nga Citizens Channel.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *