Periudha e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ka përqëndruar problemet e qytetarëve në gjendjen e tyre ekonomike të vështirë. Çështje si edukimi i fëmijëve, frika e zgjatjes së masave shtrënguese e deri te rreziku i prekjes me COVID-19 janë disa nga shqetësimet kryesore.
Këto të dhëna janë si rezultat i një anketimi të kryer nga Terres des Hommes në qytetin e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Fierit, Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës. 779 persona të anketuar, prej të cilëve 53.6% janë fëmijë dhe të rinj dhe 46.4% mbi moshën 25 vjeç, janë shprehur të shqetësuar për të ardhmen e tyre.
Sipas shifrave të bëra publike nga anketimi, 4 nga 5 të rriturit e pyetur, janë të papunë dhe 22% prej tyre kanë humbur punën për shkak të pandemisë. Ndërsa vetëm 2 nga 10 të anketuar kanë deklaruar se vazhdojnë të kenë të ardhura të rregullta mujore.
Pamundësia për të siguruar bazën ushqimore për familjen si pasojë e mungesës së të ardhurave ka sjellë sfida psikologjike për 96% të personave të pyetur nga Terres des hommes.
“Që të jem i sinqertë, kjo situatë na ka bllokuar komplet. Menduam se filluam të stabilizoheshim, por situata ekonomike në familjen tonë është përkeqësuar sërish sesa tani edhe une edhe djali jemi pa punë. Që nga 11 marsi kam punuar vetëm 10-11 ditë sepse tek kompania ku punoj une nuk ka më kërkesa. Edhe djali punonte si banakier deri para koronavirusit, por që kur u mbyllën lokalet nuk ka punuar fare”,- është shprehur një nga përfituesit e shërbimeve në Qendrën Komunitare të Lezhës.
Një çeshtje me rëndesi e rezultateve të nxjerra nga pyetësori është edhe arsimi. Sipas të dhënave, 69% e fëmijëve kanë mundësi ta ndjekin mësimin në mënyrë sporadike, duke siguruar internetin nga rimbushja e telefonave ose nga përdorimi i internetit të fqinjëve. Ndërsa 16% e fëmijëve ose 418 fëmijë nuk kanë mundësi për të ndjekur mësimet online, pasi nuk kanë asnjë formë aksesi në internet.
Edhe pse 80% e të anketuarve mendojnë se masat e marra si reagim ndaj COVID-19 ishin të duhurat, ata tregojnë një shkallë të ulët besimi në Sistemin e Shërbimit Social dhe Ndihmës Ekonomike.
Referuar gjetjeve të pyetësorit, Terres des Hommes me anë të një komunikimi publik liston disa rekomandime për insitucionet përgjegjëse për rimëkëmbjen e grupeve shoqërore në nevojë:
- Hartimin e strategjive afatshkurtër dhe afatgjatë për rimëkëmbjen ekonomike të grupeve shoqërore në nevojë, për menaxhimin e vështirësive financiare dhe puënësimit në periudhën e tranzicionit të hapjes graduale e më tej;
- Hartimin e një strategjie për minimizimin e dëmeve të shëndetit mendor të personave vulnerabël dhe të menaxhimit me rigorozitet të efekteve afatgjata që pritet të vijnë më pas;
- Fokusimin e thirrjeve për aplikime të Fondit Social për Bashkitë, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tek ndërhyrjet për rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë me fokus të veçantë grupet vulnerabël;
- Ofrimin e mbështetjes pas-shkollore dhe programeve të shkollave verore nga ana e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit, për të rikuperuar mësimet për fëmijët dhe të rinjtë që kanë pasur vështirësi në ndjekjen e procesit mësimor online;
- Mundësimin me akses në internet apo mundësi komunikimi dhe informimi për grupet në nevojë, në situatën e fatkeqësisë natyrore dhe emergjencës civile;
- Ngritjen e kapaciteteve të Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve në menaxhimin e rasteve të abuzimit dhe dhunës në familje, të cilat kanë nevojë për një ndjekje të vazhdueshme dhe proactive.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).