UNESCO i ka kërkuar urgjentisht qeverisë shqiptare të ndalojë punimet për ndërtimin e Bypass-it të ri në Gjirokastër derisa ata të mbledhin informacione nga burime si pala qeveritare dhe grupe të tjera interesi, për të parë dëmet që ky projekt tashmë ka shkaktuar ose që mund të shkaktojë më tej.
Ky vendim është zbardhur në projekt-rezolutën e botuar para sesionit të 44-të të takimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që po zhvillohet midis datave 16 dhe 31 korrik në Kinë.
Projekti i shumëdiskutuar i Bypass-it “Ura e Nanxës – Urat e Mëdha Dunavat” në qendrën historike tashmë vijon sipas planit, ku po punohet për të ndërtuar rrugën që do të kalojë në luginën e përroit të Nanxës e që do të ketë gjatësi rreth 980m dhe gjerësi rruge 6m për lëvizjen automobilistike, si dhe 3m trotuar në të dy anët e rrugës.
“Informimi nga palë të treta të dërguara në Qendrën Botërore të Trashëgimisë përfshijnë dokumentime që tregojnë një situatë shumë shqetësuese të këtij projekti, i cili duket se është tashmë në ndërtim e sipër”– shkruan UNESCO-ja.
Qeveria shqiptare ka njoftuar Qendrën Botërore të Trashëgimisë të UNESCO-s për planet e reja të Bypass-it vetëm në janar të vitit 2021, duke kërkuar rekomandime nga ata. UNESCO kërkoi prej qeverisë shqiptare informacione shtesë rreth projektit në datë 16 mars 2021 por nuk morën asnjë përgjigje.
“Qeveria nuk dha asnjë informacion ose sqarim të mëtejshëm deri në nxjerrjen e këtij raporti”, – shkruhet në rezolutë-raportin.
Elva Margariti, ministrja e Kulturës tha dje se UNESCO nuk ka kërkuar pezullimin e punimeve dhe se kanë qenë vazhdimisht në kontakt me ta.
“Ata nuk janë shprehur që të pezullohen punimet sepse bien ndesh me vlerat e shtuara, por duan të sjellin një monitorim të ekspertëve të tyre, siç ka ndodhur dhe në shumë raste të tjera”, – u shpreh ajo.
Gjirokastra u bë pjesë e Listës se Trashëgimisë Botërore në vitin 2005 ndërkohë që projekti për Bypass-in është përmendur për herë të parë më 13 shtator 2016, i miratuar fillimisht nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, por në sajë të kundërshtimit të specialistëve dhe publikut, qeveria u detyrua të tërhiqej duke deklaruar rishikim e tij.
Më tre tetor 2020 u shpall projekti i ri i miratuar i Bypass-it nga Bashkia Gjirokastër, ku përveç rrugës parashikohet dhe ndërtimi i parkingut nëntokësor nën sheshin “Çerçiz Topulli”. Megjithatë, punimet u pezulluan pak kohë më parë për shkak të zbulimit të disa gjurmëve mijëvjeçare.
“Në rastin e Gjirokastrës, qeveria shqiptare e ka provokuar shumë herë tolerancën e UNESCO-s dhe ka përfituar gjithmonë nga inercia e UNESCO-s, për fat të keq”, – tha në muajin qershor Dömpke Stephan, kryetar i “World Heritage Watch” për Citizens Channel.