Citizens.al

Projektligji: Studentët e mjekësisë detyrohen të punojnë 5 vjet në Shqipëri

“Çdo student që do të hyjë në universitetin e mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që mjekësia studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për tu pajisur me diplomë duhen edhe 5 vjet në shërbim të këtij populli.”,– u shpreh sot Kryeministri Rama gjatë njoftimit për vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave.

Projektligji, i cili do të prezantohet në Kuvend brenda korrikut me procedurë të përshpejtuar, u bë sot i ditur nga Kryeministrit Rama dhe u komentua edhe nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Ministrja së Arsimit Evis Kushi.

Projektligji parashikon që studentët do të nënshkruajnë një marrëveshje për të qendruar11 vite në Shqipëri, 6 nga të cilat janë studim dhe 5 vite punë, e më pas kanë të drejtë të tërheqin diplomën.

“Nuk paguan populli shqiptar taksa që mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në një universitet që mbahet nga taksat e popullit shqiptar të ikin që ditën e pare”,-deklaroi Rama.


Sipas Ministres së Arsimit, Evis Kushi do të ketë marrëveshje të ndryshme për studentët që do të hyjnë në vitin e parë të shkollës së mjekësisë dhe për ata të cilët janë momentalisht duke ndjekur studimet.

“Kandidatët për studentë përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me universitetin e mjekësisë me ministrinë e Arsimit dhe me Ministrinë e Shëndetësisë për tu angazhuar që do të qëndrojnë pesë vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet tona shëndetësore. Dhe diplomën do ta tërheqin pas përmbushjes së këtij detyrimi”,-u shpreh Kushi.

Ndërsa vitet e punës së detyruar për mjekët që po shkollohen aktualisht do të jenë më të ulëta.

Evis Kushi, Ministre e Arsimit

“Nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, përsëri në fillim të këtij viti akademik do të nënshkruhet një marrëveshje ku angazhohen që do të qëndrojnë. Përkatësisht studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite punësim në Shqipëri. Dhe diploma përsëri tërhiqet pas përmbushjes së këtij detyrimi”, -saktësoi Kushi.

Studentët të cilët janë në sistem dhe nuk do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen do të paguajnë “koston reale të vitit shkollimit, për vitet e mbetura akademike”, por asnjë nga përfaqësuesit e qeverisë nuk e qartësoi sa është kjo kosto.

Projektligji sipas ministres Manastirliu erdhi pas një analize të thellë të kryer për kapacitetet e sistemit shëndetësor publik dhe jo publik.

‘….fokusi i punës sonë është i kanalizuar në tre drejtime: E para në përgatitjen e burimeve tona njerëzore. E dyta në ruajtjen e burimeve njerëzore të kualifikuara dhe e treta në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve tona ,të burimeve tona njerëzore për ti shërbyer sa më mirë qytetarëve shqiptarë dhe për të garantuar një kujdes shëndetësor universal”,- u shpreh ministrja Manastirliu.

Mes të tjerash Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur edhe lajmin se përpos projektligjit do të ketë edhe rritje të numrit të kuotave për studentët e mjekësisë.

“Në vitin 2024 ne së bashku me Ministrinë e Arsimit, Universitetin e Mjekësisë do të rrisim numrin e kuotave të pranimeve në mjekësi duke e çuar në 500 kuota pranimi”, -përfundoi Manastirliu.

Sa i përket specializimeve, ministrja e arsimit u shpreh se do të ketë disa drejtime për mënyrën si do të kategorizohen.

“Nëse specializantët e paguajnë vetë tarifën, do të konsiderohet periudhë punësimi. Ndërsa në rast se është e mbuluar nga Ministria e Shëndetësisë sigurisht ata nënshkruajnë një marrëveshje paraprake me Ministrinë e Shëndetësisë, përpara specializimit dhe kanë detyrimin të përmbushin ato detyrime që tashmë janë në fuqi”.

Ndërsa, përfundoi në fjalën e saj se nëse nuk arrihet nga ana e qeverisë detyrimi i punësimit të mjekëve të rinj brenda një viti, atëherë të gjithë të diplomuarit do të lirohen nga ky detyrim dhe do të tërheqin diplomën e tyre.

Thirrje për protestë

Studentët kanë paralajmëruar sërish protestë, paraditen e së enjtes para Rektoratit të Mjekësisë për të kundërshtuar projektligjin e propozuar sot nga qeveria.

Më herët, ndërsa ky propozim ishte ende në konsultim studentët mbajtën dy protesta para Rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit.

Sipas Qëndresës Qytetare, studentët duhen mbështetur në protestë pasi këto nisma të qeverisë kundrejt tyre janë të gabuara.

Sipas tyre, duke vendosur kushtin e punës për 5 vite pas diplomimit, detyron studentët të shkojnë nga studimi në universitetin publik në atë privat. Ata po ashtu rendisin edhe një sërë arsyesh të tjera për ndikimin e këtyre nismave.

“Studentët që kanë nisur mjekësinë, kanë lidhur kontratë me universitetin. Rregullat e lojës nuk ndryshojnë brenda lojës. Nëse studenti e merr diplomën pas 11 vjetësh në Shqipëri, ka plot vende që ta japin pas 6 vitesh, kështu që emigracioni do transferohet që nga matura. Evis Kushi thotë që do paguani sa është kostoja e studimit, por as Ministria e as Universiteti nuk e di sa është kostoja e një studenti të UMT. Një student i kushton buxhetit të shtetit 40 euro në muaj ndërsa një i burgosur 15 herë më shumë”, u shpreh përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Qëndresa Qytetare.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *