Citizens.al

Hidrocentralet në Valbonë vijojnë punën pavarësisht pezullimit nga Gjykata e Lartë

Shoqëria koncensionare “Dragobia Energy” plotësisht në pronësi të “Gener 2 Sh.P.K” vijon aktivitetin e prodhimit të energjisë përmes HEC-eve “Çerem” dhe “Dragobia” në luginën e Valbonës, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë për pezullim të kontratës së koncesionit dhe të aktivitetit deri në një vendim të formës së prerë.

Këtë e konfirmojnë vetë banorë të zonës, të cilët nuk shprehen të habitur nga “kokëfortësia” e kompanisë për të mos iu bindur urdhrave të Gjykatës.

S’asht hera e parë, ka vite që vazhdon kështu”, – thotë për Citizens Channel Ibrahim Demiraj.

E ka vendos edhe Apeli dhe ka vazhdue puna. Jam në dijeni dhe jam okular, ka katër vite që vazhdojnë, po gërryejnë, shkatërrojnë, denigrojnë gjithë mjedisin”, – vijon më tej ai duke iu referuar situatës së ngjashme para tre vitesh, ku Gjykata e Tropojës rrëzoi Gjykatën e Tiranës, kur kjo e fundit kishte kërkuar pezullimin e punimeve deri në një vendim të formës së prerë.

Kontaktuar nga Citizens Channel, përfaqësues të kompanisë “Gener 2” refuzuan të japin një koment rreth situatës së krijuar.

Kjo është shumë e rëndë sepse dukshëm një vendim i një gjykate të lartë, në një vend ku duhet të sundojë ligji, nuk po zbatohet”, – thotë Rea Nepravishta nga organizata WWF (World Wildlife Fund).

Rea Nepravishta, përfaqësuese e World Wildlife Fund (WWF) në Shqipëri

Nga burime të tjera për Citizens Channel mësohet se punimet vijojnë, pasi firma koncensionare pretendon se nuk ka marrë një shkresë zyrtare për ndërprerje të punimeve.

I bëj gjithashtu thirrje organeve ligjzbatuese në vend, ata që janë kompetent për këtë gjë që menjëherë të marrin masa që vendimi i gjykatës të lartë të Tiranës të zbatohet dhe të ndalohen punimet”, – kërkon Rea Nepravishta.

Më herët, Bajram Bashukaj, i cili u prezantua si financier i kompanisë “Gener 2”, tha për BIRN se puna do të vijojë dhe vendimi i Gjykatës së Lartë do ankimohet.

Kemi tre muaj që shesim energji dhe për këtë disponojmë të gjitha faturat”, – u shpreh ai.

Në vitin 2007 u miratua leja për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, në Valbonë. Shoqëria “Gener 2”, nënshkroi kontratën koncensionare me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si autoritet kontraktues.

Fillimisht ishte menduar që të ndërtoheshin katër hidrocentrale brenda zonës së mbrojtur, duke shfrytëzuar burimet ujore të përroit të Çeremit, lumit të Valbonës, përroit të Matinës dhe atë të Milloshit për një periudhë 35-vjeçare. Më pas, kompania fituese u tërhoq nga vendimi për të ndërtuar katër HEC-e, duke i reduktuar në dy, “HEC Dragobia” dhe “HEC Çeremi”.

Komuniteti u angazhua kundër HEC-eve, ndërkohë që firma u akuzua se kishte falsifikuar nënshkruesit në konsultimet me publikun, ku rezultonin firmëtarë edhe persona që ishin ndarë nga jeta.

Prodhimi i energjisë po shfrytëzon lumin e Valbonës si dhe ujin e përroit të Çeremit, që rrjedhin brenda luginës së Valbonës, që është shpallur “Park Kombëtar” në vitin 1996.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW