Qe prej tre ditësh në qendrën e vaksinimit në Sheshin Skëndërbej mungojnë vaksinat kineze anti-Covid. Qytetarët të cilët presin të vaksinohen me dozën e dytë të Sinovac shprehen se nuk kanë asnjë informacion se kur duhet të paraqiten për të marrë mjekimin e plotë anticovid.
“U bë një javë që po presim këtu dhe s’po mbaroj dot punë”, u shpreh për Citizens Channel një i moshuar në radhë.
Nga një monitorim i faqes zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe faqes online të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nuk ka asnjë njoftim publik për mungesën e dozave të dyta, në mënyrë që qytetarët të njoftohen dhe të mos krijojnë rradhë pritje në qendrat e vaskinimit.
“Para zgjedhjeve, shikoja njerëz të qeverisë, të shtetit këtu, që futeshin çdo moment, çdo moment shikonim Ministren e Shëndetësisë. Tani të paktën të dali dikush, ajo është e zënë, po të dali një zëdhënëse se nuk është normale kjo situatë”, tha Iliriana Mezini.
Vetëm 7.8% e popullsisë shqiptare, e vaksinuar me të dyja dozat
Qeveria shqiptare siguroi gjithsej një milion doza vaksinash kineze “Sinovac” kundër COVID-19, duke negociuar me një kompani turke të autorizuar për distribuimin e tyre. Me 25 Mars erdhën 192 mijë dozat e para dhe objektivi kryesor sipas qeverisë ishte vaksinimi i gjysëm milioni qytetarëve brenda Qershorit.
Sipas të dhënave të “Our World in Data” deri më datën 17 maj, në vendin tonë janë vaksinuar vetëm 7.8% e popullsisë me të dyja dozat e vaksinës.
Sipas specialistit të epidemiologjisë Ilir Alimehmeti rastet e vonesës së vaksinës së dytë nuk janë shqetësuese, kur vaksina e përdorur fillimisht është e një efiksasiteti më të lartë se 80% dhe ritmi i vaksnimit është më shumë se 0.3% e popullatës totale në ditë.
“Strategjia e Britanisë së Madhe rezultoi e përshtatshme, pasi përdori vetëm vaksina me efikasitet të lartë (Pfizer-BionTech dhe AstraZeneca) dhe ritmet e vaksinimit ishin tejet të larta. Por në shtetet me vaksina me efikasitet të ulët kjo strategji është e pakëshillueshme” citoi ai për Citizens Channel.
Alimehmeti përmendi rastin e Kilit, shtet i cili pati ritme shumë të larta vaksinimi me dozën e parë, duke u renditur të tretët në botë pas Izraelit dhe SHBA-së. Mirëpo sipas tij, vaksina e përdorur ishte Sinovac, doza e parë e së cilës është poshtë efikasitetit të këshilluar dhe si rrjedhojë, aktualisht është arritur në 93% e kapacitetit të shtretërve të terapisë intensive.
Në një intervistë për mediat dje, shefja e Epidemiologjisë në Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino u shpreh se momentalisht ka një sasi më të pakët të vaksinës kineze duke sjellë pamundësinë për vaksinimin e qytetarëve me dozën e dytë.
“Shtyrja e vaksinimit nuk përbën problem për shëndetin e qytetarëve, por rrit edhe antitrupat.” – tha Bino.
Doza e parë e Sinovax jep mbrojtje vetëm 15 %
Sipas raportit “Vlerësimi i Evidencës së vaksinës Sinovac/CoronaVac COVID-19” të kryer nga Grupi Këshillues Strategjik i Ekspertëve (SAGE) mbi Imunizimin pranë OBSH-së , deri më sot kemi vetëm një studim të vetëm të kryer mbi efikasitetin e dozës së parë të vaksinës së Sinovac.
“Studimi fazës së tretë klinike, i kryer në Kili, efektiviteti pas dozës së parë është 6.0-15.3% për infektimin nga SARS-CoV-2, efektivitet i cili është qartësisht nën vlerën ≥80% të efektivitetit të këshilluar për përdorimin e strategjisë së vonesës së dozës së dytë” përfundoi Alimehmeti.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.