Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“E kanë me ne që ngritëm krye”, shkon në katër numri i minatorëve të pushuar nga puna në Bulqizë

Mungesa pa arsye dhe braktisje të vendit të punës, pa shkaqe të arsyeshme dhe pa njoftuar për më shumë se 7 ditë”, është motivacioni i heqjes nga puna që shoqëron vendimin drejtuar minatorit Ali Gjeta.

Pas Elton Debreshi, Beqir Duriçi, dhe Behar Gjimi, Aliu është i katërti minator që pushohet nga puna brenda një muaji nga Kompania Albchrome me motivacione të njëjta, si ai i mungesave në punë gjatë kohës së grevës.


“Morëm paralajmërim ngaqë ishim në protestë, edhe i kanë quajtur ditë mangët, për 7 ditë që ne kemi qenë në protestë, dhe arsyeja tjetër është largim nga puna , d.m.th. e kam lënë punën bosh, kam ik nga vendi i punës”, shprehet Aliu në një intervistë për Citizens Channel.

Sipas tij, arsyeja e largimit të punës është e njëjtë si ajo e shokëve të tij, angazhimi në Sindikatën e Bashkuar të Bulqizës.

“Unë jam anëtar i Këshillit të sindikatës së re. Normal që e prisja se edhe shokët e mi, kështu i përjashtuan”.

Ai shpjegon se përpara largimit është thërritur në zyrat e kompanisë në Tiranë për të justifikuar pse ka marrë mungesa.

Kam qenë dy javë para, të premten e kaluar, isha në Tiranë edhe e pashë unë, e kisha të qartë ca do ndodhte. Po, pse ke marrë mungesa, a ke ndonjë justifikim . Po thashë kjo nuk vjen për këtë gjë, se thashë unë kam bërë mungesa edhe herë të tjera, muaj të tjerë edhe s’më ka ardh gjë, ju thashë e bëni këtë vetëm për sindikatën

Pas periudhës së protestës, njësoj si me miqtë e tij është përdorur e njëjta metodë, ajo e transferimit nga një pozicion në një tjetër brenda minierës, e cila shoqërohet edhe me ulje te pagës.

“Vetëm një muaj më kanë lëvizur dy herë. Nga niveli i 16-të më kanë nxjerrë në Qafë të Buallit dhe nga Qafa e buallit, më nxorën prapë jashtë. Edhe nga jashtë pastaj me çuan letër që je i pushuar nga puna. E njëjta punë është, vetëm se të ndryshon paga. Humb 17 mijë lek në ditë”.

Si Aliu, janë thërritur nga kompania edhe më shumë se 20 minatorë të tjerë, të cilët kanë marrë paralajmërime. Sipas tij, edhe ata i pret i njëjti fund, pushimi nga puna.

“Mendoj që 24-25 veta nga ne njëherë e sigurtë që do largohen. Unë jam i katërti që jam heq nga puna edhe do të ketë edhe të tjerë. Të gjithë të keqen e kanë me ne, që thonë ti heqim ne këto që ngrejnë kokë…”

Në Bulqizë mundësitë për punë janë të pakta. Të vetmet pozicione ku mund të punësohesh është policia ose miniera, shprehen banorët gjatë bashkëbisedimeve me ta.

Aliu është i vetmi që punon në familjen e tij, e cila përbëhet nga 6 anëtarë. Ai ka 6 vite që punon në minierë , ndërsa tashmë në prag të ndërrimit të viteve, duhet të mendojë se ç’procese gjyqësore duhet të ndjekë për t’u kthyer në pozicionin e tij të punës.

Do ta ndjekim deri ne fund..”, përfundon ai fjalën, teksa pyetet nëse do të ketë ankimim në Inspektoratin e Punës apo me tej.

Vazhdon mbështetja ndaj Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Për largimin nga puna të minatorëve në Bulqizë, drejtori i Institutit Global të Punës, Dan Gallin,me një letër të drejtuar kompanisë Albchrome , shprehet se me këto veprime kompania është pozicionuar qartazi jashtë ligjshmërisë së pranuar në rang ndërkombëtar.


Sindikata e Re e Korporatës Energjitike të Kosovës me anë të një komunikate ka deklaruar  mbështetje për SIndikatën e re.

“Jam shumë i bindur se me unitetin tuaj si minatorë në bashkëveprim sindikal, një për gjithë e gjithë për një do ja dilni dhe do ti dëboni të gjitha shkeljet, padrejtësit si dhe do realizoni kërkesat tuaja”.


Ndërkohë, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u ka dërguar një letër përfasqësuesve diplomatikë në vend, duke i informuar ata për të gjitha zhvillimet që po ndodhin mes Sindikatës dhe kompanisë Albchrome.

*Citizens Channel/ Erisa Kryeziu

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *