Akademia e Studimeve Albanologjike ka paditur në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
“Objekt i kësaj kërkesë-padie është shfuqizimi i vendimit nr. 338, datë 31.5.2023 të Këshillit të Ministrave “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e instituteve kryesore të saj” dhe marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e zbatimit të aktit deri në përfundim të procesit”, njofton ASA.
Qeveria zyrtarizoi më 31 Maj vendimin për shkrirjen Akademisë së Studimeve Albanologjike, pas kritikave nga akademikët.
Projekt vendimi i qeverisë për këtë nismë u bë i njohur nga stafi i ASA, të cilët e denoncuan si jo-transparent dhe cenues të lirisë akademike.
Senati Akademik i Akademisë së Studimeve Albanologjike vendosi më 12 qershor ndjekjen e procesit ligjor kundër këtij akti.
“Ky vendim është marrë në kundërshtim të procedurave ligjore dhe nënligjore të parashikuara nga vetë Këshilli i Ministrave dhe nga ana tjetër, në mungesë totale të konsultimit paraprak me institucionin. Si veprime që bien në kundërshtim me ligjin, kërkohet shfuqizimi i tyre”, thuhet në njoftimin e ASA.
Vendimi parashikon që njësitë kryesore ekzistuese si Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve edhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë ASA të riorganizohen si njësi të kërkimit të studimit pranë Akademisë së Shkencave brenda 31 dhjetor 2023.
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike ka renditur një sërë arsyesh pse kundërshtojnë vendimin. Arsyet listohen si më poshtë:
- Shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe për më tepër sot, të së vetmes Akademi Albanologjike. Konkretisht ASA nuk është njoftuar për këtë Projektvendim, dhe së dyti, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-s, i vetmi institucion që duhet të shprehet për fatin juridik të ASA-s.
- Mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë.
- Shuhen Institutet duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar.
- Vendosjen nën kontroll të dijes akademike në lëmejt e albanologjisë, pasiqë struktura organizative e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), është krejtësisht e centralizuar në duar të Kryesisë së Akademisë së Shkencave.
- Ndërpret karrierën e afro 100 studiuesve, pasiqë Ligji për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019 nuk parashikon në asnjë klauzolë as procedurën e punësimit në Akademinë e Shkencave, e jo më vijimin e karrierës akademike.
- Ndërpret studimet doktorale të studentëve pranë ASA-s.
- Referimi te neni 19, është i pabazë kur bëhet me propozim nga MAS, pasi ky nen nuk parashikon të merret si referencë ligjore nga një institucion jashtë Akademisë së Shkencave.
- Ky Projektvendim shkel rëndë Ligjin nr. 80, për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, si dhe vetë Ligjin për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019. Shkel parimet e lirisë akademike, shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar Akademinë e Studimeve Albanologjike e bashkë me to dhe institutet pjesë përbërëse të saj.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.