Citizens.al

Kapja e shtetit, në Shqipëri dyshohet për 50 raste të ligjeve të bëra me porosi

Shqipëria konsiderohet një vend i kapur nga korrupsioni, ku shfrytëzohen lidhjet e forta midis qeveritarëve, gjyqësorit dhe privatëve për të përfituar të mira publike,  vëren  raporti i publikuar sot nga organizata ndërkombëtare Transparency International dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Kapja e shtetit sipas raportit realizohet nga bashkëpunimi i politikanëve me sektorin privat për të shfrytëzuar burimet e vendit e ndërsa gjyqësori duke qenë i korruptuar nuk i ndëshkon këto veprimtari duke kontribuuar në skemat korruptive.

Raporti u publikua online me pjesëmarrjen e të interesuarve nga fusha të ndryshme në Shqipëri, si Avokatja e Popullit, gazetarë e përfaqësues organizatash, mes tyre edhe përfaqësues të organizatës ndërkombëtare Transparency International.

Dragan Mihajlovic, përfaqësues i Transparency International për Ballkanin dhe Turqinë në fjalën e tij e konsideroi fenomenin e kapjes së shtetit si të pranishëm në Shqipëri dhe të gjithë rajonin.

“E njëjta dinamikë të cilën kemi dëshmuar në Shqipëri, e kemi vënë re në të gjithë rajonin, por gjithashtu edhe në parti të ndryshme politike dhe qeveri të ndryshme. Është e dukshme që kapja e shtetit shkon thellë në Ballkan, por kjo nuk supozon se ky problem është unik apo i limituar vetëm në Ballkan. Kapja e shtetit dhe korrupsioni janë shumë të përhapura”,-u shpreh Mihajlovic.

Dragan Mihajlovic, përfaqësues i TI për Ballkanin dhe Turqinë

Studimi përfshin analizën e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë nga viti 2008 deri në vitin 2020, prej ku del në pah se kapja e shtetit është rritur ndjeshëm në Shqipëri.

Treguesit të cilët vënë në dukje kapjen e shtetit sipas raportit përfshijnë:

  • Kur një deputet zyrtar me kompetenca ligjore ose politike përfshihet në vepra penale duke ushtruar kompetencat e tij.
  • Kur një vendimmarrës i nivelit të lartë të një organi rregullator përfshihet në vepra penale duke ushtruar kompetencat e tij
  • Kur veprat penale që pretendohen të jenë kryer përfshijnë një zyrtar publik, i cili ka fituar pozitën e tij duke kaluar nga sektori publik në privat dhe anasjelltas.
  • Kur sjellja e secilit prej personave të kategorive më sipër i shërben intereseit të një grupi të ngushtë të personave të lidhur me njëri tjetrin dhe jo interesit të një grupi në shoqëri apo interesit publik
  • Rastet e lidhura me ligjet e bëra me porosi.

Ligjet e bëra me porosi 

Një formë e kapjes së shtetit sipas raportit është rasti i ligjeve të bëra me porosi. Sipas ekspertit Gjergji Vurmo, përfaqësues i IDM, janë identifikuar 50 raste të dyshura për ligjbërje me porosi përgjatë viteve 2008-2020.

Nga këto raste (50), rreth 35 raste të ligjbërjes me porosi janë shqyrtuar nga grupi i hulumtuesve. Nga 35 raste, u identifikuan më tej 15 raste me porosi të cilat janë investiguar dhe janë analizuar në detaje. Dhe në total në këtë raport kemi 9 raste të provuara si ligje me porosi. Rastet e provuara si ligje me porosi i përkasin periudhës 2012-2020 dhe të gjitha rastet janë raste që janë kaluar në Kuvend me shumicë të thjeshtë”,-sqaron Vurmo.

Gjergj Vurmo, përfaqësues i IDM Albania

Po ashtu raporti vë ne dukje se disa ligje kanë kaluar pa respektuar të gjitha hallkat, duke mos pasur një analizë të thelluar të tyre.

“Mungesa e analizave të thelluara që duhet të informonin ligjbërjen nuk janë zhvilluar ose nuk janë marrë parasysh për një sërë ligjesh të miratuara që kanë të bëjnë me kontratat PPP, duke përmendur këtu rastin e ligjit për miratimin e PPP Milot-Balldre”.

Eksperti Vumo thekson ndër të tjera se një sërë projektligjesh nuk kanë qenë pjesë e një programi analitik. Ligji për teatrin, ligji për aeroportin e Vlorës janë dy raste të vëna re si të përjashtuara nga programi analitik.

Ligji për aeroportin e Vlorës është një nga ligjet më problematike, për faktin se nga momenti i anoncimit për herë të parë në publik, data 17 janar 2018, deri në momentin e miratimit në seancë plenare, 1 shkurt 2018 janë më pak se sa 14 ditë kalendarike, ose rreth 10 ditë pune, të cilat janë të pamjaftueshme jo vetëm për të hartuar dhe konsultuar një ligj por edhe për ta hartuar së brendshmi”,-sqaron Vurmo.

Transparenca dhe konsultimet në ligjbërje

Transparenca është një nga parimet kryesore në proceset legjislative, e megjithë këtë raporti ngre shqetësim për mungesën e saj përgjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve.

“Sipas përfaqësuesve qeveritarë, botimi i tekstit të projektligjeve në portalin www.konsultimipublik.gov.al e plotëson kriterin e transparencës. Sidoqoftë, grupet e interesit dhe publiku i gjerë përballen me “faktin e kryer” në portalin e konsultimit publik, me projektligje që hartohen nga qeveria pas dyerve të mbyllura dhe pa ndonjë akses në analizë ose informacion tjetër të disponuar nga ministritë gjatë hartimit të ligjeve”,-thuhet në raport.

Gjatë prezantimit të raportit Gjergji Vurmo u shpreh se janë 9 raste të ligjeve me porosi ku parimi i konsultimit dhe transparencvs nuk vshtv zbatuar.

Nga 9 rastet e ligjeve me porosi që kemi shqyrtuar, ligji special për Teatrin Kombëtar, vendimi i gjykatës kushtetuese për të shpallur të paligjshëm nenin 62 që ka të bëjë me pronësinë e mediave, ligji për lojërat e fatit, ligji për lotarinë kombëtare, ligji për koncensionet dhe PPP-të, ligji special për miratimin e koncensionit PPP-ja Milot-Balldre, ligji për pragun e TVSH-së, ligji special për aeroportin e Vlorës dhe vkm-ja bashkëshoqëruese për ngritjen e  kompanisë Air Albania, në asnjë rast nuk mund të themi se ekzekutivi e ka respektuar plotësisht parimin e konsultimit ose parimin e transparencës”,-argumentoi Vrumo.

Reforma në drejtësi

Korrupsioni i nivelit të lartë në politikë dhe gjyqësor është një nga fenomenet e pranishme në vend e ushqyer kohë pas kohe. Sipas raportit ndërhyrja e politikës në gjyqësor, integriteti dhe profesionalizmi i kompromentuar i gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe vonesa e reformës në drejtësi janë disa nga arsyet e nivelit të lartë të korrupsionit.

Bashkautorja e raportit, Rovena Sulstarova theksoi gjatë prezantimit të raportit se vonesat në procesin e vetingut, gjykimit të veprave penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe në funksionimin e organeve të reja të drejtësisë ka ndikuar vijueshmërinë e institucioneve të drejtësisë.

Janë dy procese të rëndësishme që po kalojnë që nga 2016 që është procesi i vetingut dhe në lidhje me vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo ka sjellë disa vonesa që kanë imlikuar sa i përket performancës së insitucioneve eksiztuese të sistemit të drejtësisë”,-tha Sulstarova.

Rovena Sulstarova, IDM Albania

Një tjetër aspekt shqetësues i gjyqësorit në vend është dhënia e dënimeve alternative kur bëhet fjalë për të akuzuar të njohur apo me pozita drejtuese.

“Përgjithësisht gjyqësori kur bëhet fjalë për korrupsion të niveleve të larta në politikë priret të përdorë dënimet alternative, sipas të cilave i akuzuari nuk bën asnjë ditë burg. Ky është rasti i çështjes Tahiri ku edhe vendimi për dënimin e tij me tre vite e katër muaj burg iu konvertua në shërbimin e provës. E njëjta gjë ndodhi edhe me gjyqtaren e Gjykatës së Lartë Majlinda Ndrea. Është konstatuar një aplikim jo i drejtë dhe i barabartë sepse për çështjen Tahiri nuk u aplikua e njëjta gjë për ish-drejtorin e policisë së burgut të Vlorës. U dënua me pesë vite burg dhe nuk iu konvertua në shërbim prove”,-sqaron ekspertja Rovena Sulstarova.

Kuvendi toleron dokumentacionin e mangët nga Qeveria 

Raport-monitorimi vë në dukje lehtësirat që i krijon Kuvendi i Shqipërisë Qeverisë në lidhje me dokumentacionet e dorëzuara, sidomos kur ato janë të cungëta.

“Kuvendi ka toleruar dokumentacionin mangët nga ana e qeverisë në lidhje me projektligjet, duke përfshirë mungesën e tabelave të përputhshmërisë, të cilat shpjegojnë shkallën në të cilën projektligjet e përafrojnë legjislacionin shqiptar me legjislacionin e BE-së, mungesën e tabelave të konsultimeve publike, tekstet e marrëveshjeve ndërkombëtare që nuk janë vërtetuar zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë dhe kushtet e tjera ligjore që duhet të plotësojnë projektligjet dhe dokumentet shoqëruese për të hyrë në shqyrtim parlamentar”,-thuhet në raport.

Megjithatë , raporti thekson se pavarësisht kontrollit të dobët karshi qeverisë, vetë Kuvendi ka një transparencë të lartë sa i përket procedurave parlamentare dhe shqyrtimit të ligjeve.

Për më tepër informacion rreth raportit lexo: Zbërthimi i Kapjes së Shtetit në Shqipëri 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *