Ivzi Hoxha, 62 vjeç, u dënua me një vit heqje lirie pasi kanosi Kryeministrin Edi Rama katër muaj më parë. Gjyqtari i çështjes Kujtim Vranici deklaroi se për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj Hoxhës ulet me një të tretën dhe në përfundim, i dyshuari duhet të vuajë tetë muaj heqje lirie.
“Kërkoj mëshirë nga gjykata”, ishin fjalët e të pandehurit përpara gjykatës.
Ivzi Hoxha kërcënoi kryeministrin dhe djalin e tij më 19 janar 2023, gjatë një lidhje live me televizionin Ora News, ku ai dhe qytetarë të tjerë të lagjes 5 maji po protestonin kundër shembjes së shtëpive nga Bashkia e Tiranës.
Gjatë deklaratës së tij Hoxha është shfajësuar duke thënë se fjalët e tij erdhën si pasojë e ngarkesës emocionale dhe psikologjike të situatës që po përjetonte.
Në një koment për Citizens Channel avokati Tauland Asllanaj u shpreh se në legjislacion ka disa ndarje për kanosjen ndaj detyrës, nga rasti më i thjeshtë deri te të zgjedhurit me anë të votës, apo mjekët dhe punonjësit e policisë.
“Pavarësisht rëndësisë së veprës apo masës së dënimit që cakton Gjykata, duke mbajtur parasysh rrethanat, qëndrimin e mbajtur nga personi më mbrapa, që ka kërkuar mëshirë dhe ka kërkuar pendesë, duke theksuar që qenë në një gjendje të rënduar emocionale dhe mendore, Gjykata në vlerësimin tim mund të kishte mbajtur qëndrim, që të pezullonte pjesën e mbetur të dënimit me burgim, duke e vendosur në kusht“, tha për Citizens Channel Tauland Asllanaj.
Asllanaj shton se Gjykata e Tiranës për vepra më të rënda ka dhënë dënime alternative, duke e pezulluar dënimin me burgim, duke i caktuar kusht apo një formë tjetër që parashikon ligji.
Si rast analog, prokuroria ka sjellë një episod kur Kryeministrja e Italisë Georgia Meloni, u nga një qytetar në Twitter, i cili u arrestua nga autoritetet e vendit fqinj.
Banorët e 5 Majit ende në pritje për tu strehuar
Më 31 janar 2020 Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 Maji, ku Bashkia Tiranë u caktua si zbatuese e projektit. Ndërsa më 13 maj 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Planin e Detyruar Vendor (PDV) për këtë zonë.
Një pjesë madhe e banorëve të lagjes “5 Maji” ishin në proces legalizimi të shtëpive të tyre. Proces ky i cili i është pezulluar.
Më 27 tetor 2021 nisi shembja e 164 banesave në lagjen “5 Maji”, duke i hapur rrugë projektit “Tirana Riverside” që mban firmën e arkitektit të njohur Stefano Boeri, ku parashikohet ndërtimin e 3500 apartamenteve.
Më 20 janar 2022, zëvendës-kryetari i bashkisë Arbjan Mazniku premtoi në një dalje mediatike se banorët e dëbuar nga shtëpitë e tyre do të strehohen në apartamentet e reja “jo më shumë se një vit nga sot”.
Në ditën ku i dënuari Ivzi Hoxha kërcënoi publikisht kryeministrin shënohej një vjetori i shembjeve të shtëpive në zonën 5 maji, ku qytetarët e dëbuar jetonin ende me bonus qiraje dhe ishin në pritje për të hyrë në apartamentet e reja. E njëjta situatë vijon ende në ditët e sotme ku qytetarët nuk kanë asnjë informacion se kur, ku dhe nëse do të akomodohen në apartamentet e reja.
Edhe më përpara për shkak të rezistencës ndaj shembjes së shtëpive disa banorë janë shoqëruar në komisariat.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.