Citizens.al

KLSH konfirmon dështimin e “Pyllit Orbital” të Tiranës

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit i prezantuar të mërkurën në Kuvend tregoi se projekti për realizimin e Pyllit Orbital, rezultoi me nivel të ulët realizimi, si pasojë e mungesës financiare dhe hapësirës për mbjelljen e pemëve.

“Projekti i Pyllit Orbital për mbjelljen e pemëve për shkak të pamundësive financiare për mbështetje me buxhet si dhe problematikave që lidhen me mungesën e hapësirave të nevojshme për mbjellje dhe çështjeve të pronësisë rezulton me një nivel të ulët realizimi, megjithëse ka kaluar një pjesë e konsiderueshme e periudhës së zbatimit të këtij objektivi,” thuhet auditim.

KLSH shprehet se politikat e ndjekura të shprehura në Planin e Veprimit “Qyteti i Gjelbër” janë ambicioze “por ato duhet të shoqërohen me kapacitete të mjaftueshme financiare dhe logjistike nga ana e bashkisë”.

Auditimi thekson se mjedisi po degradon me ritme të shpejta, që reflektohet në probleme si pasiguria e tokës, përkeqësimi i cilësisë së ujit, ndotja e ajrit, zhurmat dhe problemet e depozitimit të mbeturinave.

Po ashtu theksohet se ka një ulje të raportit për fryme të hapësirave të gjelbra, si pasojë e zhvillimit të pakontrolluar urban.

Sipas KLSH, raporti i hapësirave të hapura të gjelbra për 100,000 banorë është shumë i ulët, 0.46m2 /banor, raport të cilin KLSH e cilëson të papërfillshëm.

Projekti strategjik “Metrobosco”, i njohur si pylli orbital është pjesë e planit urbanistik Tirana 2030, përgatitur nga arkitekti italian Stefano Boeri. Ky plan parashikon ngritjen e një “kufiri-hijebërës” prej 2 milionë pemësh frutore e parqesh rreth qytetit, që do të shërbente për të kufizuar ndërtimet dhe konsumin e tokës.

Projekti Metrobosco

Në datën 26 mars, Kryetari i Bashkisë së Tiranës mbajti një ceremoni ku mbolli pemën e 1 miliontë dhe tha: “Në 2015 thamë se do të mbjellim 2 milionë pemë deri në 2030 dhe jemi vetëm në gjysmë të këtij misioni të jashtëzakonshëm”.

Në një analizë të Citizens Channel, doli në pah se mbjellja e 2 million pemëve si pjesë e Pyllit Orbital është 200 vite larg.

Në një investigim të publikuar një vit më parë, u zbulua se Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit (APR), në katër vite kishte mbjellë në total 58,000 pemë, pra një mesatare prej 1,208 pemësh në muaj.

Ky ritëm ka rënë në 19 muajt e fundit, pasi gjatë kësaj periudhe APR njofton se ka arritur të mbjellë vetëm 2,987 pemë dhe shkurre, me një mesatare që ka rënë drastikisht në vetëm 157 pemë në muaj.

Në një përgjigje për Citizens Channel, Bashkia Tiranë tha se nga fillimi i aplikimit të planit e deri më tani janë mbjell gjithsej 60,987 dru dhe shkurre. Nëse do të marrim në konsideratë ritmin e gjashtë viteve të fundit (rreth 10,000 pemë në vit), Bashkisë Tiranë do i duheshin 200 vjet për të mbjellë dy milion pemët e premtuara në pyllin orbital.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *