Citizens.al

100 studiues dhe qytetarë të angazhuar reagojnë kundër mbylljes së Akademisë së Studimeve Albanologjike

Rreth 150 profesorë, studentë, dhe grupe aktivistësh të përfshirë në hapësirën publike janë shprehur kundër vendimit të qeverisë shqiptare për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA).

Ata kanë nënshkruar një letër të hapur ku theksohet se ky vendim është i dëmshëm për të ardhmen e Studimeve Albanologjike, cënues për lirinë akademike dhe zhvillimin e mendimit teorik dhe kritik.

“Përkundër kufizimeve të shumta, ekipi i studiuesve/eve në ASA ka krijuar korniza institucionale për mundësimin e diskursit kritik dhe thellimin e dijes mbi shqiptarët në disiplina të ndryshme të antropologjisë kulturore dhe studimeve për artin, arkeologjisë, gjuhë-letërsisë, historisë, etj. Ky institucion ka trajtuar tema pak të eksploruara më parë dhe ka qenë i hapur ndaj paradigmave të reja teorike dhe praktikave kërkimore ndërshoqërore, ndërdisiplinare dhe ndërinstitucionale”,-thuhet në letrën e hapur.

Ndërsa theksojnë se puna e ASA-s ka kontribuuar në diversitet dhe liri në dijen shkencore në vend.

“Në formë të përmbledhur, ASA ka kontribuar që puna me dijen shkencore në Shqipëri të jetë më e hapur, më demokratike, më e lirë dhe me më shumë diversitet, parakushte këto për dije njëherazi plurale dhe të avancuara. Këto praktika institucionale janë vlera të shtuara për shoqërinë shqiptare dhe do të duheshin marrë si shembull për t’u ndjekur dhe mbështetur dhe jo për t’u ndërprerë”,-thuhet më tej në letrën e hapur.

Në përfundim të letrës, ata shprehën solidaritet me të gjithë studiuesit e angazhuar në ASA dhe përkrahin çdo nismë ligjore, administrative e shoqërore e ndërmarrë në mbrojtje të këtij institucioni.

Letra u nënshkrua nga 117 pedagogë, studiues, artistë e kërkues shkencorë dhe nga 27 organizata të shoqërisë civile.

Në solidaritet me ASA-n janë shprehur edhe departamentet albanologjike në Prishtinë.

Ndërsa në faqen e saj në Facebook, Akademia e Studimeve Albanologjike ka nisur thirrjen “Unë jam liria akademike” duke e konsideruar këtë vendim jo vetëm një mbyllje të një institucioni, por edhe një rrezik të lirisë akademike në vend.

Vendimi për shkrirjen e ASA-s u prit me kritika 

27 maj 2023 u bë publik një projekt-vendim, i cili parashikonte shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e të gjitha funksioneve të saj pranë Akademisë së Shkencave.

Më 31 maj, ky projekt-vendim i zyrtarizua duke marrë firmën e Kryeministrit Rama dhe duke injoruar kundërshtitë e studiuesve. 

Senati e ASA-s e konsideroi të paarsyeshëm këtë vendim duke listuar një sërë arsyesh, mes tyre shkelja e ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, pushimin e 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërprerjen e karrierës për rreth 100 studiues dhe vendosjen nën kontroll të dijes akademike në lëmejt e albanologjisë, pasiqë struktura organizative e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), është krejtësisht e centralizuar në duar të Kryesisë së Akademisë së Shkencave.

Një grup qytetarësh në solidaritet me ASA-n kryen një vizitë në ambientet e akademisë, ku u njohën me punën e saj dhe rëndësinë e këtij institucioni.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *