Citizens.al

Paketa antishpifje: Sanksione dhe kontroll total i medias

Në mbledhjen e datës 3 korrik 2019, Këshilli i Ministrave ka miratuar dy projektligje për disa ndryshime në ligjin e mediave audiovizive. Dy projektligjet vijnë si mbështetëse të “paketës antishpifje” të ndërmarrë nga qeveria Rama dhe synojnë të vendosin median online nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Sipas projekligjeve, AMA, e shtrin aktivitetin e saj edhe në fushën online të mediave, si portalet, faqet në internet apo blogjet, duke ndryshuar në këtë mënyrë edhe emërtimin e saj në Autoriteti i Mediave Shqiptare (AMSH). Me ndryshimet në ligj AMA është ajo e cila mbikëqyr zbatimin e këtij ligji dhe në rast shkeljesh vendos sanksione.

Është pikërisht Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ai i cili sipas nenit 132 të projektligjeve duhet të vëzhgojnë dhe ndalojë aksesin në internet të mediave elektronike të cilat nxisin kryerjen e veprave penale, parimet etike te shkeljes së privatësisë si dhe mbrojtjen e privatësisë dhe integritetit të fëmijëve të mitur.

Në rast shkeljesh nga ana e mediave online, Këshilli i Ankesave detyron subjektet mediatike për të publikuar formulë ne ndjesës sipas formës së përcaktuar nga AMA, heq përmbajten e cila shkel të drejtat dhe vendos gjoba në përputhje me parashikimet ligjore, pezulllim i përkohshëm i licensës dhe aksesit në internet, heqje të licensës.

Sipas këtij neni, mediat janë të detyruara të publikojnë formularin e ndjesës sipas formës së përcaktuar nga AMA, si dhe të heqin përmbajtjen e cila shkel këto të drejta, por duke i dhënë të drejtë AKEP të vendosë një njoftim në formën e “pop-up” në faqet përkatëse.

Projektligji detyron çdo media online që të shqyrtojë ankesat me shkrim nga cdo qytetar i cili mendon se përmbajtja e publikuar ka prekur dinjitetin dhe reputacionin e tij. Nëse mediat online nuk kthejnë përgjigje brenda një afati prej 72 orësh, e drejta për të shqyrtuar ankesat i kalon Këshillit të Ankesave në AMA. Këshilli i Ankesave shqyrton ceshtjen dhe nëse ankesa rezulton të jetë e drejtë, i kërkon medias përkatëse të korrigjojë faktet dhe informacionet, duke korrensponduar me të njëjtën kohë me atë të publikimit të lajmit dhe 48 orë brenda marrjes së njoftimit.

Sipas projektligjit për “Mediat Audiovizive” pjesa e penalitetit ndaj mediave shoqërohet me gjoba të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 1 milion lekë, për shkelje të privatësisë dhe dinjitetit kur vendosen nga institucioni i Këshillit të Ankesave dhe një shumë prej 800 mijë lekësh për mos respektim  të vendimit të Këshillit të Ankesave.

Sipas deklaratës së Ministres se drejtësisë Etilda Gjonaj, ajo ç’ka i shtyri drejt ndryshimeve ligjore ishte pikërisht fenomeni i fake news.

“Kjo paketë synon rregullimin në disa ligje kryesore për shërbimet e medias në tërësi si dhe publikimet elektronike në vecanti. Kjo me qëllim që të garantohet transparenca dhe konkurrenca e ndershme e mediave që acarojnë, si ato elektronike dhe mediave tradicionale. Regjistrimi i portaleve i shërben transparencës mbi pronarët e mediave, shmangies së konfliktit të interesit, ndikimit të papërshtatshëm të aktorëve politikë, garantimit e pavarësisë së gazetarëve si dhe pluralizmit të medias.

Sa iu përket kundërshtimeve me këtë projektligj duke e konsideruar si censurim të fjalës së lirë ministrja Gjonaj u shpreh se : “Paketa anti-shpifje në asnjë dispozitë të saj nuk cënon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e tregut, përkundrazi i garanton ato.

Zanafilla e paketës “anti-shpifje” dhe reagimet 

Nisma e qeverisë shqiptare për ndryshime në ligjin për “Mediat Audiovizie” ka filluar më 17 dhjetor 2018, me prezantimin e dy projektligjeve të cilat synojnë të rregullojnë median në aspektin e regjistrimit dhe etikës e saj. Projektligjet kanë të bëjnë me “rregullimin” e medias online në dy aspekte: regjistrimi i çdo subjekti mediatik që funksionon online pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit nga AKEP si dhe monitorimi i përmbajtjes që shfaqet në median online nëpërmjet një organi të posaçëm të quajtur “Këshilli i Etikës” pranë Autoritetit të Medias Audiovizive.

 Dy projektligjet e qeverisë Rama:

1. “DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013 “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, ku propozohen rregullime në lidhje me etikën e medias.
2. 9918 Datë 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar” ku propozohen ndryshime për regjistrimin dhe identifikimin e mediave online.

Të parat organizata që reaguan ndaj këtij vendimi ishin Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, AIS/Open Data Albania, BIRN Albania dhe Këshilli Shqiptar i Mediave të cilat shprhën shqetësimin për kërcënimin  ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Këto organizata i janë drejtuar qeverisë shqiptare me anë të një letre të hapur, ku kritikojnë  mënyrën se si ky projektligj është hartuar, duke shpjeguar se projektligjet janë prezantuar për konsultim publik pa u shoqëruar me një relacion shpjegues mbi nevojën apo jo për ligje të tilla, pa studime të mirëfillta për gjendjen aktuale, pa identifikuar probleme të mundshme dhe pa arsyetuar nevojën e ndërhyrjes dhe masën e saj.

Letra e organizatave:

Tiranë më 27 dhjetor 2018

Organizatat nënshkruese të kësaj letre publike shprehin shqetësimin për kërcënimin ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes nga ana e dy projektligjeve të propozuara nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama dhe i bëjnë thirrje qeverisë t’i tërheqë këto projektligje menjëherë.

Projektligjet janë prezantuar për konsultim publik pa u shoqëruar me një relacion shpjegues mbi nevojën apo jo për ligje të tilla, pa studime të mirëfillta për gjendjen aktuale, pa identifikuar probleme të mundshme dhe pa arsyetuar nevojën e ndërhyrjes dhe masën e saj.

Projektligjet, të cilat synojnë të krijojnë një regjim licencimi, kontrolli, gjobitjeje dhe mbylljeje të faqeve të internetit, i japin hapësira të gjera autoriteteve të kërcënojnë me gjoba disproporcionale dhe me mbyllje mediat në internet.

Organizatat besojnë se të dyja projektligjet në formë dhe në frymë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Të Drejtën Europiane. Ato përbëjnë kufizim krejtësisht të panevojshëm të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe përmbajnë rrezikun e krijimit të një regjimi policor mbi median në internet.

Parë kjo në kuadër të gjendjes aktuale të medias në Shqipëri, me dominimin e “lajmeve” false që shpërndahen nga zyrat e shtypit dhe që prezantohen si informacione të pavarura në median konvencionale, kryesisht televizione, synimi i projektligjeve duket se është vendosja nën kontroll të plotë të informacionit në duart e qeverisë.

Nga ana tjetër, partitizmi i tejskajshëm i institucioneve që konvencionalisht janë dhe duhet të jenë të pavarura nga pushteti politik, nuk përbën aspak garanci për mbikëqyrje të pavarur dhe profesionale të medias online, siç parashikohet nga projektligjet.

Gjendja e lirisë së medias në Shqipëri sakaq është e keqe dhe në përkeqësim të vazhdueshëm. Treguesi i lirisë së medias sipas vlerësimit të Freedom House është përkeqësuar nga 3.75 pikë në vitin 2009 në 4.25 pikë më 2016 dhe aktualisht gjendet shumë pranë nivelit të lirisë së medias në vendet me regjime totalitare siç janë ato të vendeve ish-sovjetike.

Shkaku i përkeqësimit të situatës së medias nuk është tepria e lirisë por mungesa e saj.

Organizatat rikujtojnë se dy projektligjet aktuale janë tentativa e katërt në më pak se katër vjet që synon të krijojë një regjim kontrolli qeveritar mbi mediat online.

Media nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë kriteri licencimi apo mbikëqyrjeje të ndryshme nga të gjitha llojet e bizneseve të tjera.

Për sa më sipër, organizatat e mëposhtme i kërkojnë kryeministrit Edi Rama tërheqjen e menjëhershme të projektligjeve ” DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013 “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR” dhe “DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9918, DATË 19.5.2008 “PËR KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR”.

Lista e organizatave:

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

AIS/Open Data Albania

BIRN Albania

Këshilli Shqiptar i Mediave

Për këtë çeshtje reaguan edhe organizatat ndërkombëtare të cilat kanë në fokus lirinë e medias dhe gazetarët, nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Kryeministrit Rama dhe Minstres së Drejtësisë Etilda Gjonaj duke kërkuar që qeveria të tërhiqet nga kjo iniciativë.

letrën e dërguar nga Reporterët pa Kufij, Federata Europiane e GazetarëveQendra Eurapiane për Liri të Medias dhe të Shtypit dhe “Pen International thuhet se kjo iniciativë e qeverisë bie ndesh praktikave më të mira dhe rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për këto organizata.

Në letër thuhet se “Nëse projektligjet e propozuara miratohen nga parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet e do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim”.

Në përfundim të letrës organizatat ndërkombëtare kërkojnë nga qeveria shqipptare ndërprerjen e kësaj iniciative. “Ne ju kërkojmë ju të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës në çfarëdolloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët”.

Situata e medias në Shqipëri është ndjekur me kureshtje nga organizatat ndërkombëtare që punojnë në fushën e medias dhe të drejtave të njeriut. Vetëm një muaj më herët, në Tiranë u mblodhën 7 organizata ndërkombëtare , të cilat pas qëndrimit 3 ditor në Tiranë dhe takimeve me përfaqësues të medias dhe të politikës, dolën me publikimin e një raporti. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni vuri re se liria e shtypit në vend është në përkeqësim. Sulmet e fundit ndaj gazetarëve kanë mbetur të pazgjidhura dhe zyrtarë të lartë publike përdorin gjuhët që ul vlerat dhe sulmon gazetarët kritikë.

Raporti për situatën e medias në Shqipëri u ndal në disa pika kryesore si ndryshimet në legjislacion për rregullimin e medias, shpifja, siguria e gazetarëve, fushata denigruese kundrejt gazetarëve, transparenca e institucioneve dhe pronësia e mediave

Reagimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit 

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar për paketën ligjore “anti-shpifje”, nëpërmjet përfaqësueses ligjore Erinda Skëndaj, e cila ka identifikuar disa problematika thelbësore. Sipas Komitetit të Helsinkit, me anë të kësaj pakete Autoritetit të Medias i rriten kompetencat dhe përgjegjësitë në drejtim të mbikëqyrjes dhe sanksionimit të medias. Por pavarësisht kësaj nuk vërehen ndryshime në përbërjen e autoritetit dhe mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të tij. Sipas tij, AMA nuk garanton depolitizim të këtij institucioni, pavarësisht nga fakti që sipas ligjit ky institucion është i pavarur.

“AMA përbëhet nga 7 anëtarë. Përzgjedhja e 6 kandidaturave për anëtar të medias kalon me anë të komisionit parlamentar të medias, i cili mban parasysh ruajtjen e balancës, tre kandidatë të mbështetur nga shumica parlamentare, tre të mbështetur nga opozita. Pra po të shohim formulën e përzgjedhjes së kandidaturave dhe zgjedhjes së tyre në seancë plenare, ajo nuk garanton një formulë të depolitizuar për emërimin e anëtarëve të këtij institucioni. Në përfundim, zgjedhja e anëtarëve të AMAS nga Kuvendi bëhet me shumicë të thjeshtë të më shumë se gjysmës së anëtarëve të të gjithë Kuvendit të pranishëm (pra anëtarët e AMAs mund të zgjidhen edhe me 36 vota nëse janë të pranishëm minimumi i kërkuar i anëtarëve të Kuvendit, pra 71 deputetë nga 140 që ka Kuvendi). Ndërkohë që kryetari i AMAs, nga pikëpamja ligjore zgjidhet në seancë plenare me një shumicë më të lartë votash që quhet shumica absolute, por që kjo shumicë nuk është e cilësuar. Shumica absolute kërkon të paktën një minimum prej 71 votash të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.”

Sipas Komitetit, flitet edhe për Këshillin e Ankesave i cili përbëhet nga kryetari dhe 2 anëtarë, specialistë të fushës. Sipas Komitetit projektligji i propozuar nuk parashikon kriteret që duhet të përmbushë një anëtar i Këshillit.

” Ligji ekzistues dhe projektligji i propozuar nuk parashikojnë kriteret që duhet të permbushe anëtari i Këshillit, kush konsiderohet specialist i medias, kush i propozon kandidaturat për në këtë Këshill, etj. Pavarësisht nëse kjo detajohet në aktet nënligjore të AMAs, kam mendimin se mungesa e garancive të parashikuara në ligj krijon vakum ligjor dhe hapësira për subjektivizëm në përzgjedhjen e tyre. Për me tepër, vetë komuniteti i gazetarëve nuk asnjë atribut në drejtim të zgjedhjes së anëtarëve të këtij Këshilli.”

Propozimet ligjore të Komitetit Shqiptar të Helsinkit mund t’i lexoni këtu.

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *