Sot është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj Xhuliana Aliajt para Gjykatës së Durrësit. Ajo është arrestuar me datë 29 nëntor nga forcat e Anti-terrorit nën akuzën “Përhapjen e informatave të rreme që ngjallin panik”. Gjykata e ka lënë të lirë 25 vjeçaren dhe ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” por e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e saj. Gjatë kësaj seance, prokurori Ardit Kullori është shprehur se mirëkupton Aliajn, pasi statusi është bërë në nxitim e sipër dhe ka mbajtur parasysh faktin që ajo është banore e Durrësit.
Të pranishëm gjatë zhvillimit të kësaj seance kanë qenë familjarët e Aliajt, aktivistë dhe qytetarë të cilët e konsiderojnë këtë arrestim rast flagrant të shkeljes së lirisë së fjalës dhe censurë të mendimit të lirë.
Fatmir Aliaj, babai i qytetares së arrestuar, është shprehur pas mbarimit të seancës se ka frikë të jetojë në Porto Romano dhe se do jetë në një kërkim të një banese të sigurt, pasi e gjithë situata të ketë përfunduar. Në një video të publikuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ai falënderon të gjithë njerëzit që i kanë qëndruar pranë dhe bën thirrje për më shumë solidaritet për qytetarët e prekur nga tërmeti, duke e larguar fokusin nga arrestimi i vajzës së tij.
“Unë kisha dopio siklet, nuk prish punë po të marrim parasysh në çfarë hallesh janë shtetasit shqiptar sot. Ju lutem vetëm harmoni, solidaritet sa të kemi mundësi. Ju jam mirënjohës edhe juve, shtypit, gazetarëve, të gjithëve“, shprehet ai pak pasi u përshëndet me avokatin.
Andi Tepelena, aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ishte i pranishëm gjatë seancës gjyqësore. Ai tregon se e ka njohur edhe më herët Xhulian falë aktivizmit të vazhdueshëm kundra betonizimit të qytetit të Durrësit dhe dëmtimit të veprave kulturore.
“Nuk e vej as pikën e dyshimit që ajo është nisur nga dëshira e mirë për t’i paraprirë një të keqeje që mund të ndodhte në Porto Romano duke qenë se është një zonë vërtetë problematike, me betonizime dhe karburante. Ka dashur t’i njoftojë miqtë e vet, shikoni, kini mendjen, kini kujdes sepse mund të ndodhë ndonjë e keqe“, vijon ai teksa nuk e konsideron shqetësimin e saj një vepër penale.
Në këndvështrimin e Tepelenës, arrestimi i Xhulianës është një mesazh dhe paralajmërim për të gjithë qytetarët të cilët janë shoqërisht të zëshëm dhe mbajnë qëndrime kritike.
“Ndaj ky është një mesazh jo vetëm për Xhulian, por për të gjithë aktivistët, për të gjithë qytetarët shqiptarë, që të mbyllin gojën e mos të bëjnë kritikë. Duhet shpëtuar fjala e lirë, duhet shpëtuar media e pakapur ende ndryshe do të shkojmë drejt një autoritarizmi shumë të fortë” , sqaron Tepelena gjatë intervistës.
Të njëjtin qëndrim ndan edhe Liri Kuçi, aktiviste e Organizatës Politike. Ajo ka ardhur për të mbështetur Xhulianën dhe për të mbrojtur fjalën e lirë.
“Jemi këtu për të mbështetur Xhulian sepse kjo që është bërë është sigurisht nën kushtet e një shteti totalitarist që kujdeset që të censurojë fjalën e lirë edhe në momente të tilla krize dhe gjendje të jashtëzakonshme ku ndodhemi“, përfundon ajo.
Media nën kërcënimet e vazhdueshme të kryeministrit
Gjatë një postimi në Twitter, kryeministri Rama ka kërcënuar sërish median. Duke marrë shembull rastin e Japonisë dhe reagimin e tyre ndaj mediave, ai i konsideron ato “taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit”. Fjalia mbyllëse e postimit në Twitter tregon se masat mund të përshkallëzohen dhe se ai mund të bëjë “atë që s’ua rrok imagjinata”.
Kjo deklaratë vjen fill pas asaj të datës 28 nëntor, ku Rama njofton se është i detyruar të ndërhyjë forcërisht për të mbyllur disa portale dhe kanale informimi të cilët përhapin panik dhe postojnë lajme të rreme.
Mbyllja dhe rihapja e domainit të JOQ
Ditën e enjte 28 Nëntor, dy nga administratorët e portalit Jeta Osh Qef (JOQ) janë arrestuar nën akuzën se kanë përhapur panik nëpërmjet postimit të lajmeve të pavërteta. Më pas, Autoritetit i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka mbyllur aksesin në faqen joqalbania.com. Brenda më pak se 24 orësh, ata e kanë zëvendësuar adresën e mbyllur me një të re, “joq-albania.com”.
Hacker-at shqiptarë sulmojnë faqen e AKEP
Pak ditë pas kësaj ngjarje adresa zyrtare e AKEP është sulmuar nga grupi shqiptar i hacker-ave i quajtur Anonymos Albania. Nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në facebook, grupimi anonim shqiptar ka marrë autorësinë e këtij sulmi, ndërkohë që faqja e AKEP vijon të jetë e pa aksesueshme.
Reagojnë organizatat e medias
Për të gjitha rastet e mësipërme, Këshillimi Shqiptar i Medias (KSHM) ka reaguar duke e konsideruar mbyllja e portalit Jeta Osh Qef si të paligjshëm pasi ligji “Për mbrojtjen civile” i referohet vetëm televizioneve dhe radios, po jo portaleve online. Ata kundërshtojnë dhe arrestimin e Xhuliana Aliaj dhe sugjerojnë përcjelljen e situatës me transparencë dhe informim serioz, në mënyrë që të shmanget paniku dhe të qetësohet publiku.
Edhe Unioni Gazetarëve të Medias i është bashkuar shqetësimit rreth rritjes së censurës. Deklarata e tyre fillon duke shprehur shqetësimin rreth shenjave paralajmëruese për censurë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Unioni kërkon që autoritetet e qeverisë të tregojnë maturi dhe respekt ndaj mediave si dhe inkurajojnë shumë më tepër nismat vetërregulluese të gazetarëve.
*Citizens Channel/ E.N