Nga Artan Rama*
Erion Braçe, deputeti socialist i Qarkut të Fierit dhe përfaqësues i banorëve të Divjakës që, prej afro 30 vjetësh, qëndron i ulur në të njëjtën karrige në Kuvendin e Shqipërisë, ka prodhuar së fundi, një video-selfi kundër Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, një prej institucioneve të reja kombëtare, në përbërje të së cilës punojnë, plot pasion e përkushtim, një numër rejnxhërsash të rinj, vajza e djem, mbrojtës së pasurive natyrore të vendit.
Në video, ai denoncon ngritjen e qendrës së vizitorëve dhe vendosjen e traut në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku për herë të parë, qysh nga themelimi i Parkut, po shërben për vjeljen e biletave të vizitorëve dhe për kontrollin e lëvizjes së makinave private.
Siç pritej, video po merr klikime të shumta dhe një numër i madh shikuesish, natyrisht që një pjesë e të cilëve, kundërshtarë të Erion Braçes, në politikë apo në qeverisje, po reagojnë në favor të qëllimeve për të cilat video u krijua. Në reagim, policia shkuli traun, ndërkohë që Agjencia po shndërrohet në pikën fokale të një fushate urrejtjeje në rrjetet sociale. Me mijëra komente e përshkruajnë atë si një bandë grabitësish që po rrjepin popullin. Por do të ishte gabim që problemi të shihej vetëm te reagimi i popullsisë së rrjeteve, ku video po përhapet me shpejtësi. Nëpërmjet saj, deputeti socialist synon mashtrimin e publikut, duke e zhvendosur fokusin, nga përgjegjësitë e autoriteteve, drejt përfitimeve për qëllime të ngushta elektorale.
Kjo ngjarje është një ndër episodet e shumta që tregon sesi përpjekjet për të ndërtuar institucionet, për të begatuar dhe për të administruar territorin, sulmohen sistematikisht, gjoja në emër të interesave publike, por që në fakt, qëllimi i vërtetë është shkatërrimi i këtyre institucioneve.
Ndonëse në dukje deputeti ankohet për vendosjen e traut dhe për tarifat që duhen paguar nga qytetarët (pa e përmendur se hyrja ditore e vizitorëve kushton vetëm 50 Lekë), në thelb, ai kujdeset për shumicën e tij elektorale, votat e së cilës mund t’i japin mandatin e tetë të deputetit dhe socialistëve, qeverisjen e radhës. Ai flet në emër të fermerëve, interesat e të cilëve pretendon se i mbron; pikërisht të atyre të cilët, disa vite me parë, përkrahën verbërisht e me entuziazëm të madh, projektin famëkeq të Behgjet Pacollit që synonte ngritjen një resorti turistik me përmasa të jashtëzakonshme, brenda territorit të mbrojtur të Parkut Divjakë-Karavasta.
Por, a ka të drejtë, si përfaqësues i popullit që “të shkulë” autoritetin nga mbrojtja e Parkut; t’i quajë publikisht, përpjekjet e Agjencisë, një lajthitje?
Në fakt, qëllimi është që të intimidojë AKZM-në; të përgojojë rejxhersat, në mënyrë që ata të poshtërohen nga turma e rrjeteve. Kjo teknikë shtetshformuese po përhapet si një metastazë gllabëruese në mbarë vendin. Synimi është i qartë dhe pasoja, dëshpëruese. Ndonëse nuk të vret, siç vrau skafi i pakontrolluar vajzën 5-vjeçare disa javë më parë, ajo demton po njësoj dhe ushqen të njëjtën karakteristikë primitive, me pasojë braktisjen e territoreve dhe lënien e zonave të rëndësisë kombëtare jashtë kontrollit.
Në misionin e tyre të përfaqësimit, deputetët nuk janë thjesht të dërguar të zgjedhësve të tyre. Ata janë përfaqësues të një shtrese më të gjerë njerëzish, të cilët, jo domosdoshmërisht i përkrahin, apo që kanë votuar për ta. Ligjet që miratojnë dhe aktiviteti i tyre politik u shërben të gjithëve dhe aspak interesave elektorale, apo interesave personale. Kësisoj, ata duhet dhe kanë detyrimin, t’u shërbejnë edhe shtetasve që kanë marrë përgjegjësinë për të mbrojtur pasurinë e vendit.
Aksioni kundër administratës së zonave të mbrojtura është një hile e cila ushqen dhe përkrah pretendimet joligjore (Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është institucioni i vetëm publik qëndror që administron të gjitha zonat e mbrojtura mjedisore) të Bashkisë së Divjakës për të grumbulluar të ardhurat që gjenerohen nga Parku, në favor të saj.
Administrata qëndrore e zonave të mbrojtura në Tiranë vazhdon të heshtë. Së fundi, pushteti i saj është reflektuar në përcjelljen e një urdhri, drejt agjencive rajonale, për ndalimin e çdo postimi, apo reagimi në publik që ka të bëjë me përditshmërinë e tyre, duke ndërprerë traditën motivuese të një administrimi autonom lokal. Ata që guxuan të bënin të kundërtën, u ndëshkuan.
Deri tani, përpjekjet për rivendosjen e traut kanë dështuar, duke dhënë përshtypjen e diçkaje, vërtet të paligjshme, ose të komplikuar.
Administrata e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta është plotësisht legjitime dhe krahas së drejtës, qysh prej 2021-shit, ka detyrimin ligjor për të gjeneruar të ardhura nga grumbullimi i tarifave. Si për ironi, vendimi për vendosjen e tarifave është firmosur nga deputeti Brace, në kohën kur ishte zëvendëskryeministër. Ai shfrytëzoi pozicionin në qeveri, duke e vonuar kalimin e projektvendimit më shumë se një vit, por nuk ia doli ta ndalojë, ndonëse loboi që tarifa e vizitorëve të ulej në një vlerë të papërfillshme. Për njerëzit që nuk mendojnë, kjo mund të duket një përpjekje e lavdërueshme. Me gjasë, edhe vetë deputeti beson se vendosja e një tarife të tillë, kaq e papërfillshme në vlerë, në një kohë kur vlera e kostos së një jetese normale po rritet progresivisht, mund ta zbusë, apo mund ta përmirësojë jetesën e njerëzve të varfër. Në fakt, kjo teknikë mashtrimi e cila synon lartësimin e imazhit të tij drejt shndërrimit në një politikani-shenjtor, rrezikon të shkatërrojë parqet dhe burimet tona kombëtare. Aksioni populist kundër tarifave, duke shfrytëzuar reagimin e rrjeteve, është i ngjashëm me justifikimin për zhvendosjen kaotike të shqiptarëve, në fillim të viteve ’90, në emër të lëvizjes së lirë. Falë këtyre tarifave, të cilat, sidoqoftë, po hyjnë në forcë me vonesë, tani, parqet tona mund të gjenerojnë më shumë të ardhura, të vlefshme për të mbrojtur integritetin e tyre; për të kontrolluar më mirë territorin dhe për të administruar më lehtë rreziqet në rritje.
Përgatitja e video-s, e më pas hedhja turmës së rrjeteve sociale, synon çoroditjen e publikut për ta larguar vëmendjen e tij nga armiku i vërtetë i Parqeve Kombëtare. Të ashtuquajturat investime strategjike të cilat, nuk janë tjetër, veçse koncesione të përmasave disa milionëshe, po sulmojnë prej kohësh rezervat tona natyrore. Habitatet më të rëndësishme dhe peizazhet më tërheqëse, nën bekimin e autoriteteve, u janë lëshuar me kontrata koncesonare disavjeçare, koorporatave të huaja financiare (Aeroporti i Vlorës brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë; një tjetër miratim në zonën qëndrore të Parkut Kombëtar të Butrintit është në rrugë e sipër). Qëllimisht, duke e zhvendosur vëmendjen nga këto ngjarje, pasojë e drejtpërdrejtë e vendimmarrjes së tyre, politikanët dhe burokratët e papërgjegjshëm të administratës po ushqejnë një kulturë mashtrimi në rritje, ndikimi i së cilës tejkalon interesat e mashtruesit.
Është kjo pamundësi administrimi që në trajtën e një sëmundjeje brenda sistemit tonë imunitar të qeverisjes, arriti të na “grabisë” Butrintin, duke ia kaluar administrimin, deri në 2032, një grushti biznesmenësh, destinacioni i të cilëve është mirëqenia e korporatave të huaja financiare, por jo interesi publik i shqiptarëve.
Përmes disa video-selfi të zhurmshme, të nxjerra kohët e fundit, deputeti socialist, po përpiqet të fabrikojë një profil të ndryshëm nga ai i partisë, apo i qeverisë së cilës i përket, ndërkohë që heshtja e administratës qendrore e zonave të mbrojtura, e uzurpuar së fundi, nga një grusht burokratësh të komanduar, nën drejtimin e ministrit të ri të Turizmit dhe Mjedisit, po zbeh arritjet e deritanishme. Në këtë mënyrë, këta sharlatanë të politikës, së bashku më të singjashmit e tyre burokratë të administratës, rimodelojnë vetveten, duke krijuar iluzionin se zonat e mbrojtura janë nën kujdes.
Në të vërtetë, hipokrizia e tyre po mbyt çdo përpjekje të sinqertë për të vendosur burimet natyrore të vendit nën kontroll. Ajo po shtyp çdo energji në drejtim të krijimi të institucioneve autonome për mbrojtjen e këtyre burimeve.
Shoqëria jonë duhet të çlirohet, njëherë e përgjithmonë nga këta keqbërës, të cilët, të ulur prej vitesh në karriget e Kuvendit, propagandojnë, gjoja në emër të qytetarëve, por që në të vërtetë, i shërbejnë vetvetes.
Këta parazitë të zhurmshëm, do të vazhdojnë të uzurpojnë politikën deri në çastin kur dikush (apo disa prej nesh) të zgjohet e t’i dëbojë, njëherë e përgjithmonë.
*Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai e fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016. Së fundi është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm.