Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Madhesh: Hidrocentrali që shuan shpresën e banorëve për të investuar në vendlindje

Banorë dhe emigrantë nga fshati Madhesh në Mat u mblodhën sërish dje për të kundërshtuar hidrocentralin me dy vepra marrjeje në lumin Lunre, degë e fundit e lumit Mat.

Së bashku me fëmijët e tyre ata shprehën kundërshti ndaj projektit të radhës që sipas tyre do të shkretojë zonën e do të zbehë edhe dëshirën e atyre që duan të kthehen në vendlindje për të investuar në agroturizëm.

Protestë e omunitetit kundër hidrocentralit në lumin Lunre, Mat

Andrra jonë është gjithmonë me u kthy mbrapsht. Me investu për fëmijët. Për vendin na qan zemra, e dum shumë”, – thotë Kastriot Miza për Citizens Channel, i cili protestonte së bashku me bashkëshorten, Ritën dhe tre fëmijët e tyre.

Kastriot Miza dhe djali i tij protestojnë kundër hidrocentralit në lumin Lunre

Ata jetojnë prej disa vitesh në Greqi, por duan të kthehen në Madhesh dhe të ndërtojnë një bujtinë. Kjo ishte një dëshirë e kahershme e tyre, që tashmë mund të mbetet e parealizuar, në rast se merret leja për ndërtimin e “HEC-it Madhesh”.

Kena mendu me ba një investim të vogël para tre vjetëve po për shkak të karantinës u blloku investimi. Tashti që erdhi ora për me e ba, erdhi edhe ora e HEC-it”, – shprehet Rita për Citizens Channel.

Rita Miza, protestuese

“HEC-i Madhesh” listohet te hidrocentralët e vegjël, me një fuqi të instaluar prej 930 kW. Lumi Lunre e ka burim nga malet, që njihen ndryshe si Gurra e Skënderbeut dhe derdhet në liqenin e Shkopetit.

Të pezmatuar, banorët pohuan dje se burimet e Madheshit janë dëmtuar nga një tjetër hidrocentral aty pranë, “HEC-i Gurra”, që ka futur në tuba ujin e pijshëm. Tashmë Lunreja është e vetmja rrjedhë që i mbetet banorëve për vaditje.

Aktualisht, ata kanë bo projektet për me ndërtu një HEC tjetër. Pra, me ia pre dy krahët. Dhe si mund të jetojë dikush pa dy krahë? S’ka, nuk jeton, jena të detyruar të largohemi”, – thotë për Citizens Channel Eduard Miza, një tjetër protestues.

Të njëjtën gjë pohon dhe Arta Miza, nga organizata lokale “Miqësia Ulëz”. “Banorët e Madheshit tradicionalisht janë marrë me bujqësi, me blegtori, pemëtari, vreshtari dhe peshkim. Kohët e fundit interesi për peshkim është rrit shumë”, – rrëfen Artani. “Po të futet uji në tuba, gjithë ky fshat degradon i gjithi”.

Artan Miza, shoqata mjedisore lokale “Miqësia Ulëz”

Hidrocentrali do të zhvillohet nga subjekti privat i quajtur “A.R.M-Albania sh.p.k me administrator Fatos Malaj, vëllai i kryetarit të bashkisë Mat, Agron Malaj. Akuzave të banorëve, administratori Malaj i është përgjigjur duke i thënë se ata janë të lirë ta ndjekin çështjen në rrugë gjyqësore dhe se i ka zhvilluar konform rregullave të gjithë procedurat.

Nga ana tjetër, banorët shprehen se nevojat e komunitetit shkojnë kah agroturizmit. “Për ça arsyeje shteti, bashkia, nuk i jep prioritet agroturizmit, po i jep hidrocentralit që do me ba vetë? Atëherë, ai dashka me fitu vetë”, – citon Kastriot Miza, cili beson se çështja do të fitohet nga komuniteti.

Eduard Miza, protestues

Jo, do fitojmë, jo i themi ne se këtë tokë e kemi të trashëguar, është e jona. Ka ardh në vendin tonë, ka ardh në shtëpinë tonë”.

Situata aktuale në Madhesh

Aktualisht, punimet në terren nga firma private “A.R.M Sh.p.k” nuk kanë filluar ende, pasi leja tre-vjeçare për përdorim të burimeve ujore nga subjekti privat ka skaduar në vitin 2020. Firma private nuk ka mundur të nisë me punimet pasi Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) nuk ka e miratuar ende lejen e ndërtimit për këtë HEC.

Si pasojë e mos pajisjes me leje ndërtimi brenda afatit kohor prej dy vitesh për fillimin e punimeve, “A.R.M sh.p.k” i është nënshtruar nga e para procedurës se Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), që do t’i mundësojë marrjen e lejes dhe nisjen e punimeve.

Nga ana tjetër, përpos protestave në terren, komuniteti po e ndjek çështjen dhe në rrugë ligjore. Dorina Ndreka, përfaqësuesja ligjore e komunitetit nga Klinika e Ligjit, ka thënë më herët për Citizens Channel se janë ngritur dy padi pranë Gjykatës Administrative të Tiranës dhe është kërkuar shfuqizimi i kësaj lejeje për shkak të mbarimit të afatit.

Në VNM-në paraprake për “HEC-in Madhesh”, theksohet se punimet nuk do të kryhen brenda një zone të mbrojtur.

Por, dokumentet-zyrtare nga Bashkia Mat thonë shprehimisht të kundërtën. Në shkresën e datës 13.09.2017, nr. 2227 thuhet se projekti hidrik do të kalojë në zonën e mbrojtur Liqeni i Ulzës, Park Natyror (kategoria e IV).

Në po të njëjtin dokument, pra në VNM-në paraprake, theksohet se nuk do të lihet ujë për vaditje, por do të shfrytëzohet i gjithi për prodhim energjie. “Uji që do të lihet për vaditje nuk ka sepse nuk ka kërkesa për vaditje në ketë zone”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *