Citizens.al

Protesta në Përmet kundër kërkimeve për naftë dhe gaz në luginën e Vjosës

Qytetarë, aktivistë dhe operatorë turistikë kanë protestuar sot në qendër të Përmetit kundër kërkimeve për naftë dhe gaz natyrorë nga kompania “Shell Upstream Albania” në luginën e Vjosës dhe Dishnicës.

“Ne nuk donim që protesta të politizohej, prandaj e caktuam protestën sot, pas zgjedhjeve, që mos të instrumentalizohej nga asnjë parti për disa vota më shumë”, u shpreh për Citizens Channel Avenir Deliu, një nga pjesëmarrësit në protestë.

Qytetarët konfirmojnë se kërkimi ka filluar në të gjithë luginën e Vjosës, afër qytetit të Përmetit, rreth 3 km larg nga qendra dhe mund të kenë një ose dy pika shpimi, të gjitha mbi zonën e burimeve, nga ku qyteti furnizohet me ujë.

Burimet e ujit në Përmet janë në nivelin 350 – 400 metra mbi qytet, në këmbët e malit Dhembeli.

“Shpërthimet mund të shkaktojnë dhe atë që ka ndodhur në Delvinë para disa vitesh, ku nga shpimet ka ikur uji dhe sot e kësaj dite banorët e Delvinës mbushin ujë me bidona”, tha Arbër Goga, një nga organizatorët e protestës.

Mungesë transparence dhe konsultimesh me banorët

Avenir Deliu tregon se sot kishte një pjesëmarrje masive, rreth 200 qytetarë edhe pse protesta u organizua brenda dy ditëve.

“Ishte fillimi i një proteste për sensibilizim dhe për të dhënë sa më shumë informacion qytetarëve, sepse nuk ka informacion dhe ne vetë kemi marr një informacion më të detajuar dje në darkë nga persona të autorizuar të Shellit” tregon Deliu.

Qytetarët konfirmojnë se shpimet kanë përfunduar, por këto janë shpime për sondime, çka do të thotë përdoret C4 ose tritol dhe me një shpërthim të kontrolluar, arrihet nëpërmjet sondave të matet vibrimi tokës për të kuptuar sa shtrihet pellgu i naftës.

“Ky projekt kërkim ka kaluar në mënyrë shumë të fshehtë sepse është bërë një lloj mbledhje pa informuar qytetarët që mund të ishin të interesuar”, citon Arbër Goga.

Ai tregon për Citizens Channel se kompania Shell Upstream Albania aktualisht po punon me kontraktorë të kompanisë italiane GEOTEC S.p.A.

“Janë shumë mirë të organizuar, me ambulance, 25 xhipa që lëvizin lart e poshtë sepse ne i kemi monitoruar, do të thotë që është diçka serioze” vijon ai.

Arbër Goga tregon se vetë ai është kthyer nga emigracioni për shkak të propagandës së pushtetit për të investuar në turizëm dhe kërkimet për naftë dhe gaz i konsideron me ndikim jo vetëm në zhvillimin turistik të qytetit por edhe në aspektin mjedisor.

“Nuk besoj se kjo do të sjellë ulje të çmimit të naftës, se në Përmet u zbuluan tre puse më shumë, ne do të vazhdojmë ta paguajmë po 170 apo 160 lekë, përftimi shoqërisë është shumë i ulët nga kjo që po ndodh” përfundon ai.

Aktivistët konfirmuan se protesta do të përshkallëzohet dhe në ditët në vijim. Ata kanë shpërndarë edhe një peticion në rrjetet sociale, i cili aktualisht është firmosur nga më shumë se 250 persona.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *