Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Organizatat për mbrojtjen e gazetarëve: Të hetohen me shpejtësi shkeljet e të dhënave private dhe frikësimi i gazetarëve

Safe Journalist (SJ),  Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe Reporterët pa Kufij kanë bërë thirrje për hetim të shpejtë dhe të plotë për shkeljet e të dhënave private dhe frikësimin e gazetarëve.

Organizatat i kanë shkruar Besnik Dervishit, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Shqipërisë, njofton Safe Journalists. 

Ato i referohen dy rasteve të fundit ku dy gazetarëve i janë prekur të dhënat personale dhe janë frikësuar për shkak të raportimit që kanë bërë për procesin e vetingut për ish prokuroren Elizabeta Imeraj.

Në letrën dërguar komisionerit, organizatat “nxisin zyrën të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë për shkeljen e të dhënave personale – e cila më pas u përdor për të frikësuar dhe për të ushtruar presion ndaj njërit prej gazetarëve” .

Dhe që personat e përfshirë t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me rolin e tyre në atë që duket të jetë frikësimi i koordinuar i shtypit”, vijon letra.

Në muajin mars të këtij viti, gazetari i Ora News Isa Myzyraj “u përball me frikësimin nga individë të shumtë të cilët kërkuan që ai të mos komentonte dhe raportonte mbi procesin e apelimit për vettingun e Imerajt”, përcjell Safe Journalist. 

Isa Myzyraj, gazetar Ora News

“Shantazhi dhe frikësimi i gazetarëve”

Raportimi për procesin e vetingut për ish prokuroren Imeraj është shoqruar me shantazhe ndaj dy gazetarëve, Isa Myzyraj dhe gazetarit të BIRN Edmond Hoxhaj, përcjell Safe Journalists. 

Disa media online publikuan lajme “të pa vërteta për anëtarët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)”. Në ONM ka gjyqtarë dhe prokuror të huaj të cilët merren me mbikqyrjen e vetingut. Myzyraj postoi në mediat sociale se mbrapa këtyre mediave online ‘fshiheshin’ njerëz që kishin lidhje me Imerajn.  

Pas kësaj gazetari tregon se kanë nisur presionet ndaj tij. Safe Journalists përcjell në letrën dërguar komisionerit se një nga familjarët e Myzyrajt është kontaktuar nga një individ me një marrëveshje që gazetari të mos mbulonte prokuroren”.

Pas kësaj, SJ shton se gazetari ka marrë një telefonatë kërcënuese nga një tjetër individ, ku i është komunikuar se nëse vijon të raportoj  “do të kishte pasoja për të dhe familjen e tij”.

Më tej Myzyrajt i është dërguar një tjetër mesazh i cili përmbante të dhëna personale, një pamje të certifikatës së familjes së tij nga Gjendja Civile. Të dhënat janë të disponueshme vetëm për noterët e regjistruar në Shqipëri.

Mesazhet përmbanin kërcënime ndaj gazetarit dhe qartësisht synonin frikësimin e tij”, shkruan Safe Journalist.

Rast i ngjashëm ka ndodhur edhe me gazetarin e BIRN, Edmond Hoxhaj. 

Edmond Hoxhaj, gazetar i BIRN

Hoxhaj ka raportuar procesin e vetingut që në nisje të tij. Në fund të muajt prill, Hoxhaj zbuloi se të dhënat e tij personale ishin vjedhur. Ai arriti të zbulojë se të dhënat ishin marrë nga noteri i quajtur Agron Bajri, i cili është ish-bashkëshorti i Elizabeta Imerajt. 

Bajri kishte shkarkuar certifikatën e familjes së tyre më 14 prill 2022, pa autorizimin e tyre, përcjell Safe Journalists.  “Ndryshe nga Myzyraj, Hoxhaj nuk ka marrë kërcënime për raportimin e tij të lidhur me certifikatën”, shton më tej. 

Organizatat theksojnë në letrën dërguar komisionerit se rasti i Hoxhaj tregon qartazi që noteri Bajri ka aksesuar të dhënat pa lejen e tij. 

Ato i bëjnë thirrje “që të vërtetoni me vendosmëri faktet në lidhje me këtë rast”

Partnerët e MFRR gjithashtu do t’i shkruajnë Agron Bajrit me një kërkesë për të sqaruar rolin e tij në aksesin në certifikatat familjare të z. Myzyraj dhe z. Hoxhaj pa autorizimin e tyre. Ne mirëpresim gjithashtu hetimin e hapur nga Prokuroria e Tiranës”, thuhet në letër. 

Letra është firmosur nga 7 organizata: ARTICLE 19 Europe, European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), Free Press Unlimited (FPU), International Press Institute (IPI) ,OBC Transeuropa (OBCT), Reporters ëithout Borders (RSF), Safe Journalists Netëork.

Ato ngrenë dyshime se këto dy raste janë të lidhura dhe janë pjesë e të njëjtës fushatë ngacmimi ndaj anëtarëve të IMO-së. 

Presioni dhe frikësimi i gazetarëve që raportojnë për procesin e vetingut të një prokurori – një çështje e qartë me interes publik – janë të papranueshme dhe synojnë qartësisht të frustrojnë transparencën dhe zbatimin shumë të nevojshëm të reformës në drejtësi”, theksojnë ato.  

Sipas organizatave, këto raste tregojnë një çështje më të gjerë të kërcënimeve ndaj sigurisë së gazetarëve që hetojnë lidhjen midis autoriteteve shtetërore dhe korrupsionit.

Së fundmi, në letrën e tyre organizatat theksohet nevoja për hetime efektive dhe përgjigje përfundimtare të këtyre rasteve. 

Indeksi i Lirisë së Medias për 2021 e renditi Shqipërinë në vendin e 103 nga 180 vende, duke shënuar kështu renditjen me të ulët historike të Shqipërisë. 

“Siguria e gazetarëve në Shqipëri”

Gjatë vitit 2021, sipas Mapping Media Freedom janë regjistruar 13 raste të sulmeve dhe presioneve ndaj gazetarëve. 

Në nëntor të vitit 2021, gazetarja Anila Hoxha dhe grupi i xhirimit të Top Channel u dhunuan teksa po raportonin nga terreni, dukle u shtyrë nga një efektiv policie.

Në dhjetor të vitit 2021 gjatë raportimit për një çështje pronësie, gazetarja e televizionit “Fax News”, Sara Demushi u dhunua verbalisht dhe fizikisht.

Në tetor të vitit 2021, Ledio Guni, operator i televizionit “Fax News” u dhunua fizikisht teksa po dokumentonte një mosmarrëveshje mes mësuesve dhe familjeve të fëmijëve në një lokal pranë një shkolle të mesme.

Në gusht të vitit 2021 gazetarja Alice Taylor e platfomës “Exit News” mori mesazhe fyese dhe kërcënim me vdekje për një tekst që ajo publikoi në blogun e saj.

Në korrik të vitit 2021 gazetari Ergys Gjencaj nga “News24” u godit dhe u ndalua të filmonte një operacion anti-drogë të policisë pranë Akademisë ushtarake në Tiranë.

Më prill 2021 Prokuroria speciale kundër Krimit të Organizuar kërkoi nga gazetarët Andi Bushati dhe Armand Shkullaku të dorëzonin një “databaze” që përmbante të dhënat personale të më shumë se 910.000 votuesve në Shqipëri.

Në shkurt të 2021, gazetarja Fjona Cela pranë “Fax News” asokohe u ndalua nga zëdhënësja për median pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale të intervistonte specialistë të shëndetit publik.

Po ashtu, gjatë vitit 2021, gazetari i Ora News, Isa Myzyraj u ndalua nga roja e sigurisë së kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, teksa po tentonte te bënte pyetje ndaj këtij të fundit.

Në të njëjtën situatë u gjend edhe gazetari i Ora News, Ronaldo Sharka, i cili u dëbua nga një takim elektoral i organizuar nga kryetari i bashkisë Tiranë.

Ndërsa për vitin 2022 deri më tani janë regjistruar 10 raste të dhunës ndaj gazetarëve.

Edhe raporti i fundit i Këshillit të Europës trajtoi me shqetësim lirinë e medias në Shqipëi. Raporti përmend Shqipërinë si pjesë e vendeve ku janë raportuar incidente sulmi nga forcat e policisë gjatë raportimit të ngjarjeve publike.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *