Shtatë ditë pas rifillimit të transportit publik, operatorët bëjnë me dije se mund të rimbyllen sërish, pasi janë drejt falimentimit.
Përfaqësuesit e shoqatave të transportit shprehen se ka një reduktim të pasagjerëve, ndërkohë që asnjë nga katër kërkesat që kanë karakter ekonomik, drejtuar Qeverisë Shqiptare, nuk janë plotësuar.
- Heqjen e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit nga shoqëritë e transportit publik
- Zbritjen e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e turizmit 6%
- Rimbursimin e kapacitetit të munguar si arsye e protokollit të sigurisë
- Rimbursimin e kategorive, të cilat përfitojnë shërbimin falas në burim, në respekt të ligjit nr.37, datë 10.04.2014
“Qarkullon maksimalisht 30% e numrit që qarkullonte dikur. Fitimi jonë nuk do të thotë se ishte 70% dhe jemi zero më zero – tani jemi duke gjeneruar humbje“, tha për Citizens Channel Rixhin Qosja, kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, i cili bën me dije se po operojnë me staf dhe mjete të reduktuara.
Vendimi për të rihapur shërbimin pas katër muajsh pezullim, tregon Qosja, erdhi pasi u premtua se kërkesat do të plotësoheshin dhe u ndryshua protokolli i sigurisë, ku përgjegjësia e mosmbajtjes së maskës dhe distancës fizike binte mbi përdoruesin e transportit.
“Nga këto katër kërkesa nuk është plotësuar asnjëra prej atyre por ne rinisëm sepse ndryshoi protokolli i sigurisë. Dolëm në punë me premtimin që do ju mbështesim për të plotësuar kërkesat. Për sa kohë nuk plotësohen ne jemi në vështirësi financiare“.
Para se transporti publik të hapej, operatorët organizuan disa protesta, ku theksohej plotësimi i katër kërkesave, si kusht për të rifilluar punën. Këto protesta janë shoqëruar me disa procedime penale për “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh në datën 17 qershor, në të njëjtën ditë kur u proceduan penalisht 7 nga protestuesit e transportit publik, se qeveria ka ndërmarrë dy veprime lehtësuese për këtë sektor.
- Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit;
- Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.
Qosja shpjegon se lehtësimet e mësipërme nuk ndikojnë në situatën aktuale të transportit.
“Ato që ministria deklaron se i ka bërë, janë kërkesa që ne i kemi bërë prej vitesh, nuk kanë impakt fare në lehtësimin e situatës që ne jemi. Ndikimi është 1% në të gjithë situatën tonë“.
Të punësuarit këtë sektor kanë përfituar vetëm nga paketa e dytë ekonomike, 40.000 lekë që mbulon periudhën 12 mars – 6 korrik 2020. Qosja njofton se mbyllja e transportit do të vijë në momentin që nuk do të kenë më lekë për të mbuluar koston e karburantit.
“Në momentin që nuk është e mundur më të paguhet karburanti do të thotë që ose është faliment ose do të mbyllet deri kur të gjendet zgjidhja“, përfundon ai.
Transporti ndërqytetas, edhe ai drejt mbylljes
“Situata është shumë e keqe. Të gjithë linjat ndërqytetëse janë me humbje, që nga momenti që kanë dalë numri i udhëtarëve është i ulët“, rrëfen Eneo Sulejmanaj, kryetar i Shoqatës Ndërqytetëse dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve.
“Në transportin qytetas dhe ndërqytetës përllogaritet që numri i punonjësve të jetë diku te 20.000, duke përfshirë të gjithë punonjësit e sektorit, lavazhierët dhe mekanikët. Aktualisht, mund të them se 1/3 e punonjësve e kanë humbur vendin e punës“.
Kundrejt faktit që po punojnë me më pak mjete dhe me orare të zgjatura, sërish automjetet mbeten bosh, thotë Sulejmanaj. Kjo edhe sepse qytetarët po i drejtohen mjeteve joformale.
“Ne po punojmë edhe me 1/3 e mjeteve. Ne kemi oraret çdo 30 minuta, nuk ka kapacitet të mbushën këto mjete edhe në masën 50-70%, sa na lejohet. Detyrohemi që dy orare të bashkohen“.
Ministrja e Shëndtësisë Ogerta Manastirliu e ka konsideruar transportin publik si një hapësirë me rrezikshmëri të lartë dhe ka apeluar që të respektohen masat nga qytetarët, ndërkohë që ende nuk ka pasur asnjë reagim nga kryetari i Bashkisë Tiranë për pakënaqësitë e operatorëve.
https://www.facebook.com/watch/?v=205006077518857
Mbyllja e transportit i detyron qytetarët të levizin në këmbë gjatë stinës së verës
Eljesa Kushta kujton si çdo ditë i duhej të bënte 10 kilometra në ditë për shkuar në punë, teksa transporti publik nuk ishte hapur ende.
“Kisha shumë lodhje fizike pasi isha i detyruar që distancën e rrugës nga shtëpia në punë, ta bëja në këmbë. Bëhet fjalë të ecje mbi 10 kilometra rrugë në ditë“, kujton Kushta.
Ai informon se tashmë, disa ditë pas hapjes së transportit, ka një rënie të përdoruesve në dy linjat që ai ndërron çdo ditë, linja e Vorës dhe e Vilave Gjermane.
Rimbyllja e transportit do i ndikonte negativisht Kushtës, pasi do jetë sërish i detyruar të bëjë 10 kilometra në këmbë në temperatura shumë të larta.