Sot u dha shfaqja e fundit në godinën e Cirkut Kombëtar, ndërkohë që përmbaruesit trokisnin për të çmontuar tendën.
Julian Kazazi, kryetar i Sindikatës së artistëve të cirkut tregon për Citizens Channel se vendimi për heqjen e cirkut nga trualli në qendër të Tiranës është i formës së prerë, pasi në Gjykatën Administrative pronari privat ka fituar 1073 m2 dhe ka pasur njoftime të herë pas hershme të zyrës së përmbarimit, për t’i liruar ambientet.
Ai shprehet i pasigur për të ardhmen e Cirkut: “Jemi përpara një fati ku nuk kemi asnjë lloj vendimi nga ana e Ministrisë së Kulturës se çfarë do ndodhë me Cirkun Kombëtar, a do vazhdojmë aktivitetin këtu apo do gjendet një truall tjetër që të vazhdojmë aktivitetin tonë artistik”.
Artistët pretendojnë se drejtuesit e cirkut e kanë fshehur shkresën qe ju ka sjellë Gjykata Administrative, duke e bërë të pamundur apelimin.
“Shkresa ka ardhur fiks në datën ku është sjellë në Cirkun Kombëtar drejtori i ri pa konkurrim publik, zoti Ilirjan Gjini. Ky titullar për 18 muaj e ka mbajtur shkresën në zyrë”, pohon mjeshtri i akrobacisë Xhejms Kodra.
Sipas tij është një detyrim ligjor për këdo institucion publik dhe zyrtar shteti që çfarëdolloj vendimi gjykatë duhet ta apelojnë dhe ta ankimojnë në një gjykatë më të lartë dhe kjo gjë nuk ka ndodhur.
“Kjo ka djegur të gjitha afatet e mundshme që Cirku Kombëtar apo Ministria e Kulturës ta ankimojë çështjen si në Gjykatën Administrative ashtu edhe në Gjykatë të Lartë”, përfundon Kodra.
Drejtori i cirkut, Ilirjan Gjini refuzoi t’i përgjigjej gazetarëve kur u pyet mbi mbërritjen e shkresës. Gjini tha se për të marrë përgjigje mbi shkresën mund ti dërgohet kërkesë për informacion institucionit të cilin ai vetë e drejton.
Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës në vendngjarje Gjet Ndoji, artistët do të kenë dy deri në katër javë afat për tu zhvendosur në një ambient që ende nuk është bërë publik nga Ministria. Por për përmbaruesit çdo ditë vonesë që shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi, çdo ditë i shtohen detyrime taksapaguesve shqiptarë.
“Ka një tarifë e cila është diku te 170 mijë lekë të reja vetëm qiraja që do të paguajë Cirku Kombëtar, është edhe kosto tjetër që ka kompania që është te 600 mijë të reja përditë, për çdo ditë vonese”, pohon për Citizens Channel Indrit Sefa, Përfaqësues Ligjor i Shoqërisë Ufo Shpk.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.