Në 24 orët e fundit Universiteti i Korçës u mbyll dhe u rihap. Rektori i Universitetit të Korçës, Dhimitër Bello lajmëroi sot përmes një konference për shtyp shkrirjen e Universitetit të Korçës me atë të Tiranës dhe dorëheqjen e tij nga posti i rektorit.
Pak orë më pas, Universiteti i Korçës doli me një deklaratë publike në rrjetet sociale ku bën me dije së është tërhequr nga vendimi duke theksuar se do të rishqyrtohet.
“Pas një diskutimi më të gjerë në nivel njësie qendrore dhe njësie bazë, kjo nismë do të rishqyrtohet në mbledhjet e ardhshme të organeve vendimmarrëse të Universitetit, të cilat do të dalin me një vendim përfundimtar”, thuhet në deklaratën ku sqarohet se institucioni do të vijojë funksionimin.
Universiteti i Korçës ka katër programe studimi që konsiderohen prioritare sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit të vitit 2022.
“Gjuhë shqipe dhe letërsi”, ku në vitin e fundit nga 25 kuota të vlefshme pati vetëm 3 regjsitrime në këtë degë. “Biologji-Kimi” ku nga 30 kuota të vlefshme pati vetëm 6 regjistrime. “Inxhinieri agronomike” nga 50 kuota të vlefshme pati vetëm 3 regjistrime.
“Menaxhim turizmi (rural, arkeologjik, kulturor, hoteleri restorant, mikpritje)” nga 40 kuota të vlefshme pati vetëm 3 regjistrime.
Në muajin qershor të 2022 Ministria e Arsimit mori një vendim për t’i dhënë çdo studenti ekselent ose që zgjedhë të studiojë në një nga programet prioritare mundësinë e përfitimit të një burse mujore, e cila është e barazvlefshme me pagën minimale (34 000 lekë, nëntor 2022). Përveç shpërblimit mujor, kjo bursë i heq studentëve përfitues edhe detyrimin për të paguar tarifën vjetore.
Qeveria ndërmori këtë si një hap nxitës për të rritur numrin e studentëve në degët prioritare. Janë gjithsej 35 programe studimi të cilat konsiderohen prioritet kombëtar dhe që bëjnë studentët e kategorive të mësipërme përfitues të kësaj burse. Nga një analizë e Qëndresës Qytetare rezultoi se bursa nuk ka patur efekt tek studentët dhe se ata nuk kanë zgjedhur të studiojnë në programet prioritare.
“Rreth 71.6% e këtyre programeve rrezikojnë të mbyllen si pasojë e mos plotësimit të numrit minimal prej jo më pak se 10 studentë të regjistruar, ndërsa katër nga këto programe studimi janë mbyllur që pa nisur mirë implementimi i programit të bursave, sinjal tepër i qartë për vendimmarrësit në lidhje me suksesin e kësaj iniciative”, thuhet në raportin e QQ-së.
Vendimi i senatit të Universitetit të Korçës është pritur me kritika. Qëndresa Qytetare përmes një reagimi për mediat u shpreh se po zhbëhet identiteti akademik. Sipas Qëndresës universiteti është kthyer në peng të rektorëve të paaftë dhe të korruptuar.
QQ solli në vëmendje edhe rastin e rektores së Universitetit të Shkodrës, e cila është shpallur në kërkim pasi dyshohet për korrupsion. “Vetëm në 30 ditë Konferencës së Rektorëve tashmë i mungojnë 3 prej tyre dhe kjo gjë nuk shqeteson asnjë vendimmarres. Prej vitit 2017 çdo shtator kemi paralajmëruar që kjo ditë do të vinte nëse Universitetet nuk reformonin kurrikulat, nuk rrisnin transparencën dhe paratë e studentëve nuk ja dedikonin zhvillimit shkencor por naftës, dietave dhe rojeve”, thuhet në reagimin e Qëndresës Qytetare.
Më tej QQ sugjeron se e vetmja rrugë shpëtimi në këtë situatë është vetingu akademik.
“Universitetet shqiptare duhet të ndahen njehere e mire nga fenomeni i korrupsionit, i trafikut të notave dhe i shpërdorimit të parave”, thuhet në njoftim.
Pse po mbyllen universitetet?
Zhvillimet e fundit me universitetin e Korçës, pasqyrojnë një fenomen i cili është shtrirë në të gjitha universitetet e Shqipërisë. Braktisja e universiteteve dhe tkurrja e numrit të studentëve ka nisur në 5 vjeçarin e fundit. Emigrimi, lindshmëria, hapja e universiteteve private, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar. Po ashtu sipas raporteve, vihet re se dhe degradimi i sistemit arsimor ka qenë një faktor ndikues në këtë drejtim.
Një raport i Qëndresës Qytetare mbi rënien e numrit të studentëve, tregon se Universitetet publike humbasin gati 3 000 studentë në vit. Sipas një projeksioni në bazë të të dhënave aktuale, brenda vitit 2030 në universitetet publike do të studiojnë 41% më pak studentë.
Po ashtu raporti tregoi se dhënia e burasve për studentët për degët prioritare nuk pati ndikim. “Dështimi i bursave për studentët në programet prioritare lidhet thellë me dëshirën e studentëve për t’u regjistruar në degët e studimit që shërbejnë si “pasaportë” për të ikur jashtë vendit”, thuhet në raport.
Sipas analziës së QQ-së, e cila ka marrë në konsideratë programin e studimit Infermieri në të gjitha universitetet publike të vendit, rezulton se nga studentët janë ezauruar mbi 92% e kuotave të vlefshme, ndërsa në programet prioritare janë ezauruar vetëm 27% e këtyre kuotave.
Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Arsimit përmes një kërkese për informacion, shihet se nga 2018 deri në 2023 ka nisur një rënie e numrit të studentëve në universitetet publike, teksa ato private kanë pësuar një rritje.
Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë një rënie të konsiderueshme të regjistrimeve për vitin shkollor 2022-2023.
“Në vitin shkollor 2022-2023, u regjistruan në arsimin zyrtar 554.222 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 4,1 %, krahasuar me vitin shkollor 2021-22”, – shkruhet në publikimin e INSTAT.
Uljen më të madhe të regjistrimeve e ka pësuar arsimi i mesëm. Këtë vit, 7.4% nxënës me pak janë regjistruar në gjimnaze krahasuar me një vit më parë. Ndërsa në shkollat 9-vjeçare, ka një rënie regjistrimesh prej 3.6% nga viti shkollor 2021-2022.
Gjithashtu, shënohet rënie në regjistrimet në nivelin parashkollor me 3.6% dhe me 2% në arsimin e lartë.
Numri total i studentëve private dhe publike në 5 vitet e fundit
Në vitin akademik 2022-23, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët duket të preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve. Fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,6% e numrit gjithsej të studentëve.
Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, uljen më të madhe të numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë e kanë fushat “Arte dhe shkenca humane” me 16,9% dhe “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” me 10,9%.
Ndërsa fushat “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” dhe “Teknologji e Informacionit dhe Komunikimit” paraqesin rritjen më të madhe të numrit të studentëve me përkatësisht 12,2% dhe 9,9%.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.