Studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë iu rikthyen protestës për propozimin e Rektoratit, mbështetur nga qeveria që i detyron të qendrojnë 3 vite në Shqipëri pas përfundimit të shkollës. Nëse studentët nuk pranojnë këtë propozim, ata duhet të paguajnë të gjithë koston qe i shkakton buxhetit të shtetit arsimimi i tyre.
Ata treguan edhe njëherë mos pajtimin me këtë propozim dhe kërkuan angazhim serioz për ndërtimin e një sistemi meritokracie funksionale, kushte më të mira në fakultete dhe rritje të pagës.
” Është një propozim i pabazë për ne studentët e mjekësisë dhe gjërat që ne propozojmë nga ana jonë është që të kemi kushte më të mira, qoftë spitalore, qoftë studimore, por njëkohësisht të kemi edhe kushte pune më të mira”,- u shpreh Sajad Hoxha, student i vitit të dytë në mjekësinë e përgjithshme.
Mes thirrjeve “Anuloni propozimin! Zero kompromis” dhe “E duam mjekësinë si gjithë Europa”, studentët marshuan nga Universiteti i Mjekësisë drejt Ministrisë së Arsimit. Në të dyja këto institucione ata dërguan një letër me një sërë kërkesash duke përfshirë kushte më të mira në mësimdhënie dhe në praktikat e punës.
“A është e vërtetë që literature jonë është e pa përditësuar? A është e vërtetë që sallat e leksioneve tona nuk kanë kapacitet për të na mbajtur të gjithëve? A është e vërtetë që ne nuk zhvillojnë praktika mësimore? A është e vërtetë që mbi 80% e studentëve në fakultetin e mjekësisë nuk kanë parë njëherë mikroskop? Atëherë, e vetmja mënyrë që mjekët të rrinë këtu është duke i motivuar, sepse mjekët nuk largohen. Mjekët këtu i përzënë”,-deklaroi përmes megafonit një nga studentët para Ministrisë së Arsimit.
Ata kërkuan salla me kapacitete mbajtëse më të mëdha, bibliotekë të aksesueshme nga të gjithë, në të gjitha oraret dhe qendra për stimulim të praktikave.
“Bazuar në tarifën që ne aktualisht paguajmë e cila është edhe më e larta nga të gjitha universitetet e tjera në Shqipëri kërkojmë që: të përmirësohen kushte te sallave të seminareve dhe leksioneve si dhe ndërtimin e sallave të reja me kapacitete mbajtëse për të gjithë studentët e një paraleli. Të vihen në dispozicion ambiente të posaçme, qendra të stimulimit për kryerje të praktikave. Duhet edhe një ndërtim i bibliotekave të aksesueshme në çdo orar të ditës nga studentët në mënyrë që ne të mos shkojmë nëpër kafene, në ‘Mon Cherie”, apo në ato biblioteka që janë të hapura dhe që kanë një kapacitet mbajtës shumë të vogël dhe dihet që janë të hapura, maksimumi deri në orën shtatë mbasdite”,- lexoi mes rreshtash një nga studentet e pranishme.
Për argumentet se edukimi i studentëve kryhet nga taksat e qytetarëve dhe ky shërbim duhet rikthyer mbrapsht, studentët theksojnë se kostoja nuk përkthehet në kushte dhe cilësi në fakultete. Duke nënvizuar mos rifreskimin e literaturës së përdorur, e cila sipas tyre i përket viteve 2000.
Dario Oriti, student i mjekësisë së përgjithshme në vitin e pestë.
“E vërteta është që ne jemi një fakultet i cili ka investime minimale, jemi shumë të pakënaqur me mënyrën se si zhvillohet mësimi dhe praktika. Literatura është komplet e viteve 2000, ndërkohë që një mjek duhet të lexojë literaturën e viteve të fundit dhe kjo nuk justifikon aspak jo vetëm këtë vendim absurd, por as edhe taksat e shqiptarëve të cilat gjoja derdhen tek ne. Ne gjithashtu kërkojmë edhe përmirësimin e kushteve të fakultetit të mjekësisë, në mënyrë që ne nesër-pasnesër të ndjehemi më kompetentë, të mund të punojmë kudo ku ne duam, me dëshirën tonë, pa imponim, pa gjoba, pa kontrata, pa mbajtje diplome”,-u shpreh për Citizens Channel Dario Oriti, student i mjekësisë së përgjithshme në vitin e pestë.
Kiada Hoxha, po ashtu studente e vitit të pestë në mjekësi të përgjithshme tha se studentët kanë nevojë për nxitje të politikave mbështetëse dhe jo dëbuese.
Kiada Hoxha, studente e vitit të pestë në mjekësi të përgjithshme
“Ne duhet të fokusohemi te ato politika ftuese dhe jo politika detyruese. Nuk është kjo rruga e duhur. Do ishim mjaftueshëm të kënaqur nëse do të ftoheshim nëpër debate, nëpër propozime, jo vetëm ne si studentë, por edhe mjekë, edhe pedagogë, edhe ministër edhe rektor. Çdo përfaqësues I degëve të ndryshme dhe secili nga ne të jepte atë propozimin e vet. Thelbësore, mund ti përmendim disa pika se ka shumë se çfarë duhet bërë këtu në fakt, por siguria dhe cilësia e punës., siguria dhe cilësia e jetës sepse unë nuk është se vetëm do punoj këtu, por edhe do jetoj. Kushtet ekonomike, ok janë bërë përmirësime dhe rritje të pagave, por nuk i kemi aty ku duhet të jemi”,-përfundoi Kiada Hoxha.
Kundrejt kërkesës për të hequr dorë nga ky propozim, por edhe për përmbushjen e kërkesave të rreshtuara së fundmi për përmirësim të cilësisë mësimore dhe kushteve të praktikave, studentët i lanë kohë Ministrisë deri të hënën për një përgjigje. Përndryshe, paralajmëruan se protesta do të përshkallëzohet.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).