Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Investimi në arsim si politikë për të parandaluar emigracionin”

Çaush Kullafi, mësues në shkollën 9-vjeçare “Vëllazërimi” në Babrru, ka dhuruar bibliotekën dhjetëra vjeçare për nxënësit e këtij institucionit. Dhjetëra libra qëndrojnë në hyrje të ndërtesës dhe secili mund t’i aksesojë ato lirshëm.

Unë bibliotekën në shtëpi e kam që nga viti 80-të të sistemuar. Një ditë vendosa që 284 libra të bibliotekës sime t’i sjell në shkollë. Atë ditë që unë i sjell librat në shkollë, pashë që fëmijët u bënë kuriozë”, – thotë për Citizens Channel mësuesi Kullafi.

Prej “zhvendosjes” së bibliotekës, fëmijët huazojnë vazhdimisht libra dhe shpesh herë zhvillojnë diskutime me autorët e librave.

Biblioteka në shkollën “Vëllazërimi”

Më thonë nxënësit: ‘Mësues, e ke numrin e këtij shkrimtarit?’. Dhe unë, në qoftë se e kam do t’i them po. Dhe e lidh direkte me krijuesin. Bisedon nga klasa nxënësi”, – vijon më tej ai. Çaush Kullafi e konsideron jetike lidhjen me librat, marrëdhënie që dëshiron t’ua transmetojë edhe fëmijëve. “Unë jam i dashuruar me librin, unë rri me librin kështu që nuk e kuptoj vetë jetën ndryshe”.

Shkolla 9-vjeçare “Vëllazërimi” ka afro 700 nxënës. Çaushi ka 41 vite në arsim dhe shpjegon se nuk e imagjinon dot përditshmërinë e tij larg mësimdhënies.

Profesionin e kam të ngulitur në mendje unë, d.m.th. e kam dashurinë time. Po unë nuk dua që të mbarojë asnjëherë, të jem mësimdhënës. Dua ta vazhdoj këtë mision, është i bukur”.

Çuashi: Emigracioni mund të parandalohet përmes investimit në arsim

Mësuesi i shkollës “Vëllazërimi” pohon se gjatë këtij viti shkollor nuk ka emigruar asnjë nxënës, por vitet e mëparshme është ndjerë ky fenomen.

Në klasat që japin mësim, nga viti i kaluar në këtë vit kishte një rënie prej 2-3 nxënës për klasë kurse brenda vitit nuk kemi asnjë largim”, – shprehet Çaushi. “Problemi është se kur largohet një familje ka edhe tre, katër, pesë fëmijë që i merr me vete dhe kjo është në të gjitha shkollat e Shqipërisë”, shprehet më tej ai.

Fenomenin e emigracionit ai e shikon si një dramë të madhe, të cilin a i e prek drejtpërdrejtë.

Kjo vërtetë është një dramë e madhe për rininë. Unë s’dua ta besoj, por i shoh që ikin. I prek edhe nga afër që ikin, por duhet të qëndrojnë këtu. Ky është mesazhi im”, – shtjellon më tej Çaushi, mesazh i përbashkët i çdo arsimtari.

Çaush Kullafi, mësuesi i shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi”

Nuk ka kuptim për një mësues ta shohë karrigen bosh. Është e rëndë për një mësues, ai që e ka provuar ma beson. Mësuesi kur e merr në shtator, do që në qershor ta mbyllë me numrin që ka. Vetëm atëherë është i kënaqur mësuesi”.

Çuash Kullafi beson që është detyrë e arsimtarëve dhe i qeverisë që ta trajtojë dhe ta parandalojë emigrimin e të rinjve.

Emigracioni vërtetë është një plagë po duhet të shërohet”, – thotë Kullafi. “Dhe për ta shëruar jemi vetë ne që do ta shërojmë. E kemi ne mësuesit, sipërmarrësit dhe patjetër menaxhuesi i shtetit që është qeveria”, – përfundon ai.

INSTAT: 4.7% më pak fëmijë të regjistruar në arsimin parauniversitar 

Sipas të dhënave nga INSTAT për vitin shkollor 2022-2023, ka një rënie prej 4.7% të regjistrimit të fëmijë në të gjitha nivelet; parashkollor, në sistemin 9-vjeçar dhe gjimnaze.

Shkolla e mesme është ajo që është prekur më shumë nga largimi i të miturve. “Në vitin shkollor 2022-23, u regjistruan në arsimin e mesëm 95.845 nxënës, duke shënuar një ulje prej 7,4 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor”, – shkruhet në raportin periodik të INSTAT.

Arsimi parashkollor pësoi një rënie me 3.6% nga viti i kaluar, ndërsa në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 267.275 nxënës ose 3,9 % më pak nxënës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *