Citizens.al

Ndërtimi i një hidrocentrali tjetër në Madhesh të Matit ngre në këmbë banorët

Në Mat pritet të ndërtohet një tjetër hidrocentral, i quajtur “HEC-i Madhesh“. Me qëllim shfrytëzimin e burimeve ujore për energji elektrike, hidrocentrali do të fusë në tuba rrjedhën e Lunresë, në Madhesh, qarku Dibër.

Kjo ka shqetësuar banorët e kësaj zonë, të cilët jetojnë me këtë ujë. Ata janë mbledhur dje për të diskutuar si mund të ndalohet tjetërsimi dhe devijimi i një tjetër rrjedhe natyrore.

Ky lum vjen prej Gurrës së Skënderbegut dhe derdhet në liqenin e Shkopetit. Ai është projektuar të futet i gjithi në tubacione, duke mos lënë asnjë pikë për vaditje të tokave, me arsyetimin se nuk ka kërkesa për ujitje në këtë zonë.

Uji që do të lihet për vaditje nuk ka sepse nuk ka kërkesa për vaditje në ketë zone“, thuhet në dokumentin  jo teknik për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të këtij hidrocentrali.

Projekti do të zhvillohet nga subjekti privat i quajtur “A.R.M-Albania sh.p.k”, me administrator Fatos Malaj,  vëllai i kryetarit të bashkisë Mat, Agron Malaj.

Kryetari i Bashkisë së Matit ka shprehur dakordësinë në bërjën e këtij hidrocentrali në lumin e Lunresë, Njësia Administrative Ulëz.

Ndërtimi i hidrocentralit alarmon banorët

Banorët e Madheshit ngrenë shqetësimin se finalizmi i një hidrocentrali tjetër do t’i detyrojë banorët e mbetur të shpërngulen nga vendi i lindjes.

Nuk ka vu dorë kush, me vu një xhade, me gjallëru vendin, edhe fshati është i detyrum me ik. Ne që s’kemi nga shkojmë këtu, me ardh me na marrë edhe ujin… na marrin edhe shpirtin“, thotë një banor gjatë takimit.

Prend Gjini është larguar nga vendlindja, por tregon se tokën që ai ka në zotërim në këtë zonë e ka mbjellë me pemë frutore, për të cilat ai vazhdimisht kujdeset. Në planet e tij të afërta është edhe rikthimi në Madhesh, për të jetuar sërish atje.

Prend Gjini

Kam investu këtu, atë tokën time e kam mbjell. Kam mbjell pemë. Po s’pata ujë, ça i dua ato pemë?! Kam plan të vij e të jetoj më vonë, por si të merret uji… ku të jetoj?”, artikulon për Citizens Channel Gjini.

Qytetarët e njësisë administrative Ulëz kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit “Madhesh”, pasi janë të vetëdijesuar për ndikimin që do të ketë në natyrë sepse HEC-i paraardhës, i ndërtuar së fundmi po në këtë zonë, ka tharë një pjesë të fshatit.

Ata i referohen hidrocentralit të quajtur “Gurra“, i përfunduar dhe i vënë në punë, ndërtuar nga shoqëria “Ulëza Ndërtim sh.p.k”. Pavarësisht se kanë zhvilluar disa protesta, zëri i komunitetit nuk është marrë parasysh.

Ne kundërshtum edhe hidrocentralin tjetër. Jemi ngrit 20 herë. Në fund të fundit, e bani hidrocentralin e s’pyti askand. Sepse shteti është i kap për gryke nga horrat, nga robt e korruptum. Ata vendosin“, thotë një tjetër banor gjatë mbledhjes.

Pikëpyetjet ligjore

Duke iu kthyer projektit të HEC-it “Madhesh”, në dokumentacionet shoqëruese, firma private ka paraqitur disa fotografi si dëshmi që është përfshirë komuniteti në konsultime për bërjen e hidrocentraleve.

Së bashku me administratorin Fatos Malaj, 15 individë kanë firmosur për ndërtimin e këtij HEC-i.

Sipas vetë banorëve, konsultimet janë kryer me punëtorë të Bashkisë Mat por jo me komunitetin, duke i quajtur joligjore dhe të pavlefshme ato dëgjesa.

Ne nuk jena pyt e nuk dimë gja se ça do bahet. Asnjë i farefisit tim s’asht pyet a do të bajmë një hidrocentral. As këto kushërinjtë e mi, se ne jemi të gjithë të njëri-tjetrit këtu. Ne s’na ka diktu njeri projekt këtu. S’na e ka prezantu njeri“, tregon më tej Gjini.

Komuniteti i Madheshit i është drejtuar me një letër disa institucioneve shtetërore, ku kanë artikuluar se janë vënë në dijeni për ndërtimin e këtij HEC-i nga burime joformale dhe se vetë komuniteti nuk është përfshirë në konsultime.

Ata kanë artikuluar shqetësimin e tyre rreth ndikimit që do të ketë një hidrocentral i radhës në këtë zonë dhe kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk ndërhyhet institucionalisht.

Ky dokument është nënshkruar nga 84 e qytetarë të Madheshit.

“E kanë ba vazhdë këtë punë që vinë e fusin durt e vinë na marrin ujin, na marrin gjithë pasuritë tona“, vijëzon Prend Gjini.

Një tjetër shqetësim i adresuar nga qytetarët e Madheshit është se firma po kryen punime në një zonë të mbrojtur. Liqeni i Ulzës është shpallur në vitin 2013 Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror, i kategorisë së IV.

Sipas dokumentacionit të hartuar nga firma ndërtuese, parku natyror nuk do të preket por linja elektrike do të kalojë në zonën e mbrojtur të liqenit të Ulëzës.

Këtu asht dora e shtetit, nuk asht puna se po e ban një individ. E shpall zonë turistiuke, zonë të mbrojtur… e mbron për vete, nuk e mbron për popullin“, shprehet Prend Gjini.

Ish-Kryeplaku i fshatit, Gjergj Gjegji rrëfen se të dyja hidrocentralet, ai i Gurrës tashmë i përfunduar dhe tjetri që pritet të kryhet, po bëhen në kurriz të banorëve që e kanë ujin burim parësor për të pirë, për bagëtitë dhe për të vaditur tokat.

Gjergj Gjegji

Kanë marrë ujë të pijshëm dhe e kanë fut në tuba. Kanë pas vadit me atë ujë. Ujin atje e morën. Tashi dun me marrë edhe këtë pjesën tjetër që ka ngel ketëj. Fshati Madhesh është i vdekur“, pohon ai për Citizens Channel.

Unë bagëtinë për vete, i kam një dy-tre dhi, unë i vlerësoj afërsisht baras me njerëzit. Këta na vlerësojnë poshtë bagëtive, popullin në përgjithësi“, përmbyll Gjegji.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW