“Ooo, mos me i pas djegë ishte mbushë lumi moj. Ishte ba si në Sharrë”. Kështu shprehet i moshuari Gjergj Bashaj i cili jeton te Bregu i Lumit. Ai ngre shqetësimin e ndotjes së lartë të asaj zone, vetëm katër kilometra larg qendrës së Tiranës.
Gjergji pohon se prej vitesh komuniteti ka kërkuar kazanë për mbetjet. Në mungesë të mbledhjes ai detyrohet herë t’i djegë mbetjet, e herë t’i hedhë në lumë, “si të gjithë të tjerët”.
Banorët djegin mbetjet te Bregu i Lumit
“Se s’ka kazanë, prej te bulevardi atje e deri te 5 maji. Kemi shku 4-5 herë si lagje me kërku kazanët, edhe na kanë thënë gjeni vendin se bijmë kazanët”, – shton ai. “Jo mor zotni, je shtet ti, nuk jam shtet unë”.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe e moshuara Rabie Hamza, banore te Bregu i Lumit. Ajo rrëfen se aroma e keqe dhe ndotja e lartë e pengojnë atë të dalë në oborrin e shtëpisë së saj. “Krejt këto mbeturina i lëshon mëhalla, përplasen këtu. Edhe me i djegë bëhen rrobat me shenjë, se për t’i djegë do t’i djeg”, – thotë Rabia për Citizens Channel.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Bashkisë Kamëz në nëntor të vitit 2021, bashkë me punonjës të këtyre institucioneve, kryen një aksion pastrimi në zonën e Bregut të Lumit. Ministrja Kumbaro dhe të kryebashkiaku Veliaj fajësuan banorët për nivelin e ndotjes.
“Po vëmë masa, po gjobisim prindin, që të ruajmë fëmijën, sepse është e pamundur të vazhdohet kështu”, – tha Veliaj më herët. Dy vjet më pas, situata vijon të jetë kaotike, ndërsa banorët kërkojnë ende infrastrukturën bazë që të shmanget ndotja.
“Vjen me ba show Erion Veliaj këtu”, – ironizon i moshuari Gjergj Bashaj. “Ka qenë nja dy herë këtu, i pati nja 1000 vetë këtu, me ushtarë e me shkolla e me dreq e me të birin, gjoja e pastroi vendin. O bjer kazanin mor se nuk pastrohet lumi kështu”.
Gjergj Bashaj, banor i Bregut të Lumit
Pavarësisht situatës në terren, Gjergji i kujton qeverisësve se takën e pastrimit e paguan çdo muaj. “Pse se ban si Babrroi, që shkojnë i marrin një herë, dy herë në javë. I nxjerrin banorët në qese i lënë te porta, shkon kamionçina i merr”.
Aksion pastrimi në Ditën Ndërkombëtare të Tokës
River CleanUp Albania realizoi të shtunën, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, aksionin e radhës tek zona e Bregut të Lumit. Ky aksion do të pasohet nga një sfidë ndërkombëtare në rrjete sociale, që ka si qëllim të nxisë njerëzit të angazhohen në pastrimin e lumenjve.
“Ne hapim një fushatë për gjashtë javë rresht, pastro për dhjetë minuta me hashtagun #Rivercleanupchallenge”, – thotë për Citizens Channel Margil Zani. Ai sthon se fushata synon që çdo njeri të angazhojë të paktën tre miq në rrjetet sociale, për t’i ftuar të bëjnë të njëjtën gjë.
Mbetjet e mbledhura nga aktivistë të River CelanUp në Ditën Ndërkombëtare të Tokës
Mirela Korriku, pjesëmarrëse në pastrimin e radhës, shprehet e keqardhur për pamjet në terren.
“Bregun e lumit gjithmonë e kemi menduar si gjëja më e trishtë e banorëve të Tiranës. Kemi një qytet metropol me një jetesë luksoze dhe jo më larg se një kilometër ti ke një realitet shumë të trishtë”, – shprehet ajo.
Në pastrimin e kësaj zone morën pjesë të huaj dhe shqiptarë, të cilën ngritën shqetësimin e mungesës së praktikave ricikluese dhe të ndarjes në burim të mbetjeve.
“Unë jetoj në Zvicër. Për të hedhur plehrat blejmë thasë të veçantë. Kemi një kalendar të plehrave që është dita për kartona, dita për letrat që lihen para shtëpisë dhe këto riciklohen”, – pohoi Florian Haçkaj nga Diaspora Shqiptare për Citizens Channel.
Maylis De Verneuil është nga Franca dhe prej disa kohësh jeton në Shqipëri. Ajo ngre shqetësimin e infrastrukturës për ndarjen e mbetjeve, e cila ndonëse është ngritur, është jofunksionale, pasi mbetjet përzihen së bashku.
“Është gjynah që në Tiranë për momentin nuk bëjmë riciklim. E di që ka disa kontejnerë: të verdhë, jeshilë, blu, është një fillim. Thjesht shpresoj që të bëhet një zakon”.
“Lumi i Tiranës është një lumë i vdekur”
Eksperti i mjedisit Lulzim Baumann ishte po ashtu i pranishëm në këtë aksion. Ai tregon se gjendja aktuale e asaj zone mund të konsiderohet si “bombë ekologjike”, ku hidhen të gjitha llojet e mbetjeve dhe ujerat industrialë.
“Ky lumë është i vdekur, vështirë të gjesh ndonjë peshk. As breshka, as bretkosa që ato i përballojnë më mirë kushtet e këqija, nuk mundet të jetojnë këtu”, – shpjegon Baumann.
“Ajo që është më problem është ajo që nuk shikojmë. Uji në lumë është tejet i ndotur dhe në rastin që kemi përmbytje, kemi përmbytje të tokës, direkte në këtë rast toka kontaminohet”, – vijon më tej ai, duke sqaruar se ajri ndotet po ashtu nga avulli i ajrit.
Renato Zozi, pjesëmarrës në këtë aksion pastrimi, pohoi se dikur ai e mbante mend ujin të pastër.
“Mu kujtua që këtu e 50 vjet më përpara, kur ishim fëmijë ne vinim dhe laheshim te ky lumë. Ka qenë pastër, i mrekullueshëm. Tani, mirë plehra që ka shumë po edhe uji mban erë të ndotur. Ujë fekalesh”, – thotë ia.
Lumi Ishëm është konsideruar si lumi më i ndotur në Evropë. Ai përshkon Shqipërinë qendrore dhe çdo vit derdh në detin Adriatik 733.000 kilogram mbetje, duke e kthyer këtë rrjedhë në një shqetësim jo vetëm kombëtar.
Gjatësia e shtratit të tij është 79.2 km dhe formohet nga bashkimi i ujërave të lumit të Tiranës, lumit të Tërkuzës, lumit të Zezës dhe atë të Gjolës, për t’u derdhur në gjirin e Rodonit.