Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e kullës 205 metër të lartë në Rrugën e Barrikadave. Ky është objekti më i lartë i miratuar deri tani në kryeqytet, duke iu shtuar pesë kullave të tjera në qendrën e Tiranës.
Kompania ndërtuese do të jetë Nova Construction 2012. Studio arkitekturore daneze Cebra ka ideuar ndërtesën me 58 kate mbi tokë dhe 7 të tjera nën tokë.
Në mbledhjen e datës 25 prill në rendin e ditës KKT miratoi edhe 7 kulla të tjera në zonat qendrore të kryeqytetit.
Citizens Channel kontaktoi Agjencinë e Zhvillimit të Territorit përmes një kërkese për informacion, duke i kërkuar vendimet e plota të mbledhjes së datës 25 prill. Pas kalimit të afatit ligjor prej 10 ditësh punë, nuk pati një përgjigje nga AZHT. ME ndërhyrjen e zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, AZHT informoi se i ka bërë publike këto vendime, teksa në faqen e tyre shihet se janë bërë publike vetëm 3 prej vendimeve të marra në mbledhjen e 25 prillit.
“Modeli i kullave në kryeqytet”
Qendra e Tiranës është kthyer në një shesh ndërtimi “pa kriter” një model i kritikuar nga ekspertët e fushës. “Tirana Multifuncional Center” është një prej kullave që do të shtohet në qendër të kryeqytetit. Ndërtimi i kullave shpesh është shoqëruar dhe me rrëmbimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. I tillë është edhe rasti i Tirana Multifuncional Center, e cila do të ngrihet mbi lulishten pas Pallatit të Operas dhe Baletit.
Kjo është kulla e gjashtë që po ngrihet në qendrën e Tiranës, një zonë ku institucionet e qeverise qendrore dhe lokale i kanë lënë dorë të lirë investitorëve, duke ngelizhuar miratimin e rregulloreve që vendosin koeficentët e shfrytëzimit, lartësisë dhe përdorimit të truallit.
Procesi i ndërtimit të kullave në kryeqytet është shoqëruar po ashtu me eleminimin e godinave historike. Një investigim i Citizens Channel, publikuar në maj të 2021 zbulon se si Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare po zëvendësojnë godinat historike me kulla shumëkatëshe, duke anashkaluar një sërë procedurash ligjore.
“Premtimi im është që ne të kemi bashkë me qeverinë një moratorium të ndërtimeve, të ndërpresim ndërtimet dhe të sigurohemi që fillimisht të shpëtojmë të gjitha hapësirat publike për parqe”, shprehej kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj në vitin 2015.
Por që nga ardhja e tij në krye të bashkisë Tiranë, disa ngrehina nisën të shfaqen në zona të ndryshme, pa asnjë uniformitet me pallatet ekzistuese. Lejet e ndërtimit vijuan të jepeshin njëra pas tjetrës, dhe kulmi arriti në vitin 2017, me projektimin e një seri kullash rreth qendrës së kryeqytetit të cilat vijojnë ende të ndërtohen. Sot në Tiranë numërohen të paktën 12 kulla.
Përpos probleme ligjore dhe zënies së hapësirave të gjelbra dhe eleminimit të godianve historike, ndërtimi i kullave është shoqëruar dhe me probleme të pastrimit të parave. Kritikave për pastrim parash, kryeministri Edi Rama iu përgjigj gjatë prezantimit të projektit të kullës Tirana Multifuncional Center “janë broçkulla, janë turpe të mëdha për ata që i bëjnë”.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.