Shtatë ditë më parë euro shënoi një minimum historik, duke zbritur në 110.73 lekë.
Këtë javë pas përfundimit të zgjedhjeve euro ka nisur rimëkëmbjen e shpejtë. Sot, euro u këmbye me 113.43 lekë, duke shënuar një rritje me 1.54 lekë krahasuar me ditën e premte.
Sipas ekspertëve, rënia është ndikuar nga zgjedhjet lokale pasi futja e parave nga kandidatët në fushatë zgjedhore ka zhvlerësuar euron, po ashtu ata përmendin edhe ndikimin e parave informale.
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, monedha euro është këmbyer mesatarisht me 123.31 lekë gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e 2021.

Grafiku i euros gjate zgjedhjeve te 25 prill 2021
Zgjedhjet u mbajtën në datën 25 prill, teksa minimumin euro e ka arritur në datat 7-11 prill 2021, ku është këmbyer me 122,97 lekë.
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet vendore të 2019, një euro u këmbye mesatarisht me 122,65 lekë. Minimumi arriti deri në 121.64 lekë.

Grafiku per kembimin e euores gjate fushates zgjedhore te 2019
Një zgjedhjet e 2017, për një muaj fushatë euro është këmbyer mesatarisht me 132,22 lekë. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Shqipëri u mbajtën në 25 qershor.

Grafiku per kembimin e euros ne zgjedhjet parlamentare te 2017
Eksperti i ekonomisë Klajdi Bregu, u shpreh se rritja e menjëhershme e euros pas zgjedhjeve, ka disa faktorë që ndikojnë, ku përmend se një fenomen i tillë ka ndodhur gjithmonë në prag të zgjedhjeve.
“Para zgjedhjeve mund të kemi pasur shumë nga ata që prisnin rënien e euros dhe mund të kenë shitur euro me qëllim që ta blinin më lirë pas zgjedhjeve”, u shpreh Bregu për Citizens Channel.
Ai thotë se nëse shihet historia e këmbimit të euros në katër zgjedhjet e fundit, euro ka pasur rënie gjatë fushatës zgjedhore, sipas shpenzimeve të partive politike.
“Kjo mund të këtë bindur tregtarët dhe përdoruesit e euros që e njëjta gjë do të ndodhte edhe në zgjedhjet e vitit 2023. Pasi kjo pritshmëri u realizua dhe euro arriti një nivel rekord të ulët kundrejt lekut shumë nga këta tregtarë mund ta kenë parë si mundësi ta blinin euron me çmim të lirë gjë e cila rriti kërkesën menjëherë dhe si rrjedhojë edhe kursin e këmbimit”, sqaron Bregu.
Ai rendit një tjetër mundësi si shkaktar i fenomenit të rënies së euros, ku thotë se para zgjedhjeve pati një kërkesë të madhe për lekë “të cilat u përdorën për fushatë për të blerë votat”.
“Tani që zgjedhjet mbaruan ndoshta një pjesë e lekëve të pashpenzuara në fushatë mund të jenë konvertuar sërisht në euro gjë që ka sjellë rritje të kërkesës për euro dhe si rrjedhojë edhe rritjen e kursit të këmbimit” , tha Bregu.
Ndërsa një mundësi e tretë që ai liston është, fakti që pas zgjedhjeve ka rënë kërkesa për lek sepse ajo pjesë e tregut që konvertoi eurot në lek për qëllime elektorale nuk është më.
“Pra me rënien e kërkesës për lek, apo uljen e ofertës së euros në treg, erdhi edhe rritja e euros. Me shumë gjasa të treja këto arsye, dhe patjetër arsye të tjera, kanë ndikuar në tregun paszgjedhor të euros”, thotë Bregu.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.