Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Lulishtja “Çajupi”, rikonstruksioni me stola dhe rrugë betoni lë të pakënaqur frekuentuesit

“Lulishtja Çajupi”, e ndërtuar në vitet 1955-1960, bashkë me bllokun e pallateve “1 Maji” në Tiranë është një ndër të paktat hapësira çlodhëse për të moshuarit. Një grumbull tryezash nën një kupolë metalike, janë një vend mbledhje ku luhet domino, shah, tavëll ndërsa grupe të ndryshme formohen për të komentuar apo vështruar lojën.

Në vitin 2019, si pjesë e një projekti të Bashkisë Tiranë për “Ndërtimin e Mikrohapësirave Publike”, i cili i kushtoi qytetarëve rreth 500 mijë euro, lulishtja iu nënshtrua rikonstruktimit.

Foto: Projekti i rikonstruksionit të Sheshit Çajupi

Në përshkrimin e projektit për lulishten Çajupi, shpjegohet se ndërtimi i sheshit të lojërave, do ta kthente në një “landmark që merr inspirim nga vetë funksionaliteti i kësaj zone, ku komuniteti zhvillon lojërat e tavolinës”, ndërsa shtjellohet më tej se mbulesa metalike do të krijonte hije dhe mund të përdorej edhe për funksione të tjera apo organizim eventesh.

Një vëzhgim i zonës dhe bisedat me personat që e frekuentojnë parkun tregojnë një realitet tjetër. Tavolinat janë dëmtuar, ndërsa të moshuarit duket se thuajse i kanë bojkotuar ulëset e ftohta të betonit, duke i zëvendësuar ato me karrige druri apo kauçuku apo mbulesa të improvizuara nga mjete rrethanore.

Shife, a ulet njeriu në beton? Si në verë ashtu dhe në dimër ata të shkretët ulën nëpër betone. Shihe, stola i thonë atyne? Çohet në 5 të mëngjesit ky të kalojë kohën në domino”, – tregon Agimi*, një burrë rreth të 40-ave, duke ia drejtuar gishtin babait të tij, i cili është një pjesëtar i rregullt i grupit të dominosë.

Normal që do të marr karton që të ulem se na ftohen të ndenjurat moj. Flasim drejt”, – tregon një tjetër i moshuar.

Struktura e sheshit të lojërave në park para rikonstruktimit – Foto nga “Google Earth” – Viti 2016

Në përshkrimin e projektit specifikohet se “zona e lojërave do të shtrohet me beton të sprucuar, ndërsa hijezimi i kësaj hapësire do të ofrojë më shumë komoditet për përdoruesit”. Frekuentuesit e parkut tregojnë të kundërtën, ndërsa shprehen të pakënaqur edhe për strehën metalike, që dukshëm është një ndër ndërhyrjet më të kushtueshme në park.

Foto: Kupola mbi sheshin e lojërave në projektin e Parkut

Tani vuni gjithë këtë kupolë gjoja për t’u mbrojtur, ajo s’të mbron as nga shiu, as nga era, as nga dëbora, as nga dreqi as nga shejtani! Siç bie futet atje. Ka harxhuar gjithë ato hekura për të marrë para”, – thotë babai 80-vjeçar i Agimit.

Ai shprehet nostalgjik për ulëset e drurit dhe tavolinat e mermerit që sheshi i dominosë kishte para rikonstruktimit: “Ato ishin të shkëlqyera moj bijë. Tavolinat ishin prej mermeri, vetëm t’i riparonin një çik ato”, – kujton ai ndërsa pret t’i vijë kafeja në lokalin krah parkut.

Stolat e drurit në park para rikonstruksionit | Foto nga “Google Earth” – Viti 2016

Ndërsa sjell kafenë, Mira, një zonjë rreth të 50-ave, ndërhyn duke thënë se ajo është personi i duhur për të komentuar situatën, pasi punon prej vitesh në atë zonë.

Këtu ka qenë lulishtja yll, morën lekët, ene e bonë lulishten copë. Më pyt mua që kam punu këtu… Aty dielli bie, aty shiu bjen, të gjitha bien. Këto janë super hajdutë”, – revoltohet Mira, e cila thotë se i ka rënë klientela qëkur u tjetërsua parku.

Neve do na zhdukin. Kjo këtu pasditeve është zonë e vdekme. Kjo zona këtu ka qenë e popullume”, përfundon ajo.

Banorët tregojnë se ndryshimet në pjesët e tjera të lulishtes që ka një sipërfaqe prej 3100 m2 kanë ndikuar që ajo të shpopullohet. Projekti i rikonstruktimit ka hequr krejtësisht stolat prej druri duke i zëvendësuar ato me ulsëse statike betoni, ku mbështetëset mungojnë.

Foto: Ulëset e betonit në parkun e rikonstruktuar

Kush, unë të ulem atje?”, – thotë një tjetër i moshuar në kafenenë e Mirës, duke iu referuar ulëseve të reja. “Të thyej qafën në beton? Më vjen keq, nuk ulem. Ja, u mbështeta, për shembull, siç jam në karrige tani, tak, re me kokë mbrapsht, ike”.

I kishim stolat, ata na i hoqën dhe bënë betone. Ato betonet dy muaj dhe u thyen të gjitha dhe pleqtë marrin karrige nga kazanët e plehrave dhe ulën. Karriget ça hidhen në plehra, i mbledhin pleqtë”, – rrëfen i moshuari.

Një tjetër shqetësim i frekuentuesve të parkut lidhet me rrugët e kalimit të cilat janë shtruar me beton të sprucuar, që gjatë ditëve me shi bëhet i rrëshqitshëm.

Rrugët e kalimit të shtruara me beton të sprucuar

Edhe unë kom frikë me kalu atje dhe i bi kshu”, – tregon një tjetër banor që po ashtu po konsumon kafenenë tek lulishtja “Çajupi”.

Ndërhyrja në park duket se ka lënë të pakënaqur frekuentuesit dhe bizneset përrreth, që shprehen njëkohësisht nostalgjik për lulishten e vjetër e të revoltuar për paratë publike të shpenzuara.

Një vjedhje klasike”, – e përmbyll përshkrimin një prej banorëve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *