Citizens.al

Protesta e qytetarëve kundra HEC-eve; “Lumenjtë do t’i mbrojmë me jetët tona”

Protesta “Jo HEC-e në lumenjtë tanë” e organizuar nga EcoAlbania u zhvillua sot tek Kryeministria. Në protestë ishin të pranishëm komunitete të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, të cilët preken nga ndërtimet  e vazhdueshme të  hidrocentraleve në zonat ku banojnë. Janë planifikuar të ndërtohen 540 hidrocentrale në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndërtime që janë hasur me kundërtime të vazhdueshme nga banorët dhe aktivistë të shoqërisë civile. Kjo protestë shënoi edhe bashkimin e qytetarëve të zonave të ndryshme të cilët refuzojnë tjetërsimin e natyrës dhe ndërtimin e HEC-eve. Datat 6-16 korrik do të shoqërohen me protesta në të gjithë Ballkanin.

Pa kalu mbi trupat tanë nuk do të merret asnjë pikë ujë, as nuk do të ndërtohet hidrocentrali” shprehet për Citizens Channel Daniel Doda, pjesëmarrës në protestë. Ai banon në fshatin Gjoçaj të Burrelit dhe ishte pjesëmarrës në protestën e rradhës kundra ndërtimeve të HEC-eve.

E pranishme gjithashtu në protestë, banore e Burrelit, Flutura Doda tregon se banorët janë kundra ndërtimeve në fshatin Gjoçaj dhe se kanë përdorur forma të ndryshme rezistence për të mbrojtur lumenjtë në Burrel.

Si t’marrin lumenjtë atje s’ka jetë, s’ka asgja. Po marrin lumin në Zall-Gjoçaj, edhe kemi ardh që të mbrojmë vendin se po morën ujin s’ka jetë atje” artikulon Flutura Doda.

Pjesëmarrësit në protestë vazhdimisht theksuan se ndërtimet rrezikojnë të shkatërrojë natyrën duke prishur ekosistemin dhe duke zhdukur shumë kafshë të egra. Ata shprehen se ndërtimet do u ndosin ujin e pijshëm, do u shterojnë burimet të cilat i përdorin për të vaditur tokat bujqësore dhe gjithashtu do ulin ndjeshëm turizmin.

Dihet që HEC-et e vogla janë një shkatërrim për ekosistemin, pa marrë pastaj parasysh zhvendosjen e popullsisë për shkak të marrjes së ujit, për prishjen e pronave etj,. Në rast se merr ujin nuk do të kenë më ujë për të vaditur, as për të pirë, bota e egër do të shkatërrohet totalisht” shprehet për  Citizens Channel Davita Arapi.

Ajo ishte përfaqësuese e komunitetit të Mirditës, të cilët prej kohësh kanë kundërshtuar planet për ndërtimet e hidrocentraleve në Mirditë. Ajo tregon se banorët e Mirditës janë informuar në kohë për dëmet që sjellin hidrocentralet dhe se shumica e tyre janë të vendosur të përdorin të gjitha mjetet ligjore për ta mbrojtur mjedisin dhe se reagimi në kohë ka ndaluar zhvillimin e punimeve në disa zona.

Komuniteti i Mirditës po reagon, sidomos zona e Kaçinarit e cila ka 4 HEC-e që po ndërtohen. Informimi i shpejtë ka bërë që banorët të reagojnë, të ngrihen dhe ende nuk kanë filluar punimet në Kaçinar”.

Në protestë të pranishëm ishin edhe aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të cilët e kanë ndjerë ndikimin e punimeve edhe në profesionet e tyre. Brisejd Lalaj ushtron profesionin e udhërrëfyesit turistik dhe tregon për Citizens Channel se hidrocentralet e ndërtuara në Luginën e Valbonës kanë dhënë ndikimet e para negative në mjedis dhe komunitet.

Lugina e Valbones ka shumë më pak ujë. Uji që dikur ishte i pijshem dhe rrjedhja ishte e fortë, tani eshte i papijshëm për banorët e Dragobisë, me shumë pak intensitet e drejt shterimit”.

Qytetarët nga zona të ndryshme të Shqipërisë, pjesëmarrës në protestë, vazhdimisht theksuan se uji për ata është jetë dhe do t’i mbrojnë me të gjitha format e tyre lumenjtë dhe ekosistemin. Ata ndanë me njëri-tjetrin historitë e rezistencës dhe fitoret e vogla dhe u shprehën të bindur se do përdorin çdo instancë ligjore dhe qytetare derisa të ndalojnë ndërtimet e hidrocentraleve në zonat ku ata banojnë.

*Citizens Channel /E.N/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *