Citizens.al

Gjykata Administrative shpall moskompetencë për padinë kundër HEC-eve në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë ka vendosur rrëzimin e kërkesë-padisë së banorëve të Matit ndaj Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ku kërkohej ndalimi i punimeve brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”,  park i formuar në vitin 2018 nga bashkimi i Zall-Gjoçaj me Lurën.

Padia është rrëzuar nga gjykata për mungesë kompetence në ndalimin e punimeve brenda zonës së mbrojtur. Banorët u shprehën se do ta apelojnë vendimin.

Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë lidhur me projektin. Argumentimi ligjor ishte një argumentim procedural lidhur me faktin që vetëm Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka autoritetin për të bërë ndryshimet. Ne e kishim të paditur AKZM-në. Me këtë vendim të sotëm, ndërtimet do të vazhdojnë”, – u shpreh Dorina Ndreka, avokate e banorëve të Zall-Gjoçaj.

Ndreka pohoi se gjykata u dha të drejtë banorëve ne çështjen e ngritur, pavarësisht rrëzimit të padisë.

Por ndërkohë, [gjykatësi] e theksoi shumë herë që absolutisht nuk duhet të lejohet një HEC në zonë të mbrojtur. Autoritetet publike janë në shkelje të ligjit duke qenë se s’ka vepruar, pra po citoj gjykatën këtu, por në fund vendosi rrëzimin e padisë”.

Dorina Ndreka, avokate

Edhe këtë herë, oborri i Gjykatës Administrative u mbush me aktivistë dhe banorë të Matit të cilët u shprehën të revoltuar nga ecejaket e vazhdueshme nëpër dyert e gjykatës, pa gjetur drejtësi.

Ne vijmë të gjykata për të mbrojtur ujin e pastër, kurse këta mbrojnë këtë llumin. Gjykata dhe shteti mbron llumin. Ne mbrojmë të pastërtën”, – u shpreh Sali Koleci, një prej aktivistëve, pasi mësoi vendimin e gjykatës.

Abdi Toçi, banor i fshatit Urxallë, Mat tha se do ta vijojnë rezistencën, pavarësisht kushteve të vështira.

Po bëjmë 300 km çdo herë, kemi ardh nga një herë në javë këtu. Po  bëjmë 300 km rrugë, natën ditën, në bora dhe në shi sepse po vijmë këtu. Unë bana 75 vjeç, edhe ai lum ka me fjet me mijëra vjet në shtratin e vet, s’kanë për t’i dalë këmbët jashtë. Do flejë në shtratin e vet”.

Jo vetëm në Gjykatën e Apelit, banorët shprehet se çështjen do ta dërgojnë në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Do bëjmë një padi tjetër penale në SPAK, për të gjithë këta që na sorollatin dhe na lodhin kot. Do të vazhdojmë betejën, nuk ndalojmë”, – pohoi Dhimitër Koleci për Citizens Channel.

Vendimi për të rrëzuar padinë e banorëve vjen një javë pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të banorëve të Zall-Gjoçaj të cilët kanë ngritur disa padi paralelisht, duke shfuqizuar lejen e dhënë nga Enti Rregulltor i Energjisë (ERE) ndaj firmës private “Seka Hydropower”, për ndërtimin e HEC-in “Zais” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.

Zhvillime të tjera

Me datë 22 janar, banorët e Zall-Gjoçaj i janë drejtuar me një letër të hapur Ambasadorit të Republikës së Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci dhe Ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreka, për t’u kërkuar atyre mbajtjen e një qëndrimi zyrtar rreth hidrocentraleve që po kryhen brenda Parkut Kombëtar.

Arsyeja pse ata u janë drejtuar dy shtetasve italianë me anë të kësaj letreje të hapur, është sepse firma “Seka Hydropower” që po zhvillon HEC-et “Sekë” dhe “Zais” në zonë të mbrojtur është krijuar dhe administrohet nga shtetas e shoqëri tregtare italiane dhe mbështetet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *