Liza Marku u dëbua me dhunë nga shtëpia e saj në 19 janar të këtij viti. Shtëpia e saj u shemb për t’i hapur rrugë Planit të Detyruar Vendor që e shndërron lagjen “5 Maji” në projektin Tirana Riverside të arkitektit Stefano Boeri.
Ditët e fundit Liza është akuzuar personalisht nga kryetari i bashkisë Erjon Veliaj.
“Shkoni pyesni nënën Lizën, ikona e Partisë Demokratike, çunat e vetë të OFL – së, me 20 Range Rovera, organizuan gjithë dynjanë aty. Nënën Liza firmosi 500 metra katrorë të Stefano Boerit te 5 Maji, kur e kuptoi që nuk e ndalon dot progresin ”,- u shpreh Veliaj dy ditë më parë, gjatë prezantimit të buxhetit 2023 në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në Tiranë.
Por cila është e vërteta e kësaj deklarate?
Prej 10 muajsh e moshuara jeton në një shtëpi me qira në zonën e njohur si “Bregu i Lumit”. Ajo përfaqëson një nga familjet e zonës që nuk pranuan të nënshkruajë marrëveshjen e shpronësimit me Bashkinë e Tiranës, që i jep bonusin e qirasë dhe një apartament në vend të banesave që u shembën.
“Unë as skam firmos 500 metra, as nuk e di se ku janë, në qoftë burrë të vij të mi japi ato 500 metra këtu, i du këtu. I du këtu mos të kujtoj se i dua sociale, nuk i dua sociale, se i kam pas proces legalizimi. I kanë tërheq letrat, i kanë fshehur, që në 2018, mos kujtoj se nuk e dimë, se gjërat merren vesh”,- tha Liza Marku për Citizens Channel.
Shtëpia e Liza Markut pas aksionit te IMT Tiranë në janar 2022 ; Foto: Lorin Kadiu | Citizens Channel
Bashkia e Tiranës ka akorduar bonus qiraje për 147 familje të zonës “5 Maji” gjatë vitit 2022. Një kërkim i Citizens Channel në listën e përfituesve me vendim të Këshillit Bashkiak, tregoi se asnjë prej këtyre emrave nuk i përket Liza Markut apo të afërmve të saj.
Ajo gjithashtu është akuzuar në fjalimin e kryetarit të bashkisë për veprimtarinë kriminale të djemve të saj, të cilët prentendon se kanë qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.
“Çunat e mi janë në Greqi, në dru, në beton, në hekur, sikur janë duke punuar këtu në ndërtim. Nuk janë marrë me asnjë lloj gjëje dhe unë i dal ballë për ballë Erjon Velijës dhe Edi Ramës dhe kujtdo dhe çdo partie që të jetë”,- shpjegon ajo për Citizens Channel.
Liza Marku kujton me nostalgji momente nga jeta e saj në rrënojat që tashme kanë mbetur në hapësirën që dikur ngrihej shtëpia e saj tre katëshe.
“Unë kam bë katër dasma këtu, kam ndenj me burrin 15 vjet sëmurë, paralizuar dhe një gjë kush nuk ma dha, asnjë ndihmë shteti s’ma dha. Kam bë dhe mortin këtu. Kemi bë dhe festa, darka këtu, sot vij e shoh dhe një kolonë i thashë asaj, është një kolonë hala nuk e kanë kput krejt”,- kujton Marku.
Në lidhje me etiketimin si “ikonë e Partisë Demokratike” e moshuara tha se nuk mbështet asnjë parti, pasi askush nuk ka qenë aty kur policia zaptoi mbi pronën e saj.
“As kam kartë partie, as demokratikes, as socialistes. Unë mbi të gjitha jam me fëmijët e mi dhe me krahët e mia. Nuk i bie më qafë kërrkujt, nuk i kam kërku gjë fal kurrkujt, as ma kanë dhënë një gjë më të vogël, një pako sheqer që pinim kafe në lokal, prej asnjërit se kam”,- përfundon ajo.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.