Autor: Armand Braho, Desara Gashi* | Citizens Channel
Një ndër sfidat më të mëdha të medias sot është ofrimi i informacionit brenda kornizave etike të gazetarisë. Opinioni publik të cilit i serviret informacioni është gjykatësi më i ashpër. Në një anketë të realizuar online në funksion të këtij publikimi, 90% e 120 qytetarëve të pyetur tregojnë se kanë ndeshur janë ndeshur të paktën dy herë me shkelje të etikës nga mediat që ata ndjekin.
Në një vëzhgim në faqet e para online të katër mediave (Top Channel, Balkan Web, News Bomb dhe Korça Report), vihen re disa tipologji të shkeljeve të etikës.
Raportimi i medias për të miturit viktima të abuzimit
Raportimi i për të miturit shpesh krijon hapësirë për debat mënyrën si duhet raportuar në këto raste. Kjo kronikë e realizuar nga televizioni Top Channel, mbi një rast të shfrytëzimit të të miturve, ekspozon një sërë elementesh që e bëjnë të lehtë identifikimin e banesës dhe rrjedhimisht viktimës.
Dorian Leka, pedagog dhe drejtues i gazetës “Letër e hapur”, thekson disa nga shkeljet e kryera referuar Kodit Etik të Gazetarit: “Identifikimi i fëmijës (në rastin tonë të miturës) duhet shmangur në çdo raportim, botim, transmetim që të të çon direkt apo indirekt në identifikimin e gjeneraliteteve pamor/visual, fonik, adresë apo për shkrues së çdo fëmije që mund/ose është përfshirë në një ngjarje të rëndë”
Nga ana tjetër Leka shton: “Në shkeljet e përcaktimeve etike dhe ligjore të lartpërmendura, vlerësoj se intimidohet e mitura, familja dhe vetë institucioni mediatik, duke dëmtuar drejtpërdrejt të miturën, familjen; duke dëmtuar procesin e hetimit të ngjarjes, në mosrespektim as të parimit të prezumimit të pafajësisë për rastin, përderisa deri në kohën e publikimit të artikullit nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë.”
Sipas pedagogut Leka, rekomandohet që në raste të tilla të përdoren mekanizma fshehës së identitetit si ndryshues zëri dhe nuk duhet të ishin përdorur pamje nga oborri i viktimës, gjë kjo e cila do të mbante anonimatin e adoleshentes dhe familjes së saj.
Ekspozimi i viktimës dhe titujt tendenciozë për rritjen e klikimeve
“FOTO/ Krim apo vetëvrasje? Ja adoleshentja shqiptare që ra nga kishe në Greqi, dëshmia e motrës zbulon lidhjen e saj me policin 11 vite më të madh”, ky është titulli që shoqëron lajmin për humbjen e jetës së një vajze shqiptare në shtetin grek.
“Titujt bombastikë vendosen për të tërhequr audiencën, por në rastin konkret nuk është etike, sepse së pari nuk janë specifikuar arsyet e vdekjes së të miturës, si edhe nga titulli ngrihen aludime për një ‘krim’ që ta ketë kryer dikush, ose ‘vetëvrasje’ një akt që mund ta ketë ndërmarrë vetë e mitura, por duke përjashtuar mundësitë e incidentit, sëmundjeve ose situatat aksidentale”, sqaron Dorian Leka
Nëse shohim këto informacione, të përdorura edhe pse në brendësinë e tyre mund të ketë të vërteta mënyra se si i janë “servirur” lexuesve, krijojnë një perceptim jo të saktë që në titull, për ngjarjen e ndodhur realisht. Nga ana tjetër informacioni në fjalë në pjesën më të madhe është bazuar në vetëm deklarime të njëanshme, gjë e cila nuk jep versionin përfundimtar të ngjarjes.
“Roli i medies në këtë rast duhet të jetë për të in formuar publikun, jo për të ngjallur kureshtje dhe të krijojë konfuzitet në publik, kur ende nuk ka një publikim nga institucionet përgjegjëse,”- përfundon Leka.
Gjuha dhe drejtshkrimi, shkelje e shpeshtë e etikës në mediat elektronike
Një ndër shkeljet më të përhapura, shpesh në mënyrë të paqëllimshme në artikujt gazetaresk është shkelja e rregullave të gjuhës shqipe.
Ilir Shyta, kryeredaktor i televizionit SOT7, tregon se referuar Kodit Etik të Gazetarit, edhe gabimet në të shkruar konsiderohen shkelje, si në rastin e këtij artikulli të medias online Korça Report.
Çështja e fundit e këtij kodi, nr. 18, është gjuha “Gjuha Shqipe”. Aty thuhet shprehimisht: “Gazetarët duhet të respektojnë dhe t’u përmbahen me kujdes rregullave të gjuhës shqipe…”, thekson gazetari Ilir Shyta.
Informacioni çorientues si shkelje e etikës në gazetari
Një tjetër kategori shkeljesh e hasur shpesh është çorientimi i publikut nëpërmjet lajmit. Kjo ndodh kur në vend të fakteve apo burimeve zyrtare, paraqiten vetëm indicie ose hamendësime të vetë gazetarit.
Veç çorientimit, në artikullin më sipër haset dhe një tjetër shkelje etike, e rrallë në llojin e saj: ndryshimi i artikullit, ndërkohë që ky veprim le gjurmë, pa pasur një sqarim mbi atë ndryshim.
Në analizën e drejtorit të gazetës “Letër e Hapur”, Dorian Leka thuhet: “Në artikull, gjykoj se gazetari duhet të kishte pasqyruar detaje më të plota, psh. në rastin e përjashtimit të pistës që mund të ishte shkaktuar nga personat që punonjësit e policisë kishin shkuar për të shuar një sherr familjar mes një çifti që kishin grindje për kujdestarinë e fëmijës. Kur ndodhi sulmi ndaj policisë u mendua se kishte lidhje me këtë ngjarje, por jo. Duke presupozuar që është kryer hetimi dhe ka ekzistuar një alibi që përjashton implikimin e tyre. Duke kapërcyer më pas në një operacion tjetër në ndjekje, sërish para se të ndodhte sulmi ndaj tyre, për të cilët sërish nuk është thënë nëse personat kanë rezultuar të pajisur me sende të palejuara apo nuk ishin përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar”.
Ndërsa për pjesën e editimit të informacionit, Leka, theksonse duhet saktësuar arsyeja e ndryshimit të tekstit në rast se web-i ka një opsion të dukshëm për ndryshimet, pasi këto të fundit mund t’i japin rrjedhë tjetër ngjarjes ose mund të krijojnë konfuzion tek audienca.
* Autorët Armand Braho dhe Desara Gashi janë studentë pjesëmarrës në ciklin e moduleve online dhe trajnimeve të nismës “Empower Journalists”, organizuar nga Citizens Channel.