Citizens.al

Kombinat: Banorët kërkojnë ndërtimin e pallateve të shembura aty ku ishin

Dhjetëra banorë të Kombinatit në Tiranë u mblodhën sot në shenjë proteste, pranë rrënojave të një prej pallateve të shembura pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ndërsa kanë kaluar më shumë se dy vite nga tërmeti, ata kërkuan rindërtimin e pallateve të tyre në të njëjtin vend ku ishin më herët dhe sa më shpejt nga ana e Bashkisë Tiranë. 17 pallate janë shembur pasi u shpallën të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ndërsa në total për tu shembur janë 67 pallate.

Zana Raxhimi, banore e Kombinatit

“Unë jam banore e pallatit 153. Ne të gjithë që jemi mbledhur këtu faktikisht, jemi kombinatësa të vjetër. Lindur e rritur. Vërtet na zuri tërmeti, por ne duam që aty ku na i prishën aty edhe të na i ndërtojnë”-u shpreh Zana Raxhimi, banore e Kombinatit.

Përpos nevojës për të pasur shtëpinë e tyre, ajo rrëfen se nuk do mund të marrë aq metra katrorë sa ishte prona e saj fillestare.

“Plus edhe metrat katrorë që më kanë thënë kur ishte ish-kryetari i minibashkisë, nuk të takojnë tha 98 metra se je dy veta, por të takojnë 65 metra. Unë dua aq sa më prishën, aq të më japin,”-thekson Zana.

Për Skëndër Brukaj , i cili jeton prej 50 vitesh në Kombinat shembja e këtyre pallateve ishte i panevojshëm.

Skënder Brutaj, banor i Kombinatit

Edhe tani kohët e fundit u prish, ka nja një muaj që u prish ky pallati. Ishin pallate që thonin, janë pallate te dobëta, por kur vjen fundi këto pallate janë më të mira nga të gjitha pallatet. Kto vetëm një riparim donin. Një riparim nga brenda dhe nga jashtë dhe u bënin yll fare. Nga 2019 e deri tani, e kur vjen fundi asnjë tullë nuk i ra këtij pallatit tonë. Jo këtij, po asnjë pallati nuk i ra tulla këtu. Këto deshën dhe i shemben vetë“-tha ai për Citizens Channel.

Familjet që kanë qenë pjesë e pallateve tashmë të shembura kanë përfituar bonusin e qirasë së ofruar nga bashkia Tiranë, për të cilin shprehen se është i pamjaftueshëm.

“Bonusi i qirasë, por është 180, unë e paguaj 250 shtëpinë atje. Le të vijë Erion Veliaj ta gjejë një shtëpi aty me 180 mijë lek”-tha Zana Raxhimi.

Ndërsa bëjnë thirrje për ndërtimin sa më shpejt të pallateve, me qëllim që të mund të gëzojnë pronën e tyre.

Nuk rri dot në shtëpinë e huaj unë atje në pallat, se nesër ai thotë dil përjashta, më lëro vendin dhe hajt. Ku do të shkoj në rrugë unë? Gjithë Kombinati është shkëputur te Cabejtë. Apo si kanë ngritur edhe qiratë ata. Sa filluam ne që do hynim atje, filluan nga 120, 200 dhomë e kuzhinë, 250. Dhomë e kuzhinë. Të gjithë plaçkat që I kemi kanë ikur kot fare. Ato që janë aty s’bëjnë fare”,-përfundon Skënderi.

Edmond Çata, banor i Kombinatit, në bashkëbisedimin me banorët e tjerë, vuri në dukje faktin se qeverisë shqiptare i kushton më shumë mbajtja e banorëve me qira, ndërsa rindërtimi në të njëjtin vend ka më pak kosto dhe duhet të kryhet sa më shpejt.

Edmond Çata, banor i Kombinatit

“1.7 milion euro vetëm për bonuse për atë 180 mijë lekëshin. Një pallat Edi Ramës nuk i kushton më shumë se 550 mijë euro. Pra llogariteni vetë sa pallate janë humbur. Por nuk është kjo çështja, Një pallat sot të fillojë, do dy vjet, 3 vjet të mbarojë. Jo më 40 pallate. Pra, 1.7 milionë euro që i ka harxhuar, ai sikur sot të fillojë do detyrohet ti harxhojë prapë në vitet e ardhshme”-u shpreh Cata.

Në vendimin e marrë nga bashkia Tiranë për shembjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti, kryetari i baskisë Erion Veliaj u shpreh se kostoja e riparimit të tyre kalon në vlerën mbi 70% duke theksuar se sipas ligjit, duhet të rindërtohen nga e para.

“Vendimi ka të bëjë me prishjen e detyruar të ndërtesave pallate, si rezultat i dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky vendim lidhet me pallatet në Njësinë 6, në zonën e Kombinatit, për të cilin në kemi zhvilluar 8 seanca maratonë, ku çdo pallat është studiuar dhe prezantuar në mënyrë transparente nga inxhinierët, me të gjithë librat e kontrolleve dhe akt-konstatimet e projekteve inxhinerike-“u shpreh Veliaj.

Mirëpo, pallatet të cilat nuk janë shembur ende, kanë nisur betejën ligjore kundër bashkisë Tiranë. Përkatësisht pallati 146 dhe 157 kanë fituar gjyqin pranë Gjykatës Administrative kundër bashkisë Tiranë, duke provuar se dëmtimi në këto pallate nuk është i atillë sa lejon shembjen.

Sikurse për dy pallatet më sipër, banorët kanë dërguar padi edhe 15 ndërtime të tjera, të cilat sipas ekspertizës së bashkisë kanë rezultuar të pabanueshme.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *