Në seancën e fundit plenare, Kuvendi i Shqipërisë diskutoi dhe miratoi dhjetë projektligje që sjellin një sërë ndryshimesh në Kodet e Procedurës Penale dhe Civile, ligjet organike të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë si dhe ligjet për organizimin e sistemit gjyqësor dhe institucionet e reja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Këto ndërhyrje u propozuan për tu futur në rendin e ditës nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe sjellin gjithsej 154 ndryshime në sistemin e drejtësisë.

Të gjitha këto ndryshime u shoqëruan me shqetësim nga nje grup i madh organizatash të shoqërisë civile, e cila i ka konsideruar dhjetë projektligjet në shkelje të procedurës sipas neneve 26, 27 dhe 28 të Rregullores së Kuvendit.
Me një deklaratë për shtyp të publikuar një ditë më herët, 71 organizatat u shprehën se miratimi i këtyre projektligjeve bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Neni 83, pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndalon zbatimin e procedurës së përshpejtuar në shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, -thuhet ne deklaratë.
Ndër të tjera organizatat e konsiderojnë të gjithë procesin e miratimit të projektligjeve në mungesë të transparencës me publikun.
“Gjithashtu, e gjithë procedura e ndjekur, nga Komisioni i Ligjeve deri në miratimin e këtyre projektligjeve në seancë plenare, është kryer në mungesë të transparencës me publikun dhe konsultimit me të gjitha organet e sistemit të drejtësisë dhe shoqërinë civile, si dhe në kushte urgjence, në më pak se 30 ditë nga depozitimi në Kuvend më 25 shkurt 2021. Mungesa e një procesi konsultimi gjithëpërfshirës krijon klimë mosbesimi ndaj kësaj pakete ndryshimesh ligjore të reformës në drejtësi”.
71 organizatat kanë theksuar rëndësinë e transparencës dhe konsultimin e plotë për të rritur besimin e publikut për sistemin e drejtësisë.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).