Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Mami, çfarë janë shqiptarët”?

Autore: Iliana Papangeli  Editor: Stavros Malichudis | Solomon.com

Përktheu dhe përshtati në shqip: Fjori Sinoruka

Gjatë muajve të verës, fushat në Selanik janë të mbushura me aromën e hudhrës. Gjatë kësaj periudhe, punëtorët zakonisht gjenden në oborret e shtëpive, në të cilat ka depo të mëdha të hapura, duke bërë gërsheta të gjata hudhre. Kamionë të vegjël mbërrijnë dhe qëndrojnë rrugëve të fshatit dhe tregtarët romë bëjnë pazar me prodhuesit për çmimin e hudhrës, të cilën më pas do ta shesin në tregjet e fermerëve në qytete – për ndoshta trefishin e çmimit, siç thonë prodhuesit.

Korrikun e kaluar, nën hijen e një strehe të improvizuar, në të cilën ata strehojnë të korrat e tyre, takova Marios dhe gruan e tij Mirelën. Mario ishte duke thurur hudhër, ndërsa Mirela ishte në shtëpi duke përfunduar punët. “Do t’i them asaj të vijë, të të tregojë se si të bësh gërshet hudhrat,” më thotë Marios. “Ajo mund ta bëjë atë punë më mirë dhe më shpejt se unë.”

Çifti shqiptar jeton me dy djemtë e tyre në Platykampos, Larisa, një nga rajonet kryesore të prodhimit të hudhrave në Greqi, i cili së fundmi tërhoqi interesin e kompanisë japoneze farmaceutike Wakunaga, duke lidhur fshatin e Selanikut me një treg ndërkombëtar.

Marios dhe Mirela kanë jetuar në Greqi për më shumë se njëzet vjet. Marios shkoi i pari, duke kaluar kufirin në këmbë midis Greqisë dhe Shqipërisë. Disa vjet më vonë, shtatzënë me djalin e tyre të parë, e ndoqi dhe Mirela, duke arritur në qytetin ku ata jetojnë edhe sot. Intervista ishte planifikuar fillimisht vetëm me Marios, me synimin për të krijuar një “portret” – një dëshmi personale – të një emigranti të ri nga Shqipëria, për të nxjerrë në pah aspekte të realitetit të jetës së tij në Greqi, për t’u botuar së bashku me portretet e refugjatëve dhe emigrantëve të tjerë të rinj meshkuj për projektin “Last in Line” të Solomon.

Por atë ditë, Mirela la punët e saj mënjanë dhe u bashkua në intervistë. Ajo na tregoi historinë e tyre përmes këndvështrimit të saj. Mbi të gjitha, historitë e të dyve janë të ndërlidhura dhe njëra është pjesë integrale e tjetrës.

Si Olsi u bë Marios

Marios: Emri im i vërtetë është Olsi. Kur isha në Agia, filluan të më thërrisnin Mario. Marios, Marios, Marios dhe kështu u mësova me të. Më pëlqeu si emër dhe e mbajta.

Mirela: Sa herë që më pyesin për emrin e burrit tim, unë kurrë nuk them Marios. Unë them Olsi. Dhe i them të prezantohet me emrin e tij të vërtetë. Në fund, disa e quajnë Marios dhe disa e quajnë Olsi. E gjithë kjo ndodhi sepse ata nuk mund të shqiptojnë emrin O-l-s-i. Por pse nuk munden? Nuk është asgjë. Janë katër shkronja! Ka grekë që e thonë kaq qartë, kaq bukur!

Nuk doja ta ndryshoja emrin fare. Kush dëshiron ta thotë, do ta thotë. Ata na thoshin dhe ende na thonë, çfarë lloj emrash janë këta? Dhe ka disa emra të bukur! Sidoqoftë, e di se ka edhe disa emra të modës së vjetër që as neve nuk na pëlqejnë. Por kjo nuk ka asnjë lidhje me të.

Marios: Kam kaluar kufirin nga Shqipëria në Greqi për herë të parë në 1996, në fund të marsit. Isha rreth 18 vjeç dhe sapo kisha mbaruar ushtrinë. Bashkë me mua ishin dy persona të tjerë të moshës sime, të dy burra. Ishim nga i njëjti fshat dhe njiheshim me njëri – tjetrin.

Kur arrita në Greqi, qëndrova në Grevena për tre muaj. Si fillim prisnim dhe transportonim dru në mal. Jetonim jashtë në një çadër të improvizuar najloni. Punë shumë e vështirë. Kam qëndruar atje për tre deri në katër muaj, pastaj u ktheva në Shqipëri, qëndrova dy javë dhe pastaj u ktheva prapë në Greqi. Ishim thjesht fëmijë. A jemi të lodhur këtu? Le të kthehemi përsëri në Shqipëri. Unë qëndroja për pak kohë dhe pastaj u kthehesha përsëri nga Gramozi.

Shumë njerëz e bënin atë rrugë. Shkova dhe u ktheva tre herë në këmbë. Kam kaluar nëpër Gramoz, Deskati, Grevena, Trikala, Kalambaka dhe Larisa. Të gjitha këto vende  në këmbë. Pjesa më e vështirë ishte Gramozi. Një javë në dëborë pa ujë, pa ushqim dhe pa këpucë. Fjetëm në një shtëpi të vjetër, pikonte nga bora që shkrihej, ishim të lagur dhe e vetmja gjë që ndienim ishte lodhja. Zgjoheshim të ngrirë.

Mirela: Unë dëgjoj histori nga Marios dhe miqtë e tij – sepse nuk e provova me këmbë – sa trupa hasën ndërsa kaluan Gramoz! Kufoma që haheshin nga ujqërit.

Marios: Është e vërtetë, ishte më e vështirë për ne burrat shqiptarë. Kemi kaluar gjëra të patregueshme. Të shohësh njerëz të vrarë, të therur në male, është shumë e vështirë. Nuk kishte kontrabandues për të të ndihmuar të kaloje kufirin dhe kurrë nuk e dije saktësisht se ku ishte rruga. Ne kaluam nëpër disa vende ku kufiri nuk ruhej, thjesht vazhduam të shohim se ku do të përfundonim. Ka akoma kaq shumë nëna që janë në kërkim të fëmijëve të tyre! Pas kaq shumë vitesh, ata nuk i gjejnë dot.

Dhe pastaj ishin ata që u shfaqën në Gramoz të veshur me kapuç dhe ndërsa njerëzit kalonin, ata do t’i ndalonin, do t’i kërcënonin me thikë dhe do tu vidhnin paratë e tyre. Frika mbizotëronte. Derisa arritëm më në fund, gjithmonë i kishim duart në zemër. Unë kisha një shok nga fshati im, ai erdhi pesëmbëdhjetë herë, u kap pesëmbëdhjetë herë. Po rrahjet? Ai kaloi dy vjet në spital në Shqipëri. E rrahën me lopata, me sëpata, me gjithçka që kishin. Ai ishte ngjitur në një pemë të cilën e prenë që ta kapnin. Herën e tretë kur kalova kufirin thashë se nuk do të shkoj më kurrë në Shqipëri. Në vitin 1998, unë paraqita letrat në OAED (organizata greke e punësimit).

Ardhja e Mirelës

Mirela: E kalova kufirin me një pasaportë false. Dua të them, jo ​​false, ishte një pasaportë e vërtetë, ata thjesht e bënë foton të dukej pak si unë. Ne kemi paguar, ishte shumë e shtrenjtë, 2,000- 3,000 €. Rreth dy-tre persona mund të kalonin duke përdorur të njëjtën kartë identiteti. Arrita në kufi. Isha shtatzënë dhe kishte një metër dëborë në tokë. Kontrabandisti po shikonte nga lart në mal për të parë se çfarë do të ndodhte. Sigurisht, që nga momenti që arrita në kufi, ai nuk më njihte. Kaq ishte për të, deri në atë moment. Dhe në anën tjetër të kufirit, taksisti po priste me padurim. Ai gjithashtu donte para. Nga pala shqiptare, oficeri i policisë që vulos dokumentin, këmbënguli që unë të nënshkruaj një letër ku thuhet se, kështu e kështu, kam një ID të rreme. Me pak fjalë, ai ishte thjesht një person tjetër që dëshironte para. Nëse askush nuk do të kalonte, askush nuk do të kalonte. Fundi i historisë. Por një sistem krejt tjetër funksionon nën tryezë.

Ju do të nënshkruani atë që unë ju them, tha ai. Pse? iu përgjigja unë. Heshtje. Ai më la mënjanë për pesë minuta dhe pastaj filloi përsëri. Si e ke emrin? Data e lindjes? Duhej të përgjigjesha me informacionin e gruas në letërnjoftim. Pra, ai do të më linte mënjanë me të tjerët, për të më hutuar dhe për të më bërë të harroja. Ndërsa po merrte në pyetje dikë tjetër, ai do të kthehej përsëri tek unë. Dhe ishte agresiv, kështu që unë do të trembesha dhe harroja atë që po thosha. Kjo ndodhi katër ose pesë herë. Në një moment ai tha: e keni memorizuar atë shumë mirë. Dhe unë u përgjigja, Çfarë? Pse nuk do ta dija emrin tim dhe kur kam lindur?

Më në fund, i thashë se do të pranoja të nënshkruaja. Por unë do të shkruaj se ju po më detyroni të deklaroj informacione të rreme. Ai u çmend! Jo, jo. Ai erdhi tek unë, kapi letrën dhe e grisi. Çfarë bëre? tha ai. Çfarë i thashë. Unë thashë se do të shkruaj atë që dua, jo atë që më thua ti. Dhe atje ishte dikush që ishte nga fshati i Marios, nga Erseka në Gramoz, dhe ai tha pse po e shqetësoni këtë grua shtatzënë, lëreni të qetë, mjaft më. Atje, në anën greke, ata thjesht  të vulosnin dokumentin. Nëse do ta kishin vulosur tashmë në kufirin shqiptar, atëherë grekët – të linin të kaloje. Dhe nëse shihnin një grua që ishte shtatzënë ose me një fëmijë të vogël, ata do t’i linin të kalonin të parët.

Hipa në taksi dhe aty përfundoi mundimi për momentin. Taksia më solli në Platykampos. Mbaj mend që këtu kishte edhe dëborë. Shkuam në shtëpinë e një shoku dhe Marios më bëri një shëtitje jashtë për të marrë ajër dhe unë pashë përreth dhe thashë në çfarë vendi më solle? Ai më tha se gjërat nuk do të ishin kështu, se gjërat do të përmirësoheshin. Se ky nuk ishte qyteti ku do të jetonim, do të shkonim diku tjetër. Kështu që, u larguam dhe në një moment, pasi ishim në makinë, dolëm nga rruga dhe hymë në një rrugë të pistë. Shkuam në objektin ku jetonte dhe punonte Marios.

Marios: Ne jetonim në një shtëpi të vogël, ku mbaheshin kafshët me të cilat punoja. Ishte një dhomë. E vështirë, shumë e vështirë. Të paktën kishim një banjo. Nuk ishte si shtëpia që kemi tani. Por ju e dini, kudo që të shkosh, mësohesh.

Mirela: Mbërrijmë dhe çfarë të shoh? Personi që jetonte në dhomën para nesh dhe gjërat që ai kishte përdorur, ishin akoma atje. Si mund të flija atje? Kam hequr gjithçka nga shtrati, madje edhe dyshekun. Hapa valixhen dhe përdora çarçafët e mi që kisha sjellë nga Shqipëria.

Je shtatzënë, si mund të flesh kështu? Tha Marios. Do të fle, i thashë. I gjithë trupi im ishte i mbushur me shenja nga korniza e shtratit metalik. Dhe kur do të shkojmë në shtëpinë tonë? Pyeta unë. Kjo është shtëpia jonë, më tha Marios. Çfarë? Nuk më besohej.

Unë gjithashtu kisha një fqinj të mirë nga Shqipëria e veriut që vinte dhe më thoshte, ulu dhe qetësohu, dhe unë kam qenë prej kaq vitesh këtu, do të mësohesh. Por unë vazhdoja të qaja. Ata flisnin greqisht, dhe unë rrija si një budallaqe. Dhe kjo grua më thoshte, ti sapo erdhe dje, a pret që të mësosh greqisht dhe ta flasësh atë në mënyrë të përsosur sot? Nuk mund të bëhet.

Shënimet në dollap

Marios punonte dhe unë rrija në shtëpi. Po përpiqesha të mësoja gjuhën. Shumë e vështirë. Shihja të tjerët duke folur dhe thoja, oh, çfarë do të bëj, si do ta mësoj?

Dilja në fshat dhe kishte raste kur më thoshin mirëmëngjesi dhe unë u përgjigjesha mirëdita, çfarë mund të bëja? Mendova se ishte e njëjta gjë. Më vinte turp. Çfarë the? Më pyeste Marios.

Çfarë thashë?

Çfarë është tani?

Mëngjes

Atëherë pse s’the mirëmëngjesi?

Unë qëndroja në shtëpi duke parë reklama në TV. Dëgjoja vazhdimisht katsaróla, katsaróla (tenxhere gatimi) dhe dilja jashtë e pyesja Marios, çfarë është katsaróla? Ai do të thoshte prit, më lër ta përfundoj këtë që po bëj dhe ta tregoj unë. Pastaj ai vinte në shtëpi i lodhur dhe menjëherë flinte.

Kishim një dollap të madh, më kujtohet, dhe unë hapja derën dhe shkruaja fjalë atje, në mënyrë që të mos i harroja. Kam mbushur dollapët, fletoret, çfarëdo që mund të imagjinoni. Kam mësuar të shkruaj para se të mësoj të flas. Në fillim komunikoja me sinjale dore, në çdo mënyrë që të mundja.

Marios: Ishte e vështirë edhe për mua në fillim, por kaluan shtatë apo tetë muaj, një vit dhe mësova. Shiko, nëse rri vetëm me shqiptarë nuk mund të mësosh. Unë qëndroja vazhdimisht me grekët.

Kur fëmijët tanë na dëgjojnë – ata e dinë greqisht – na korrigjojnë. Ata gjithashtu dinë shumë mirë shqip, por nuk dinë ta shkruajnë po aq mirë. Ata të dy kanë lindur këtu. Kanë shtetësi greke. Letërnjoftim grek.

Ne?
Normalisht me ligj, siç bëhet në Gjermani, në Amerikë, në Itali, edhe ne duhet të marrim shtetësinë. Ne kemi qenë këtu për 24 vjet. Nuk e di pse ndodh, por vetëm në Greqi është kështu. Është problem i madh. Dhe në kaq shumë vite, janë shpenzuar vetëm para. Dosjet e dokumenteve, paguani 1,500 €. Përsëri, edhe 1,500 €. Tani prit një minutë, janë shumë para!

Mam, çfarë janë shqiptarët?


Marios: Gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të mira me vendasit. Njerëzit për të cilët kam punuar më kanë trajtuar si një djalë. Ata më futën brenda. Në Modesto, fshati ku jetonim në fillim, nëna e djemve që kam punuar atje, e trajtoi Mirelën si vajzë. Kur lindi, ajo ishte me të në spital. Ajo kishte tre djem dhe Mirelën e quante vajzë. Imagjinoni të mos keni nënën ose babanë tuaj me ju, dhe gjeni dikë që kujdeset për ju si prind.

Sigurisht, kishte nga ata që ishin racist dhe na trajtuan me dyshim. Kishte stigmatizim. Ata janë shqiptarë. E dini sa e tmerrshme ishte kjo? E merrje fëmijën për dore me gëzim për ta çuar në shkollë, i thoje mirëmëngjesi prindërve të tjerë dhe askush nuk ju përgjigjet. Ky është turp! Mirëmëngjesi është nga Zoti.

Mirela: Fëmija do të vinte në shtëpi pas shkollës dhe, e dini, ju e kuptoni nëse diçka nuk shkon mirë. E pyesja se çfarë nuk shkon. Fëmijët e tjerë më thanë se isha një shqiptar i ndyrë, thoshte ai. Kur ishin të vegjël, fëmijët kishin këtë ide se shqiptari është diçka e frikshme. Mami, çfarë janë shqiptarët? pyeste. Ne jemi shqiptarë. Unë, babi, xhaxhai yt, shoku ynë. Këta janë shqiptarët, thosha unë.

Jo, unë nuk jam shqiptar, përgjigjej ai. Nuk ka asgjë të keqe të jesh shqiptar, i thosha përsëri.

Kjo do të thotë, që duhet t’ja shpjegoje fëmijës në një mënyrë të tillë që ai ta kuptonte. Ta dëgjoje atë duke ardhur duke qarë dhe për të të thënë, mami, ata më thirrën shqiptar dhe më thanë ik prej këtu. E dini si ndihesh nga kjo? Dhe për ne, gjithashtu. Kur i shoqëronim fëmijët në udhëtime shkollore, nënat greke ishin gjithmonë bashkë dhe ne ishim të ndarë prej tyre. Kishte disa që do të uleshin me ne. Megjithatë ishte ndryshe me mësuesit. Unë kurrë nuk kam pasur një problem me ta. Kurrën e kurrës!

Marios: Pastaj është edhe çështja tjetër… Ne e dimë se kishte shqiptarë që kishin bërë gjëra të këqija në të kaluarën, dhe kjo krijoi përshtypjen se të gjithë janë njësoj të këqij. Dhe pastaj ishin ata që përfunduan duke bërë gjëra të këqija sepse disa grekë i kishin përfituar prej tyre. Ndonjëherë një shef grek punësonte një shqiptar, i cili punonte për dy vjet, dhe pastaj shefi nuk e paguante atë, dhe kur ai kërkonte të paguhej, shefi e raportonte atë në polici. Ejani ta merrni. Ai është i paligjshëm dhe nuk ka letra. Me fjalë të tjera, kapeni dhe deportojeni, për të kursyer paratë e shefit. Ky është shfrytëzim! Shumë bënë atë që bënë sepse lanë pas familjet e tyre në Shqipëri që ishin të uritur dhe këto ishin paratë nga të cilat vareshin, në mënyrë që të mund të jetonin. Dhe kishte shumë që nuk u kthyen më sepse u vranë ose vdiqën në male!

Hudhër , hudhër, hudhër!

Marios: Ne kemi punuar për prodhuesit e tjerë të hudhrës. Mirela punoi për tetë vjet për një prodhues këtu në fshat. Unë punova për tre vjet. Unë kisha një mik, Vladimirin, i cili më thoshte vazhdimisht të mbillja hudhër. Një stremë (1,000 m2) në fillim, dhe pastaj një u bë pesë, nga pesë, njëzet e pesë, tridhjetë dhe kështu u bë biznesi ynë. Atëherë punoja në fabrikë, u largova nga fabrika dhe tani kam hudhrën time. Por në dimër mund të ri – kthehem në fabrikë.

Mirela: Unë mblidhja pambuk dhe ndonjëherë pastroja shtëpitë kur e gjeta punë. Por kjo nuk ndodhte shpesh, sepse kisha një fëmijë të vogël. Nuk mund ta lija vetëm. Marios kthehej në shtëpi dhe pastaj unë shkoja në punë. Dhe fushat në të cilat kam punuar ishin afër.

Marios: Ne ishim mësuar të punonim në fusha në Shqipëri. Këtu kushtet nuk ishin si në Shqipëri, ku gjithçka bëhej me dorë, ose me kuaj dhe gomarë. Vitet tona të fëmijërisë nuk kaluan nëpër kafene. Duhej të punonim. Kjo është arsyeja pse punët këtu nuk na dukeshin të vështira. Këtu ka makina. Vërtetë, mendo të bësh gjithçka me duar. Këtu, gjërat ishin vite përpara Shqipërisë. Edhe sot në disa fshatra të Shqipërisë i punojnë arat me kuaj.

Ata thonë se shqiptarët po na marrin vendet e punës, po prodhojnë hudhër, po na marrin pagat ditore−  ende e kanë këtë mënyrë të të menduarit. Unë punoj vetëm, me gruan time, me fëmijët e mi, nuk po i vjedh punën askujt. A mund të kultivoni hudhër? Atëherë bëjeni. Nuk po bëj asgjë keq. Ne e ndërtuam këtë çati këtu sepse nuk mund të punosh në diell. Ata na paditën. Ne nuk e dimë kush e bëri. Ky nuk është vendi ynë. Ne e dimë. Ne nuk e kemi blerë. Ne e bëmë këtë çati që të mund të bënim punën tonë dhe kur të mbarojmë do ta heqim përsëri. Dhe këtë vend e mbajta të pastër. Çdo vit. Askush nga bashkia nuk na shqetësoi.

Të punosh për prodhuesit e hudhrës, e cila është gjithashtu punë e vështirë dhe të mos paguhesh – ky është një mëkat. Neve nuk na ka ndodhur por dimë kaq shumë histori të njerëzve që nuk paguhen kurrë. Shumica e njerëzve që punojnë për ne janë gjithashtu shqiptarë, romë, rumunë dhe disa gra greke kanë punuar gjithashtu për ne. Dhe indianë.

Këtu dhe atje

Marios: Ne ishim myslimanë. Këtu nuk kishte xhami. Tani shkojmë në kishë. Por as në Shqipëri, unë kurrë nuk kam qenë në xhami, as edhe një herë, madje as nuk e di se si duket nga brenda. Por më pëlqen të shkoj në kishë këtu. Ne nuk jemi pagëzuar. Po duam të pagëzohemi,  shpresojmë këtë verë. Së pari fëmijët dhe pastaj ne.

Mirela: Marios dëshiron të pagëzohet, por mua nuk më pëlqen. Në fillim, mendova se nëse do të pagëzohesha, do të qëndroja këtu për tërë jetën. Por tani dua të jem këtu dhe nuk dua të kthehem në Shqipëri. Unë thjesht dua të shkoj të vizitoj familjen time atje, por kaq. Familjet tona vijnë edhe këtu, ata na vizitojnë por këtë vit për shkak të koronavirusit nuk mundën të vijnë.

Marios: Ne shkonim tre ose katër herë në vit. Sepse jemi afër. Ne jemi nga këtu, afër Koritsá, Korçë. Nëse shkon përmes Krystallopigi edhe 30-40 minuta nga atje. E kanë bërë shumë të bukur. As në Greqi nuk ka një qytet kaq të bukur. Dhe ka shumë grekë atje, ju nuk keni nevojë të flisni shqip fare. Dhe në dyqane, njerëzit flasin greqisht.

Disa nga njerëzit me të cilët kemi ardhur nga Shqipëria, pas disa vitesh, ata u larguan dhe u kthyen. Njëri madje hapi dyqanin e tij dhe shet produkte të ndryshme bio.

Një verë kur të shkojmë, do të vish dhe ti me ne dhe do të shohësh sa e bukur është.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *