Citizens.al

COVID-19; Mbyllen lokalet e natës dhe ndalohet muzika; Artistët paralajmërojnë peticion dhe protestë

Një tjetër vendim është komunikuar sot nga Ministria e Shëndetësisë në kuadër të “luftës” kundër koronavirusit. Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e detyrueshme të maskave në ambientet e mbyllura, u miratua sot akti normativ për ndalimin e muzikës pas orës 20.00. Veç muzikës në aktin normativ do të ndalojë “hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.”

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se këto ambiente janë shndërruar në vendgrumbullime të rinjsh ku injorohet zbatimi i masave, duke u kthyer në vatra potenciale të infeksionit.

“Të rinjtë dhe personat që frekuentojnë këto mjedise, në kushte të papranueshme për një kohë pandemie, bëhen kështu  bartës të virusit, në dëm të të afërmve dhe më të moshuarve”, citoi ajo duke vijuar me prezantimin e aktit të ri normativ.

“Shteti na ka braktisur”  – Artistët paralajmërojnë protestë

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i disa prej artistëve dhe muzikantëve të cilët kanë kërkuar firmosjen e një peticioni, i cili kërkon nga qeveria një mënyrë mbijetese për këtë target grup që penalizohet nga akti i miratuar. Ata janë shprehur se nëse do të ketë protesta do të lajmërohet ora dhe data në mënyrë që të kenë edhe mbështetje qyetatare.

Ironik ka qene edhe reagimi i këngëtarit të mirënjohur Elton Deda ndaj kufizimit të fundit te qeverisë në cënim të aktivitetit të artistëve e jo vetëm.

Akti normativ; kufizimet dhe masat administrative ndaj lokaleve të natës:

– Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë njëvjeçare.

– Ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtëmujore.

Nuk është hera e parë që artistët i kërkojnë qeverisë një mënyrë kompensimi për kostot financiare të tyre si pasojë e mbylljes nga Covid 19. Edhe gjatë izolimit artistë të disiplinave të ndryshme si teatër, film, artet pamore etj i dërguan një letër të hapur kryeministrit Edi Rama për t’i përfshirë edhe ato në paketat e ndihmës ekonomike.

Ky kufizim vjen vetëm pak ditë pas një serie koncertesh dhe aktivitetesh masive publike nga institucione publike si Bashkia e Tiranës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *