Nga data 11 janar, kohë kur nisi zyrtarisht procesi i vaksinimit anti Covid-19 në vendin tonë, kanë marrë dozën e plotë të vaksinës vetëm 558 mjekë, infermierë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit mjekësor.
Edhe pse aktualisht është vaksinuar vetëm stafi mjekësor dhe ende nuk ka nisur vaksnimi në masë i kategorive më të rrezikuara të popullsisë, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, ka prezantuar pasaportën e vaksinimit Covid-19, opsion i disponueshëm tashmë edhe në portalin e-Albania.

“Është një informacion i zyrtarizuar që një qytetarë duhet të marrë përsa i përket vaksinimit të tij, dozave të vaksinës dhe elementëve të sigurisë”, u shpreh Manastirliu në lidhje me këtë pasaportë Covid-19.
Edhe pse në nivel global është akoma e diskutueshme pasaporta Covid-19 për përfitimet dhe aspektet negative që mund të mbartë, qeveria shqiptare është një hap përpara në prezantimin e opsionit online të këtij shërbimi.
Por sa afër është realisht qytetari shqiptarë drejt mundësisë për t’u vaksinuar?
Në ditën e parë të 2021, Kryeministri Rama njoftoi se Shqipëria kishte arritur të siguronte 500 mijë dozat e para të vaksinës Pfizer nga një kontratë me kompaninë në fjalë.
“Luftë tregtare që ka brenda shumë politikë”, e cilësoi Rama sigurimin e vaksinave duke mos e bërë publik emrin e shtetit që i fali Shqipërisë 1,000 vaksinat e para.
Duke u akuzuar për mungesë transaperence dhe fshehjen e burimit, Kryeministri Rama, së bashku me ministren Manastirliu, i priti vetë 1,170 vaksinat e para nga Phizer më një shkurt, në Rinas. Ndërsa vetëm pak orë më parë Ministrja Manastirliu njoftoi mbërritjen e 7,020 dozave të vaksinës Phizer.
Sipas kontratës të qeverisë shqiptare me Kompanine Pfizer: 10,750 dozat e para të kësaj kontrate do të mbërrinin në Shqipëri brenda janarit, ndërsa 30,250 doza të tjera duhet të vinin në shkurt.
Sipas asaj që është transmetuar publikisht, në janar kanë mbërritur vetëm 1,000 vaksinat dhuratë nga vendi mik anonim ndërsa në shkurt 8,190 së bashku me shifrën e deklaruar sot nga ministrja Manastirliu.
Ajo që është parashikuar me atë që na është ofruar duken larg, fakte të cilat na bëjnë të reflektojmë për kohën e pritjes së vaksinës Covid-19.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.