Në qendër të qytetit të Lezhës u hap ekspozita me titull “N’shesh t’burrave pa burrni”. Ekspozita sjell në vëmendje dhunën me bazë gjinore dhe femicidin.
“Një ekspozitë të punuar me nerva të tendosura e me zemër të thyer për jetët e humbura, dhunuara e shtypura të vajzave dhe grave Shqiptare”,- shkruan qendra HANA në lidhje me ekspozitën.
Instalacionet janë vendosur në sheshin “Besëlidhja” në qytetin e Lezhës, duke ngacmuar kureshtjen e qytetarëve aty.
“Në ato 2 orë, vëzhguam se nuk mungon interesi, madje as predispozita e njerëzve për të folur gjerë e gjatë mbi çështjen me revoltë e pasion; mungon vullneti i mirë për tu ulur ‘këmbëkryq’ me këta njerëz duke folur rreth çështjes së perceptimeve të roleve gjinore”, përcjell qendra HANA.
Ekspozita trajtoi disa tematika, si gjuha e urrejtjes në media, patronizimi i gruas, shifrat e femicidit me qëllim edukimin e vizitorëve mbi luftën për liri dhe barazi të grave dhe vajzave.
“Ekspozita jonë instalacion është rikthyer në bazë, në qendrën tonë, për të mirëpritur disa prej vizitorëve të sheshit, për tu ulur këmbëkryq me ne në një bisedë të përzemërt e të nevojshme”, thuhet në reagimin e Qendrës HANA.
Fabjola Ndoj u shpreh për Citizens Channel se ekspozitën e sollën si një nevojë për të ngritur zërin mbi “pandëshkueshmërinë kronike të vrasësve, dhunuesve e vëzhguesve pasivë të shtypjes së vajzave dhe grave në vendin tonë”.
Ndoj shpjegon se morën shkasë edhe nga ngjarjet e fundit në Kamëz. Tre gra u vranë në këtë zonë pak javë më parë nga i njëjti autor.
“Ishte gjithashtu një thirrje që në momente reflektimi siç është dita simbol dedikuar Lëvizjes së të Drejtave të Grave në botë me fokus të veçantë në barazinë gjinore, të drejtat riprodhuese, dhunën dhe abuzimin ndaj grave,8 marsi që ne patëm hapjen e ekspozitës, të bëheshim bashkë pavarësisht ndasive e opinioneve”, tha më tej Ndoj.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.