Autore: Irma Gjinaj, Suela Lala
Në këtë situatë të pazakontë në të cilën u gjend papritur pjesa më e madhe e planetit po ashtu edhe Shqipëria, gjithsecili nga ne është i shqetësuar për jetën dhe shëndetin. Komuniteti i personave me aftësi të kufizuar që përbën mbi 15% të popullsisë botërore sipas OBSH-së dhe 6.2 % tё popullsisë shqiptare ose rreth 184,987 shqiptarë, duket si i lёnë nё harresë.
Kufizimi i lirisё, me të cilën popullsia botërore po përballet në këto ditë të COVID-19, është një fenomen me të cilin personat me aftësi të kufizuar janë të detyruar të jetojnё gjatë gjithë jetës së tyre, për shkak të barrierave me të cilat i përball shoqëria. Kjo situatë emergjente e COVID-19 e ka vёshtirёsuar akoma mё tepёr jetёn e personave me aftësi të kufizuar. Ata janë tё ekspozuar ndaj njё rreziku mё tё madh krahasuar me pjesёn dёrrmuese tё popullsisё, për këto arsye:
Personat me aftësi të kufizuar e kanë më të vështirë se të tjerët distancimin fizik për shkak se ata kanë nevojë për mbështetjen e ndihmësve personal dhe familjarëve për të kryer aktivitetet e jetës së përditshme si larja, të ushqyerit, lëvizja etj. Kjo gjë i vendos ata në një rrezik më të lartë infektimi ndaj COVID-19.
Aftësia e kufizuar shpesh shoqërohet me problematika shëndetësore të thella çka i bën ata më të rrezikuar ndaj COVID-19.
Personat me aftësi të kufizuar në dëgjim, shikim dhe ato me aftësi të kufizuar intelektuale kanë nevojë për informacion të përshtatur pikërisht në këto ditë ku informacioni ka vlerë jetike.
Varfëria dhe aftësia e kufizuar janë të ndërlidhura dhe në një situatë ku pagesa e aftësisë së kufizuar është e vogël dhe familjarët e tyre kanë humbur punën, mbijetesa bëhet edhe më e vështirë.
Neni 11 i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me aftёsi të kufizuar, të cilёn shteti shqiptar e ka ratifikuar që në dhjetor të vitit 2012, përcakton detyrimin e shteteve palë, që në rastet e situatave emergjente të marrin masa për mbrojtjen dhe sigurinë e personave me aftësi të kufizuar.
Por a janë marrë parasysh nevojat dhe vështirësitë e komunitetit të personave me aftësi të kufizuar nga pushteti qendror, ai vendor apo nga institucionet përkatëse?
Ja disa të dhëna të cilat tregojnë që vëmendja ndaj personave me aftёsi të kufizuar në kёto ditë të COVID-19, lë për të dëshiruar:
Në asnjë nga informacionet zyrtare të shpërndara nuk përmendet grupi i personave me aftësi të kufizuar si një grup shumë i rrezikuar. Infektimi prej COVID-19 mund të jetë fatal për shumë prej personave me aftёsi të kufizuar të cilët kanë probleme me organet e frymëmarrjes dhe imunitetet tё ulët si pasojё e situatës së tyre shëndetёsore. Ata duhet të sigurohen që jeta e tyre është prioritet ashtu si ajo e gjithë popullsisë duke marrë parasysh dhe duke adaptuar masat ndihmëse po ashtu dhe ato shtrënguese bazuar në situatën e tyre të veçantë.
Në informacionin që shpërndahet për rastet e vdekjeve me COVID-19 në Shqipëri i vihet theksi i veçantë faktit se personat që kanë ndërruar jetë janë persona të cilët kanë patur edhe sëmundje bashkëshoqëruese. Kjo qasje diskriminuese dhe jo etike vendos jetët e njerëzve në një peshore ku dikush vlen më shumë e dikush vlen më pak.
Në buletinin informativ të përditshëm,në njoftimet zyrtare mbi masat shtrënguese dhe mbështetjen financiare për grupet më në nevojë, informacioni në gjuhën e shenjave për personat që nuk dëgjojnë ka nisur të zbatohet vetëm prej 3 ditësh.
Aksesi nё shërbimin shёndetёsor për personat me aftësi të kufizuar në situatën e emergjencës bëhet akoma me i vështire. Ata janë të detyruar të mos e marrin këtë shërbim kaq të rëndesishëm për ta për shkak të rrezikut të infektimit nga COVID-19, përkrah po ashtu pengesave arkitektonike ekzistuese.
Nё mbarë botёn, pandemia COVID-19 po vё nё pah akoma mё shumё pabarazitё shoqёrore duke lёnё mё tё ekspozuar grupet mё tё brishta tё shoqerisё. Edhe nё vendin tonë, duket qartё qё personat me aftёsi tё kufizuar nuk janё pёrfshirё nё planin e masave tё marra nga shteti shqiptar pёr pёrballjen e situatёs emergjente tё COVID-19.
Autoret Irma Gjinaj dhe Suela Lala janë përfaqësuese të fondacionit “Së Bashku”, një organizatë e themeluar dhe drejtuar nga persona me aftësi të kufizuar që ka mision promovimin e të drejtave të PAK në nivel kombëtar dhe lokal.
Drejtor Ekzekutiv
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës dhe një sërë trajnimesh mbi gazetarinë inovative dhe menaxhimin e medias në rajon, BE dhe SHBA. Veç eksperiencës 10-vjeçare si gazetar, kryeredaktor dhe producent i podcasteve dhe dokumentarëve, ai është angazhuar si konsulent dhe trajnues i metodave inovative të gazetarisë dhe edukimit mediatik me organizata vendase dhe ndërkombëtare si Thomson Foundation, IREX World, OSCE, EULEX dhe CRD . Prej vitit 2018 është drejtor ekzekutiv i Citizens.al ku udhëheq punën editoriale dhe strategjike të medias.