Citizens.al

Gazetarët në Kuvend: “Konsultim pas miratimit”, ndërsa organizatat ndërkombëtare kërkojnë tërheqje të rregullores

Katër organizata ndërkombëtare pjesë e grupimit “Reagimi i Shpejtë për çështje të Lirisë së Medias” reaguan me shqetësim për rregulloren e re të Kuvendit në lidhje me gazetarët dhe kërkuan nga Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tërheqjen e saj.

Artikulli 19, Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve, (EFJ) dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), nënshkruan një letrë dërguar kreut të Kuvendit, ku theksohet se rregullat e reja do të kenë ndikim negativ në punën e gazetarëve dhe transparencës së Kuvendit.

Këto masa do të kufizojnë hyrjen e gazetarëve tek ligjvënësit, duke kufizuar mundësitë për të bërë pyetje kritike dhe për t’u angazhuar në mënyrë domethënëse. Gjithashtu janë ngritur shqetësime se kontrolli nga stafi parlamentar mbi burimet e videove mund të shkaktojë censurë ose manipulim. Për më tepër, dallimi midis gazetarëve që punojnë për media private dhe atyre që punojnë për transmetuesin publik do të krijojë një sistem të dyfishtë të aksesit që është arbitrar dhe i padrejtë”, -thuhet në letrën e bërë publike në faqen zyrtare online

Në përfundim përmes letrës organizatat në mbrojtje të lirisë së medias u shprehën se: “Ne me respekt ju kërkojmë që të tërhiqni këto rregulla të reja dhe të ruani standardet aktuale të larta të qasjes për gazetarët dhe punonjësit e medias. Çdo ndryshim i ri duhet të prezantohet vetëm pas konsultimit me organizatat e gazetarëve, sindikatat dhe aktorët e shoqërisë civile. Mbulimi i barabartë, i drejtë dhe i papenguar i procedurave parlamentare është një shenjë dalluese e një demokracie të fortë”.

Më herët, me të njëjtin shqetësim kanë reaguar edhe rrjete gazetarësh si “Safe Journalists” dhe organizata Instituti i Studimeve Politike, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë e Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, duke i bërë thirrje Kuvendit të tërheqë rregulloren e re për marrëdhënien me mediat. Ndërsa qëndrimi i Kuvendit se sistemi i ri audio-video ishte rekomanduar dhe konceptuar nga Bashkimi Evropian u përgënjeshtrua nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014″,-ishte postimi në Twitter i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Këto reagime kanë ardhur si pasojë e një vendimi të bërë publik më 2 qershor, ku Byroja e Kuvendit vendosi të ndryshojë rregulloren e Kuvendit në lidhje me marrëdhënien me mediat, duke i përjashtuar nga ndjekja e punimeve të Kryesisë dhe komisioneve parlamentare dhe duke i vendosur në një dhomë të dedikuar në katin e parë.

Mes të tjerash rregullorja minimizon kontaktin me deputetët, duke rezervuar fillimisht takim për intervistë me ta përmes zyrës së shtypit dhe pas konfirmimit të tyre, ndryshe nga më herët, kur mikrofoni mund t’ju drejtohej edhe pas përfundimit të mbledhjeve apo seancave.

Për këtë arsye, më 9 qershor një grup gazetarësh të akredituar pranë Kuvendit zhvilluan një protestë simbolike, ku kërkuan përmes një peticioni tërheqjen e rregullores dhe konsultim paraprak me ta për rregulloren e re.

Kuvendi zhvillon seancë konsultuese me gazetarët vetëm pas publikimit të rregullores së re

Mesditën e së premtes, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj mblodhi në një takim gazetarët e akredituar pranë Kuvendit për të konkretizuar sipas tij shqetësimet në lidhje me rregulloren e re.

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit paraqiti përmes një prezantimi të gjithë infrastrukturën e krijuar së fundmi në Kuvend, e cila sikurse ai u shpreh lehtëson punën e gazetarëve dhe nuk ka lidhje me pretendimet e tyre për censurë.

“Teknikisht gazetarët dhe publiku me ndërmjetësimin ose jo të gazetarit nuk pengohet nga informacioni. Kuvendi i Shqipërisë nuk censuron dhe nuk përzgjedh asnjë pamje dhe asnjë plan pasi Kuvendi I Shqipërisë nuk po instalon ndonjë regji qendrore , por përkundrazi çdo gjë komandohet na vetë gazetarët dhe janë ata që zgjedhin dhe përzgjedhin çdo gjë që ata duan të transmetojnë”,-sqaroi Gjonçaj.

Pas sqarimit të çdo neni të rregullores së re, Genci Gjoncaj u ndal edhe te shqetësimi ngritur me trajtimin e gazetarëve të mediave private e atyre shtetërore.

“Lidhur me shqetësimin tjetër të ngritur nga ana juaj për trajtimin e diferencuar të RTSH-së dhe ATSH-së. ju informojmë se kjo pikë nuk ka ndryshuar aspak me rregulloren e vjetër të akreditimit të masmedias, pasi ka qenë parashikuar po njësoj statusi i veçantë që gëzon RTSh-ja dhe ATSH-ja në lëvizjet e ambienteve të Kuvendit”,-shtoi ai.

Gazetarët u ftuan të flisnin në vijim secili për pikat që i shqetësonin nga rregullorja. Ata u shprehën se problemi i tyre nuk qëndronte te sistemi i audio-videove, por te fakti se gazetarit i mohohet ndjekja e mbledhjeve të komisioneve.

“Ju na prezantoni me një sallë me 13 kompjuterë ndërsa ne jemi 15 gazetarë që i ndjekim komisionet. Sistemi audio-video duhet të jetë një sistem alternative. Nëse unë nuk hyj në komision ti më ke cenuar të drejtën për informim”,-u shpreh njëra nga gazetaret e pranishme, ecila ndiqte që prej vitit 2004 punimet e Kuvendit.

Në përfundim, pas diskutimeve u mbajtën shënim 6 propozime të cilat sipas sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit do ti dërgoheshin për shqyrtim Kryetarit.

Propozimet përfshinin:

1.Gazetari të jetë në mbledhje të komisionit pa kamera

  1. Gazetarët të jenë pjesë në komision me modalitetin që në raste të caktuara me miratim të Zyrës së Shtypit mund të marrin pamje
  2. Gazetarët që marrin pjesë në komisione të jenë të pajisur me aparatin e tyre celular
  3. Garda e Republikës të mos shoqërojë gazetarët në ambientet e Kuvendit
  4. Sa herë të trajtohet një temë që është jashtë axhendës parlamentare e komisioneve, të kenë mundësi të zhvillojnë me deputetët intervistë pa qenë nevoja të vendosin në dijeni Zyrën e Shtypit.
  5. Të mos specifikohet tema për të cilën do të zhvillohet intervista me deputetin në momentin që kërkohet intervistë

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *