Në fillim të muajit nëntor qarkulloi në median online një video me përmbajtje të marrëdhënieve seksuale me të mitur. Materiali filmik që u shoqërua me titujt si “Skandal në Laç”, tregonte një grup fëmijësh të paidentifikuar që kryenin marrëdhënie abuzive me një vajzë, duke aluduar se mosha e tyre ishte rreth 12 vjeç.
Policia e Kurbinit reagoi mbi këtë ngjarje në datën tre nëntor, duke deklaruar se personat nuk janë identifikuar ende, ndërsa materialet u referuan për vlerësim në Prokurori dhe Gjykatën e Shakllës së Parë Kurbin.
Për Elvin Lukun, drejtues i qendrës MediaLook, publikimi nga media i këtij materiali rrit trysninë ndaj vajzës minorene: “Trysnia duhet të jetë një element që drejtuesit e mediave duhet ta mbajnë në konsideratë dhe ta vënë në peshore me audiencën që përfitojnë”.
I njëjti shqetësim reflektohet edhe në reagimin e organizatës “World Vision”, e cila i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për ndërhyrje të menjëhershme, për të shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme në të ardhmen e afërt.
Shpërndarja e materialeve pornografike përbën vepër penale
”Pornografia me fëmijët nënkupton çdo paraqitje, me çfarëdolloj mjeti, të një fëmije të angazhuar në një aktivitet seksual të caktuar të vërtetë apo të simuluar, ose paraqitja e një pjese seksuale të fëmijës me qëllim parësor atë seksual” .
Protokolli i Konventës të Drejtave të Fëmijëve
Juristja Nekida Baha pohon se edhe në legjislacionin shqiptar shpërndarja e materialeve filmike me të mitur përbën vepër penale: “Prodhimi, importimi, ofrimi, vënia në dispozicion, shpërndarja, transmetimi, përdorimi ose posedimi i pornografisë së fëmijëve, si dhe krijimi i aksesit në mënyrë të vetëdijshme në të, me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet”.
Sipas juristes Baha, veprat penale të shqyrtuara nga gjykata, mbeten në shifra të ulëta, ndërsa numri i shkeljeve që nuk referohen është i lartë.
Roli i medias
Elvin Luku thotë se ka një lidhje të ngushtë të standarteve dhe etikës gazetareske të mediave me sensibilizimin e shoqërisë, veçanërisht për tema të tilla që përfshijnë abuzimin me fëmijët.
Nga ana tjetër, nëse shkelen këto parime, madje dhe ligji, media mund të kthehet në të kundërtën e misionit të vet që është interesi publik, analizon ai.
“Në rastin konkret, media është treguar e kujdeshme nga pikëpamja ligjore, ndonëse është anashkaluar konteksti lokal, ku në qytete të vogla, njerëzit mësojnë në kohë rekord se cila është e mitura e abuzuar”, – citon Elvini.
Pvarësisht kujdesit të treguar, ai gjithsesi nuk mohon se me publikimin e videos të rasit në Laç, ka një rritje të trysnisë mbi vajzën minorene, e cila lokalisht është e identifikuar dhe pjese e thashethemnajës të tryezave lokale.
Si mund të hiqet një video e padëshiruar nga rrjeti?
Një ndër platformat që ofron një mundësi për denoncimin e rasteve abuzive online, përmbajtjeve të jashtëligjshme dhe të papërshtatshme është isigurt.al, e krijuar nga CRCA (Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri). Raporto është një hapësirë (direktori) brenda faqes e krijuar enkas për trajtimin e rasteve të tilla.
Sipas Kladio Pulaha nga CRCA, në platformën i SIGURT.al, përgjatë muajve Janar – Nëntor 2020, janë bërë 119 raportime për 6134 faqe, video dhe profile me përpmbajtje të papërshtatshme.
Ai shpjegon se nga 6134 faqe, video dhe profile të raportuara, në 6057 janë publikuar disa video të cilat kanë përmbajtje pornografike për fëmijë, në të cilat 23 janë me fëmijë shqiptarë.
“Nëse do i referohemi një totali raportimesh përgjatë 3 viteve të fundit arrin në 400 raportime pranë platformës”,- deklaron Pulaha për Citizens Channel.
Shpërndarja e videove abuzive nxit riviktimizin dhe bullizmin
Lidhur me rastin në fjalë, psikologia Aurela Agalliu deklaron se është një ngjarje që tregon se kanë dështuar shumë role, si prindërit, shoqëria dhe institucionet edukuese, të cilët po ashtu kanë rolin e tyre në sensibilizimin për çështjet që lidhen me edukimin seksual.
“Ndonjëherë prindërit kanë frikën e stigmatizimit dhe u kërkojnë fëmijëve të tyre edhe kur merren në pyetje, ta mohojnë ngjarjen. Kjo i vret ata për herë të dytë. Ata përjetojnë pasojat e kësaj ngjarje traumatike për shumë vite”, – tregon Agalliu.
Psikologia Agalliu përfundon analizën me një thirrje për median ku pranon se përpos se po shkelen të drejtat e të miturve me shpërndarje te informacionit, por krijohet mundësia e bullizimit, e stigmatizimit dhe rivikitimizimit te tyre duke i riekspozuar per ngjarje te ngjashme.
Gjithashtu ajo thekson nevojën e menjëhershme për trajtim specifik profesional për vajzën e abuzuar.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.