Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Risitë mjedisore në “Komisariatin Dixhital” lënë sërish jashtë krimet ndaj florës, faunës dhe prerjen e pyjeve

Organizatat mjedisore ngritën shqetësimin se aplikacioni “Komisariati dixhital”, i cili së fundmi ka shtuar kategorinë për krimet mjedisore, përjashton prerjen apo djegien e pyjeve si dhe krimet ndaj florës dhe faunës.

Në një takim të zhvilluar të mërkurën, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi prezantoi risinë e aplikacionit, ku renditi pesë rubrikat e reja; ndotja e ujit, ndotja e tokës, depozitimi i paligjshëm i mbetjeve, ndotje me inerte dhe ndotja akustike.

Organizatat mjedisore shprehën pakënaqësi që sërish, disa prej kategorive më të shpeshta të krimeve mjedisore, janë injoruar.

Krimet ndaj faunës lihen gjithmonë jashtë pasi siç duket, Ministria dhe institucionet në varësi të saj, nuk i konsiderojnë krimet ndaj faunës si krime mjedisore”, – u shpreh Erald Xeka nga organizata “Albanian Ornithological Society” (AOS).

Erald Xeka nga Albanian Ornithological Society (AOS)

Ai shpjegon se denoncimet për krimet ndaj faunës aktualisht mund të kryhen në katër institucione publike: Policia e Shtetit, Administrata Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Bashkitë përkatëse.

Kjo ka krijuar më shumë një amulli në rolet përkatëse të institucioneve për mbrojtjen e faunës, shpjegon më tej Xeka për Citizens Channel.

Institucionet bëjnë lojën hidh e prit. Janë edhe bashkitë që luajnë rol sa i përket territorit të tyre. Duhet me ligj të krijojnë inspektorat të vetin, por me sa kemi kontaktet me Bashkitë më të mëdha, thonë që nuk ka ende një VKM sqaruese”.

Në fjalën e tij, Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi shprehet se institucionet vetë duhet të edukohen sa i përket krimeve mjedisore.

Policia e Shtetit, jo pa keqardhje, them se mbetet ende në një fazë të rutinës kur bëhet fjala për krimet mjedisore. Është i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit së pari, injektimi i një filozofie të re pune në trajtimin e krimeve mjedisore me të njëjtën rëndësi siç trajtohen edhe krimet e tjera” – u shpreh ministri Çuçi.

Përfaqësues të organizatave theksojnë se krimet mjedisore shpesh nuk konsiderohen krime nga institucionet.

Disa nga krimet që nuk merren seriozisht janë krimet mbi florën dhe faunën që në këtë rast nuk janë futur as në rubrikat e aplikacionit për krimet mjedisore”, – sqaron për Citizens Channel Zydjon Vorpsi, ekspert shpendësh i organizatës PPNEA.

Zydjon Vorpsi, ekspert shpendësh

Vorpsi thekson se organizatat mjedisore duhet të ishin pjesë e diskutimit para se të publikohej risia e aplikacionit.

Organizatat janë vigjilentë dhe janë në terren dhe ne mund të kontribuonim akoma më mirë për të identifikuar rubrikat. Duhet të ishim ftuar të ndanim eksperiencën, njohuritë”.

“Komisariati dixhital”: Prerja/djegia e pyjeve lihet jashtë kategorive të krimeve mjedisore

Aplikacioni “Komisariati dixhital” nuk përfshin në kategorinë e krimeve mjedisore prerjen dhe/ose djegien e pyjeve. Të dhënat e publikuara tregojnë se pyjet në Shqipëri janë vazhdimisht nën sharrë apo nën flakë, pavarësisht ligjeve në mbrojtje të fondeve pyjore.

Ligji “Për Shpalljen e Moratoriumit në Pyje”, i miratuar në vitin 2016, ka si objekt ndalimin e shfrytëzimit të lëndës drusore për një periudhë 10-vjeçare si dhe ndalimin e tregtimit të produkteve drusore.

Megjithatë, të dhënat e publikuara në INSTAT tregojnë se përgjatë viteve 2016-2019 në Shqipëri janë shfrytëzuar 34,472 metër kub trupa pemësh, ku pjesa dërrmuese e tyre janë përdorur për dru zjarri dhe materiale ndërtimi.

Gjithashtu, gjatë verës së këtij viti, Shqipëria u përfshi në flakë të vazhdueshme, vatra të cilat qëndruan aktive për ditë me radhë. Temperaturat shumë të larta bënë që zjarret të përhapen në Bashki të ndryshme të Shqipërisë si Vlora, Lezha, Mirdita, Kukësi, Pogradeci, Fushë-Kruja, Skrapari, Gjirokastra, Vora dhe Tropoja.

Policia e Shtetit njoftoi se vetëm gjatë muajve të verës së këtij viti ka proceduar penalisht 14 autorë të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme dhe ka shpallur gjashtë persona në kërkim për të njëjtën vepër.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *