Citizens.al

Parlamenti i rrit pagat vetes pavarësisht akuzave për abuzim dhe thellim të pabarazisë

Parlamenti votoi sot unanimisht kalimin e projektligjit për “Kompetencat për caktimin e pagave”, sipas të cilit deputetët përfitojnë rritjen më të madhe me 98%. Kjo rritje që thellon edhe me tej pabarazinë e pagave mes funksionarëve publik u kundërshtua vetëm nga tre deputetë të opozitës.

Dy projektligjet që parashikojnë rritjen e pagave për administratën kaluan të martën në Komisionin e Ekonomisë, duke shkaktuar dhe reagime kundër.

Në prezantimin e qeverisë për rritjen e pagave u premtua një rritje graduale e pagës mesatare deri në 900 euro në 2024. Reforma e rritjes së pagave ka një kosto totale prej 39 miliard lekësh.

Zërat kundër theksojnë se kjo nismë thellon pabarazinë, pasi punonjësit në shërbimet themelore të vendit, mësuesit, trupa policore, infermierët morën një rritje vetëm 7%. Nga ana tjetër funksionarët e lartë publik si deputetët, ministrat, zv. ministrat përfituan një rritje të pagës nga 50 deri në 98%.

Projektligji që u votoha sot në seancë plenare, parashikon që paga e deputetit të shkojë në 310,250 lekë (bruto) nga 156,777 lekë që është aktualisht.

Open Data Albania ka analizuar rritjen e pagave për të gjithë sektorët duke u bazuar tek 9 vendimet e qeverisë.

Teksa rritjet e pagave në sektorët e tjerë janë më pak së gjysma.  Paga e një mësuesi në arsimin fillor në shkollat 9-vejçare, me Master ose ekuivalent është rritur nga 62 000 lekë në 65 400 lekë, vlerë nominale rritje 3400 lekë, ose 5.5%. Në fakt paga reale (pas inflacionit) ka pësuar ulje me minus 1.2%.

Burimi: ODA

Ndërsa një për mjekët ka një rritje të ndryshme në bazë të hierarkisë. Mjekët specialistë kanë përfituar një shtesë në pagë të deklaruar bruto prej 50 000 lekë. Sipas llogaritjes së ODA, një infermier me Master  përfiton rritje vetëm 3400 lekë apo 5.5% që po të llogaritet me inflacionin paga si instrument i fuqisë blerëse shënon ulje me minus 1.2%.

Burimi: ODA

Paga e një Polici, inspektor, u rrit nga 57 500 lekë në 61 500 lekë, rritje me 7%. Duke marrë nivelin e inflacionit për vitin 2022, rritja reale është vetëm 0.3% pasi inflacioni vjetor prej 6.7% ja ul fuqinë blerëse pagës. Edhe rritja në sektorët e tjerë është po ashtu e ngjashme.

Burimi: ODA

Sipas Open Data kjo analizë qartëson se rast pas rasti rritja është në kufijtë e indeksimit për shkak të inflacionit.

“Sikurse në raste të caktuara janë titullarë dhe drejtues të nivelit të lartë që përfitojnë duke mos ndikuar  ndjeshëm nivele si mësues, infermier, efektiv te mesëm te policisë së shtetit etj”, thuhet në analizën e ODA.

Drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj shprehet se pagat për infermierët apo policët dhe arsimtarët nuk po rriten realisht.

“Qeveria Rama në tre mandate nuk ka aplikuar rritje graduale, ndërsa dhe më keq është situate me pagesën e pensionistëve. Ata në 85% të rasteve nuk e kanë pensionin as sa minimum jetik i llogaritur nga Avokati  i Popullit. Qeveria duhet të njohë me ligj minimumin jetik dhe të rrisë pensionet”, tha Brahaj për Citizens Channel.

Rritja e pensioneve, referuar të dhënave te ISSH ka ecur me ritme të ngadalta gjatë viteve 2014-2021 dhe në raport me shpenzimet është i papërfillshëm.

Nga ana tjetër Brahaj shprehet se qeveria është duke e përdorur rritjen e pagave për propagandë.

“Po përpiqet të bindë njerëzit dhe buxhetorët që deri në vitin 2025 që është vit zgjedhor, ata do të kenë paga dinjitoze”, argumenton Brahaj. Sipas saj procesi është i vështirë për sa kohë që pagat për nivelin e mesëm e të ulët të zyrtarëve po rriten thjesht në kufirin e rritjes së inflacionit.

Sipas analizës së të dhënave të ODA, vërehet se në pagat e llogaritura për punonjësit buxhetor nuk është marrë për bazë rritja e pagës për shkak të vjetërsisë, por janë marrë marrë shtesat për kualifikime, shtesat për grup page dhe shtesa të tjera.

Sa i përket projektligjeve që po votohen sot në Kuvend, pritet të kalojnë me Procedure të Përshpejtuar.

Të tjera të dhëna të analizuara nga ODA, tregojnë se Shqipëria pati rritje reale të pagave prej vetëm 1471 lekësh gjatë vitit 2022, rritja më e ulët vjetore në 22 vitet e fundit. Këto përllogaritje janë bërë studiuar pagën mesatare vjetore nominale, krahasuar me nivelin e inflacionit dhe rritjen e çmimeve.

Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, ka shënuar rekorde sa i përket rritjes së inflacionit. Nga nëntori i vitit 2021 dhe deri në tetor 2022 inflacioni në vend shënoi rritjen më të madhe të 24 viteve të fundit. Prandaj ekspertët shprehen se rritja e pagave është vetëm një indeksim në raport me inflacionin.

Aktivistët: Ndërhyrja e pagave në sektorët publik e paplotë dhe e pa drejtë

Teksa mbahen seanca në Kuvend, aktivistët e Lëvizjes Bashkë denoncuan jashtë godinës rritje ne pagave për deputetet dhe ju kujtuan atyre miratimin e minimumit jetik dhe statusit të minatorit që janë dërguar në Kuvend por nuk kanë marrë përgjigje.

Sakaq Qendra për të Drejtat në Punë CRLA.Al ka mbajtur një reagim publik, duke e cilësuar rritjen e pagave të paplotë dhe të padrejtë.

Sipas tyre  është shqetësuese që procesi kryhet me mungesë transparence dhe pa konsultim ke aktorët e ndryshëm si sindikatat dhe shoqëria civile.

“Si rastësisht, përpara zgjedhjeve, u deklarua që paga e deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë nuk do të ndryshojë. Kur papritur, komisionet parlamentare të Kuvendit po aprovojnë një rritje të paparë ndonjëherë”, thuhet në deklaratën e CRLA.AL.

Ata dënojnë edhe rritjen e pabarabartë të pagave.  “Nuk kuptohet pse nuk ruhet i njëjti raport si më parë ndërmjet këtyre institucioneve”, thuhet më tej.

Së fundmi, Qendra për të Drejtat në Punë shprehet se në sektorin privat kërkohet një ndërhyrje në sistemin e kontraktimit kolektiv, fuqizimit të aktorëve që përfaqësojnë interesat e punëtorëve e rolit të institucioneve që merren me punën.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *