Citizens.al

Raporti i DASH pasqyron lirinë e besimit, problemet me pronat dhe marrëdhëniet e komuniteteve fetare në Shqipëri

Liria dhe organizimi i grupimeve fetare si edhe marrëdhënia me institucionet shtetërore në Shqipëri janë disa nga çështjet e pasqyruara në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022.

Sa i përket demografisë fetare, raporti bazohet në censusin e fundit të zhvilluar në Shqipëri në vitin 2011, ku pjesën më të madhe e përbëjnë besimtarët myslimanë.

“Referuar censusit të fundit të 2011, myslimanët sunitë përbejnë gti 57% të popullsisë, katolikët romakë 10%, anëtarët e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare 7% dhe anëtarët e Urdhrit Bektashi 2%. Grupe të tjera përfshijnë besimet protestante, besimi i Bahas, Dëshmitarët e Jehovait, Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe Judëve”,-thuhet në raport.

Ndërsa gati 20% e të anketuarve refuzuan t’i përgjigjen pyetjes për përkatësinë fetare thekson raporti më tej.

Sipas të dhënave të Religjionit Botëror të Universitetit të Bostonit në 2020, myslimanët në Shqipëri përbëjnë afërsisht 59% të popullsisë, të krishterët 38%, ateistët ose agnostikët 2,5 për qind dhe Bahá’ít 0,6 për qind. Në vitin 2017, Kongresi Botëror Hebre vlerësoi se kishte 40-50 hebrenj.

Raporti vë në dukje faktin se qeveria shqiptare ka një marrëveshje me pesë komunitete fetare, ku i njeh si grupe kryesore të besimit në Shqipëri, kundrejt të cilave ka edhe detyrimin për t’u siguruar mbështetje financiare.

“Një ligj i vitit 2009 e drejton qeverinë të sigurojë mbështetje financiare për katër komunitetet fetare me të cilat kishte marrëveshje në atë kohë- Komunitetin Mysliman Shqiptar Suni dhe Bektashi, Kisha Katolike dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik. Ky ligj nuk zbatohet për Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë, marrëveshja e së cilës me qeverinë daton në vitin 2011. Nuk ka asnjë dispozitë në ligj për t’i ofruar Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, mbështetje financiare nga qeveria”-thuhet në raport.

E drejta pronësore

Raporti thekson se pavarësisht marrëveshjes së pesë komuniteteve me qeverinë ku përcaktohet edhe kthimi i objekteve dhe pronave fetare të konfiskuara gjatë komunizmit, kjo gjë iu delegua gjykatave.

“Komunitetet fetare duhet të paraqesin pretendime në gjykatë për kthimin dhe kompensimin e pronave të konfiskuara nga ish-qeveria komuniste, ashtu si të gjithë pretenduesit e tjerë”.

Raporti përmend edhe progres raportin e BE-së, që e cilësoi të pazgjidhur kthimin e pronave të institucioneve fetare të konfiskuara nga shteti gjatë komunizmit.

Në raport thuhej se: “Varësia e disa grupeve fetare nga mbështetja financiare nga palët e treta krijon dobësi. Komiteti për Fenë propozoi krijimin e një organi ad hoc për të adresuar kërkesat pronësore të komuniteteve fetare, por qeveria nuk kishte ndërmarrë veprime për propozimin në fund të vitit”.

Komunitetet fetare sqaron raporti, raportuan se qindra çështje pronësie mbetën të pazgjidhura në gjykata të ndryshme për shkak të vendeve vakante të shkaktuara nga verifikimi i ngadaltë gjyqësor, duke penguar aftësinë e komuniteteve fetare për të avancuar pretendimet për pronën ose kompensimin e tyre.

“Komuniteti Mysliman Shqiptar Suni aportoi se që nga viti 2016, kishte paraqitur rreth 500 aplikime për kthimin e pronave ose kompensimin që përfshin rreth 23,000 hektarë prona me vlerë atë që Komunitetit Mysliman vlerësoi të ishte afërsisht gjashtë miliardë euro”. 

Ndërsa sipa raportit “Ministria e Kulturës deklaroi se edhe pse ligji i lejonte konunitetet fetare që të kenë titull mbi pronën fetare të listuar si trashëgimi kulturore ose monument kulture, në disa raste kjo pronë do të mbetej pronë e shtetit, për shkak të rëndësisë së saj kombëtare”.

Edukimi fetar 

Sipas ligjeve në vend shkollat publike janë laike, megjithatë ligji lejon mësimin e historisë së fesë si pjesë e kurrikulës së shkencave humane. Ndër të tjera, komunitetet fetare me marrëveshje me Shqipërinë operojnë institucione arsimore si dhe kanë të drejtën të ndërtojnë apo menaxhojnë varreza fetare në tokat që zotërojnë si komunitete.

“Sipas Komisionit për Fenë, bashkësitë fetare Katolike, Myslimane, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë drejtojnë 113 institucione arsimore, duke përfshirë universitete, shkolla fillore dhe të mesme, parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore. Sipas ligjit, Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet t’i licencojë këto institucione dhe kurrikulat jofetare duhet të jenë në përputhje me standardet kombëtare të arsimit. Shumica e tyre nuk kanë mësime të detyrueshme fetare, por i ofrojnë ato me zgjedhje”.

Kërkesa dhe çështje gjyqësore 

Raporti vë në dukje edhe kërkesat e Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët shprehen se nuk kanë marrë një përgjigje nga qeveria për një marrëveshje të ngjashme sikurse me pesë komunitetet e tjera fetare.

“Në janar, qeveria deklaroi se nuk kishte marrë kurrë një kërkesë, të cilën Dëshmitarët e Jehovait thanë se e kishte paraqitur me postë. Grupi deklaroi se refuzimi i qeverisë për të përfunduar një marrëveshje ishte diskriminues, duke mohuar njohjen e saj si një komunitet fetar dhe duke i detyruar misionarët dhe vullnetarët e saj të huaj të paguanin tarifat për lejet e qëndrimit, nga të cilat grupet fetare me të cilat kishte nënshkruar marrëveshje ishin të përjashtuar”,-thuhet në raport.

Shënjuese në raport mbetet edhe raportimi i imamit Ahmed Kalaja nga xhamia “Dine Hoxha” kundrejt ofiecerit të policisë Bashkim Lamnica për sjellje agresive dhe gjuhë ofenduese brenda xhamisë.

“Kalaja tha se Lamnica po i bënte presion individëve që faleshin dhe punonin në xhami për t’u bërë informatorë policie. Kalaja publikoi deklaratën e tij dhe pamjet e asaj që ai tha se Lamnica frikëson individët brenda xhamisë në rrjetet sociale. Prokuroria e Tiranës tha se kishte hapur një hetim për rastin, i cili ishte në vazhdim në fund të vitit”-thuhet në raport.

Po ashtu në raport është trajtuar edhe rasti i retorikës së urrejtjes kundrejt komunitetit LGBT nga pastori Akil Pano.

“Në televizion, Pano kishte thënë se një propozim për të ndryshuar fjalën “babai dhe nëna” në kodin e familjes në “prindi 1 dhe prindi 2″ do të çnjerëzonte personat dhe se një ndryshim në kod do t’i lejonte personat të pretendonin të drejtën për t’u martuar me kafshë ose partnerë të shumtë. Sipas njoftimeve të shtypit, Pano mohoi se ai ishte përfshirë në gjuhën e urrejtjes dhe tha se pikëpamjet e tij bazoheshin në mësimet biblike. Çështja gjyqësore ishte në vazhdim në fund të vitit”. 

Mërrëdhëniet ndërfetare 

Sipas raportit marrëdhëniet ndërfetare janë pozitive, qoftë me pesë komunitetet fetare që kanë marrëveshje me qeverinë, por edhe Dëshmitarët e Jehovait.

Megjithatë, dëshmitarët e Jehovait thanë se kishte një mbulim negativ mediatik të grupit që rrjedh nga mungesa e statusit të tij si një organizatë fetare e njohur zyrtarisht.

“Paditë penale dhe civile për shpifje që Dëshmitarët e Jehovait ngritën kundër tre mediave në vitin 2021 mbeten në pritje në Gjykatën e Rrethit Tiranë, ndërsa paditë penale dhe civile kundër një kompanie të katërt mediatike janë në pritje në Gjykatën e Apelit Tiranë. Të gjitha paditë i përkisnin raportimeve të mediave në vitin 2020 për një vetëvrasje të dyfishtë mes anëtarëve të një familjeje në Tiranë. Raportet, sipas Dëshmitarëve të Jehovait, deklaruan në mënyrë të rreme se familja ishte anëtare e Dëshmitarëve të Jehovait dhe e portretizonin grupin fetar si një sekt të rrezikshëm”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *