“Mora, kam marrë dhe do të marr pjesë në marshimet për krizën klimatike sepse është një nga problemet më koherente që po has kohët e fundit Shqipëria dhe gjithë bota. Ngrohja globale vazhdon të rritet dhe çrregullimet e klimës sa vijnë e shtohen dhe për këtë jemi përgjegjës ne njerëzit”. Kështu shprehet Kosta Koçi i cili edhe këtë të premte ishte pjesë e marshimit në mbrojtje të planetit, i cili kishte pikënisjen tek sheshi “Nënë Tereza”.
Së bashku me dhjetra të rinj të tjerë, ata artikuluan kërkesat e tyre për tjetërsim të mënyrës sesi ndryshimet klimatike trajtohen dhe veprim institucional për të mos e thelluar më tej krizën, marshim i cili pati ndalesën e fundit tek sheshi “Skënderbej”.
#FridaysForFuture është një nismë ndërkombëtare, ku mijëra të rinj i dedikojnë ditën e premte nevojës urgjente për të ndërhyrë në mënyrë që temperaturat të mos pësojnë rritje të mëtejshme. Protesta e pare në Shqipëri është mbajtur me 20 shtator, si fillimi i një cikli të gjatë aktivizimi dhe reagimi kundrejt pasojave negative që do të ketë Shqipëria nëse ndryshimet klimatike nuk trajtohen.
Edhe Thunberg ka postuar në profilin e saj në Facebook protestën e lartpërmendur, protestë e cila do jetë ciklike dhe e përjavshme, në sinkron me lëvizjen botërore.
I pyetur nga Citizens Channel, Kosta Koçi liston më tej disa nga problemet që ai i konsideron tejet shqetësuese. “Betonizimi i çdo cepi të mundshëm, përdorimi shumë i madh i makinave, djegia e mbeturinave dhe hapësirat e pakta të gjelbërta”, thekson ai.
“Mendoj që kemi arritur një pikë nga e cila s’do kthehemi më në normalitet. Kemi dëmtuar tokën në një farë forme sa do jetë e vështirë dhe do dojë shumë dëshirë dhe punë për të sjellë përmirësime apo për të ndaluar rezultatet kataklizmike qe na paraprihen”, artikulon Heldis Matja, një tjetër marshues i së premtes për të ardhmen.
Disa nga shqetësimet kryesore që e përkeqësojnë natyrën dhe ekosistemin janë të shkaktuara nga vetë dora e njeriut apo institucionet, sqaron Matja për Citizens Channel. “Shpyllëzimi i pakontrolluar, në Shqipëri po zhduken pyjet, dëmtimi i natyrës me hedhjen e plehrave kudo pa pergjegjesi, uji i ndotur dhe shkaterrimi i parqeve. Pa llogaritur ndërtimin e pakontrolluara dhe sasinë e madhe të ndotjes së burimeve ujore e tokësore”, tregon ai.
“Mendoj se institucionet shqiptare s’kanë dëshirë dhe vullnet për të bërë diçka produktive apo për të respektuar marreveshjen e Parisit per klimën. E vetmja gjë që është bërë është implementimi i shkatërrimit të pyjeve dhe lumenjve për përfitime monetare që vijnë nga konçesione që ‘çuditërisht’ janë të ndërlidhur me interesat e politikanëve”, përfundon ai.
*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj