Më 9 qershor godina e ish-Radio Tiranës, monument kulture i kategorisë së dytë, u rrethua me skela. Nisur nga fakti se jashtë rrethimit nuk ka ende asnjë tabelë informuese mbi ndërhyrjen që po ndërmerret, Citizens Channel iu drejtua me një kërkesë për informacion Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
“Në objekt po kryhen punime pa leje, të cilat nuk janë të miratuara në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) ”, – citohet në përgjigjen e institucionit, e cila i referohet një akt konstatimi nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Tiranë.
Sipas IKTK, rrethimi është realizuar nga zhvilluesi Roland Manushi, i cili nuk kishte kryer aplikimin online për leje sipas ligjit për Trashëgiminë Kulturore, e si pasojë punimet janë pezulluar.
DRTK Tiranë bën me dije se gjatë inspektimit të objektit u konstatua se është vendosur një rrethim, janë hequr dyert dhe dritaret si edhe të gjitha mbetjet që gjendeshin brenda objektit.
Citizens Channel kontaktoi drejtuesin e institucionit, restauratorin Olsi Plasa i cili dha një deklaratë kontradiktore nga vetë akt ekspertimi që institucioni i tij ka përpiluar.
“Ai është pronar, ne kemi lidhje me godinën, jo rrethimin, monument kulture është godina nuk është rrethimi”, – tha Plasa teksa u pyet nëse janë vendosur sanksione ndaj personit që ka zhvilluar ndërhyrjen e paligjshme në monument.
Ai shtoi se zhvilluesi Roland Manushi synon ta kthejë monumentin në identitet, dhe ka marrë një restaurator të licencuar për këtë projekti, i cili po kalon në miratim në Këshillin teknik të IKTK – së.
Ky informacion u verifikua dhe zyrtarisht nga institucioni, në përgjigjen ndaj kërkesës për informacion.
“Ligji harron të mbrojë monumentet e kulturës”
Në zbatim të Ligjit 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” neni 77 pika 1 “Çdo ndërhyrje në pasuritë kulturore, të pa luajtshme dhe të luajtshme kryhet vetëm pas miratimit nga ana e KKTKM-së…”.
Referuar rastit të ish Radio Tiranës drejtori i DRTK Tiranë Olsi Plasa shpjegon për Citizens Channel se ekziston një klauzolë ligjore e ligjit të 2018, e cila nuk e lejon institucion që ai ka në administrim të vendosë sanksione ligjore.
“Ne dikur e kemi pasur këtë fuqi që vendosnim edhe gjobë, me ligjin e ri se kemi të drejtën, kemi mundësi vetëm ndërprerje dhe njoftim. Nuk marr dot masa”, – thekson Plasa.
Ai shton se këto lloj penalitetesh duhet të vendosen nga një degë policore që duhej krijuar brenda Ministrisë së Kulturës por që me formulimin e ligjit që në 2018 kjo dege ekziston vetëm në letër.
“Ligji i ri që është bërë i vjetër, e ka problemin tek mos ezaurimi i akteve nënligjore. Edhe pse është disa qindra faqe ai ligj ka mbetur i cunguar, pa duar dhe pa këmbë dhe si i tillë është i pa aplikueshëm”, – shpjegon Doriana Musai për Citizens Channel.
Ajo shton se sot institucionet që merren me trashëgiminë kulturore operojnë me aktet nënligjore që janë të ligjit të 2003.
“Mungesa e këtyre akteve bën që në veprime të kundra ligjshme në dëm të trashëgimisë askush të mos marr asnjë penalitet dhe mos të marr askush veprim”, – përfundon Musai.
“Vilat monument kulture po kthehen në pallate”
Citizens Channel ka zbuluar se godina e Radio Tiranës, është e vetmja vilë e ansamblit të monumenteve në rrugën Kont Urani që do i shpëtojë shembjes. Plani i Detajuar Vendor (PDV), i miratuar së fundmi nga Bashkia e Tiranës parashikon që dy vilat krah radio Tiranës, të ndërtuara 1920, do t’i shemben për t’i lënë vend një pallati 11-katësh. Këto dy objekte e humbën mbrojtjen ligjore, vetëm dy vjet pasi iu dha statusi monument kulture apo mbrojtje paraprake.
Të njëjtin fat kanë pasur dhe katër objekte të tjera në të njëjtën zonë. Një investigim i Citizens Channel zbuloi se përgjatë viteve 2015-2021, 36 objekte monument kulture në Tiranë janë zhveshur nga statusi i mbrojtjes dhe deri tani 17 prej tyre janë kthyer në pallate.
Raporti kërimor “Citizens Urban Stories” ka analizuar gjendjen e vilave monument kulture në Tiranë, duke zbuluar se 50% e vilave monument kulture janë lënë në gjendje të degraduar.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.